I pari që e sulmoi kreun e SPAK-ut, ishte Edi Rama, i cili bëri gjithçka për të mos u zgjedhur Dumani, por nuk ia doli dot.
Pas tij, Ilir Meta, nëpërmjet një gjuhe të llojit të “cosa nostra-s”, sipas të cilit prokurorët e SPAK-ut kanë hallet e tyre dhe familjarë, përforcoi sulmet ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme.
Deri më sot, Berisha kishte sulmuar veçanërisht dy prokurorët e çështjes së tij dhe gjyqtaren e GJKKO-së, mirëpo edhe ai nuk e zgjati shumë dhe iu bashkua korit kundër Dumanit. Nominalisht, me emër dhe mbiemër, madje duke e asocuar me një vrasës me pagesë, i cili rastësisht mban të njëjtin mbiemër me kreun e SPAK-ut.
Është e qartë se këto sulme që i vijnë nga politika, në radhë të parë, tregojnë se Altin Dumani nuk është peng i asnjërit prej tyre dhe, në dallim nga ajo që kemi parë deri më sot, me sa duket, ua ka prishur llogaritë të gjithëve.
Sulmi që Berisha i bëri Altin Dumanit i vjen për shtat Edi Ramës, Arben Ahmetajt, Ilir Metës dhe të ngjashmëve të tyre.
Të sulmuarit të Dumanit nuk ndihmon as demokratët, as shqiptarët.
Krijimi i një klime tensioni dhe shantazhi ndaj Prokurorisë së Posaçme, veçmas ndaj kreut të tij, tregon degradimin e madh që ka kjo klasë politike dhe frikën e saj të madhe nga një njeri i vetëm.
Altin Dumani ka shansin e madh për ta tronditur këtë klasë politike nga themelet.
Në këtë rrugë, ai ka mbështetjen e çdo shqiptari të ndershëm, demokrat apo socialistë qoftë.
Ka Ramën, Metën dhe Berishën përballë, por ata janë e shkuara, ndaj inkurajimi i këtij njeriu që u ka prishur gjumin këtyre njerëzve është detyrë qytetare./ RD