Këtë fundjavë anija e mbytur e Berishës u ndal në qytetin bregdetar të Durrësit.
Më shumë se sa një takim rutinë, dukej një paralajmërim për të nisur Foltoren Nr. 2 të tij.
Këto takime vijnë në një kohë kur Berisha është vënë nën hetim nga SPAK për çështjen e klubit “Partizani”.
Nëse Foltorja e parë, e fshehu betejën kundër SHBA-ve tek sulmet e paprecedenta ndaj Lulzim Bashës, këtë radhë sulmet kanë një armik të ri: sistemin e drejtësisë, prokurorët e SPAK-ut që po hetojnë dhe gjykatësen e GJKKO-së që ka çështjen në dorë.
Amiqtë e rinj të Foltores Nr. 2 portretizohen me tërë të zezat e mundshme. Herë si pengje, të përdorur nga Edi Rama, herë të tjera si ‘lolo’.
Berisha në artikulimet e tij vijon t’i gënjejë demokratët.
Mirëpo, pozitive që u vu re në Durrës, ishte braktisja e madhe e qytetarëve durrsak, të cilët kanë ditur gjithmonë ta bëjnë dallimin midis së mirës dhe së keqes, midis së drejtës dhe të gabuarës.
Pjesëmarrja e ultë dhe mungesa e entuziazmit u duk edhe në fotot dhe pamjet e shpërndara nga regjia e Rithemelimit, të cilat nuk mund t’i fshihnin njerëzit e ardhur nga rrethet, përfshi edhe Lezha, për të mbushur sallën e zbrazët.
Ky është një ogur i mirë.
Fakti që demokratët e gënjyer po fillojnë të zhgënjehen nga narrativa mashtruese e Berishës, është një lajm i mirë dhe një mundësi e madhe që Partia Demokratike ta hedhë pas plogështinë dhe përçarjen e gjatë dhe të fillojë të ringrihet duke parë nga e ardhmja, në mënyrë që në vitin 2025 të shndërrohet në një alternativë të besueshme qeverisëse.