Shënim/ Kaosi në Parlament heq vëmendjen nga hallet e njerëzve

Kujt i intereson kaosi, zhurma dhe konfiklti i panevojshëm, kishte rastin më të mirë për të vërtetuar se as fryrja e bilbilave, as përmbysja e karrigeve, as tymi dhe flaka, nuk e pengon që Parlamenti të votojë gjithçka do qeveria.

Përkundrazi, kështu e ka më të lehtë.

Nëse në situata normale mazhoranca do të vihej përballë diskutimeve të ndryshme, kokëçarjes për interpelancë, për pyetje-përgjigje dhe për përballje me argumente dhe fakte, tani e kanë më të lehtë, sepse mjafton të kenë këtë situatë dhe gjithçka e votojnë dhe kalojnë në pak minuta.

Kjo gjendje nuk i shërben as parlamentarizmit, as politikës, as interesit të qytetarëve.

Mbajtja ndezuar e këtij konflikti të paqenë, nuk lejon që Kuvendi të ushtrojë detyrën e tij funksionale dhe të diskutojë për ato që është votëbesuar nga qytetarët.

Në mungesë të debatit, të faktetve dhe të argumenteve, ajo që u vu re ishte një garë se kush të bëjë më shumë zhurmë nga deputetët e Rithemelimit, kush të bërtasë dhe të trashë zërin më shumë, kush t’i pëlqejë më tepër Sali Berishës dhe kush të tregojë më shunë besnikëri ndaj tij në mungesën trupore të tij në Parlament.

Sigurisht që sado të mundohet Bardhi dhe Salianji, hë për hë, Noka nuk ka asnjë konkurrent në këtë garë.

Fatkeqësisht kjo gjendje nuk i shërben interesit publik dhe qytetarët kanë votuar për të ushtruar detyrën e parlamentarit dhe jo për t’u shndërruar në parlament në marjonetë në funksion të axhendave personale, jashtëpolitike.

Artikulli paraprakSesioni i ri parlamentar me avaze të vjetra
Artikulli tjetër“Edhe seanca e sotme vazhdoi teatrin me skenar të Edi Ramës”, Basha flet për gazetarët dhe i bën thirrje Presidentit të Republikës