Shëndetësia nuk është falas për shqiptarët, për 4 koncesione të Ramës do të paguhen 370 milionë euro

Shëndetësia nuk është falas për shqiptarët, por madje është burimi kryesor për vështirësitë financiare të popullsisë së vendit. Deklarata e fortë vjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Në një analizë të publikuar vetëm pak ditë më parë, OBSH deklaron se kostot për t’u kuruar shtyjnë drejt varfërisë 8% të familjeve shqiptare dhe madje rrënojnë ekonomikisht 12%-shin më të varfër.

Një e treta e popullsisë së vendit sot llogaritet e pasiguruar dhe detyrohet të paguajë për çdo gjë përveç shërbimit të emergjencës, vizitave te mjekët e familjes dhe “check up”-it, nëse përfshihen në grupmoshën 35-70 vjeç.

Por, shëndetësia nuk është falas as për të siguruarit. Çdo shqiptar paguan mesatarisht 6 700 lekë në vit nga xhepi, ku ilaçet përbëjnë koston kryesore, ndjekur nga kujdesi spitalor, ai jospitalor, testet diagnostifikuese, si edhe kujdesi dentar. Këto pagesa nga xhepi, sipas OBSH, janë në rritje nga viti në vit.

Ky sistem që të orienton drejt pagesave shtesë, sipas OBSH, bën që 1 në 5 persona të shtyjnë apo të mos kërkojnë kujdesin shëndetësor kur kanë nevojë. Ky raport bëhet më shqetësues për familjet më të varfra, që nëse nuk arrijnë të gjejnë borxh, nuk mund të marrin mjekim.

PPP në shëndetësi, për 4 koncesione do të paguhen 370 milionë euro

Llogaritet në rreth 100 milionë euro shuma që buxheti i shtetit ka paguar për koncensionet në shëndetësi, që nga viti 2015, kur filloi për herë të parë zbatimi i kontratave të Partneritetit Publik-Privat, deri në maj të vitit 2020.

Ndërsa do të paguhen edhe 270 milionë euro të tjera në vitet në vijim. Aktualisht, janë aktive katër kontrata PPP në shëndetësi: sterilizimi, check up, dializa dhe laboratorët.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, niveli më i lartë i financimit të tre koncensioneve të para u arrit në vitin 2019, me 3,8 miliardë lekë, ose rreth 31 milionë euro. Për vitin 2020, pas pandemisë, financat e kanë rishikuar buxhetin me ulje dhe pagesat totale parashikohen në total 2,8 miliardë lekë, ose 25% më pak se në vitin 2019.

Në pjesën e dytë të këtij viti filloi zbatimi i koncesionit të katërt, atij të laboratorëve, për të cilin janë parashikuar 400 milionë lekë.

Katër koncesionet, check-up nga 2015, sterilizimi, dializa nga 2016 dhe së fundmi laboratorët, janë parashikuar për një periudhë 10-vjeçare, për një shumë totale prej 45,5 miliardë lekësh, ose rreth 370 milionë euro./A2CNN

Exit mobile version