Një pjesë e deputetëve që iu bashkëngjitën Berishës, këto kohë kanë treguar shfaqje më të shëmtuar të degradimit moral, politik e shoqëror, jo vetëm në Kuvend, por në të gjithë jetën publike të vendit.
Ata jo vetëm nuk kanë mbajtur përgjegjësi për asgjë që kanë thënë dhe kanë bërë, por me të njëjtën lehtësi dhe paturpësi, kanë ndryshuar qëndrim dhe artikulim 180 gradë dhe këtë e paraqesin si diçka krejt normale.
Kjo shfaqje e një degradimi tërësor dhe të thellë të të gjithë vlerave, jo vetëm politike, por edhe humane, u dukën dje në sjelljen e tyre hipokrite ndaj Spiropalit të Edi Ramës, për të cilën çfarë nuk kanë thënë dhe ajo çfarë nuk u ka thënë.
Përballë kësaj panorame hipokritike dhe të shëmtuar, shihni se si u sollën me një zonjë, Flutura Açkën, kolege të tyre deputete, e cila përgjatë kësaj kohe veçse durim, maturi dhe koherencë ka treguar, qoftë në raport me ta, qoftë në raport me politikën ditore.
Sjellja ka një kontrast si nata me ditën.
Pse e bëjnë një gjë të tillë?
Sepse zvarriten pas një karrigeje deputeti, sepse për ta deputetllëku është mbi çdo vlerë humane, njerëzore dhe politike.
Sillen të tillë sepse marrëveshja mes Ramës dhe Berishës, në thelbin, e saj ruan monopolin e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, që betonizon Ramën në pushtet, por këtyre u jep mundësinë që sa më shumë hipokrizi në sjellje dhe inkoherencë në qëndrime, të kenë një vend të sigurt te lista që do të bëjë Berisha me Nokën.
Janë bërë bashkë kundër shqiptarëve, sepse nuk i duan listat e hapura, nuk e duan votën e diasporës, numërimin dhe votimin elektronik, sepse të gjitha këto i nxjerrin jashtë politike.
Vegjetimi i tyre i deritashëm dhe kjo sjellje amorale dhe hipokritike, mund të ‘shpërblehet’ vetëm nëse listën e bën kryetari dhe jo qytetari.
Përgjatë dy viteve, u treguan njerëz të vegjël, që njohin vetëm interesin e tyre, dhe duke u hedhur degë më degë, për interesin e karriges së tyre, kanë përfunduar në zara të Edi Ramës.
Ky ishte revolucioni hipokrit i vonuar i Ballkonit antiamerikan.
Kjo ishte loja.
Më saktë, tallja e radhës me demokratët dhe shqiptarët.