Shëndetësia që vret

Një tjetër foshnje ka humbur jetën në maternitetin e Pogradecit vetëm 4 ditë pas lindjes. Rasti nuk është shumë i ndryshëm nga ai i pak ditëve më parë në Tiranë, kur një nënë bashkë me foshnjen e saj të pa lindur po ashtu humbën jetën në një spital shtetëror dhe ku mjekët paguhen me paratë e taksapaguesve.

Këto dy raste nuk janë të vetmet, por janë mjaftueshmërisht alarmante për të kuptuar se shëndetësia në këtë vend ka falimentuar dhe se shëndetësia falas ishte vetëm një slogan, prej të cilit kanë dalë të fituar vetëm koncesionarët e shëndetësisë dhe dy kumbarët e kësaj pseudoreforme, kreu i qeverisë dhe ministri i Shëndetësisë.

Pacientët që në të vërtetë duhet të ishin përfituesit e kësaj reforme po kthehen në viktima. Pavionet e spitalet po kthehen në klinika të vdekjes, ku askush nuk mban përgjegjësi për jetën e qytetarëve.

Përse po ndodhin këto vdekje kaq shpesh në spitalet publike? Arsyeja e parë është mungesa e barnave. Nëna e foshnjes në Elbasan deklaronte se të gjitha ilaçet i kishte blerë vetë dhe kishte paguar edhe mjekët me 200 mijë lekë për lindjen, por në fund fëmija e saj humbi jetën, pasi mjekët nuk kishin ilaçe për të kuruar foshnjen.

Spitalet nuk kanë barnat e duhura, sepse ato para që duhet të shkonin për pacientët kanë shkuar për koncesionarët që vetëm brenda një viti kanë marrë 320 milionë euro para nga kontrata e qeverisë. Me kaq para sa ky Kryeministër dhe ministër i Shëndetësisë kanë ndarë me koncesionarët do të ishte bërë e mundur që të gjitha spitalet në të gjithë vendin të rindërtoheshin nga e para dhe pajisjet më moderne të mjekësisë. Mirëpo babëzia nuk njeh kufij dhe është kjo babëzia që po vret foshnje në spitale sot.

Arsyeja e dytë e këtyre vdekjeve të shpeshta në spitale ka të bëjë edhe me paaftësinë e shërbimit shëndetësor. Edhe ky një mashtrim i Reformës në Shëndetësi. Sapo erdhën në qeveri Rama dhe Beqja futën në provime të gjithë stafet mjekësore dhe bilanci i këtyre testimeve të qeverisë është ky që po shikojmë sot. Të paaftët janë futur në sistem me çertifikatat e partisë, duke harruar se nuk bëhet fjalë për thasët e miellit të kutive elektorale, por për jetët e njerëzve.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërRaporti: 928 persona në vit vdesin nga ndotja e ajrit