Dështimi më i madh i politikës në dekadën e fundit nuk është vetëm se ajo nuk i ndaloi dot budallenjtë, injorantët dhe ata me rekorde kriminale që ta shohin atë si oaz shpëtimi dhe mundësi plotësimi, duke i promovuar, stimuluar dhe rekrutuar në gjirin e saj si nevojë për të mbledhur vota.
Dështimi më i madh i politikës është mungesa e kontrastit me pjesën e mësipërme, duke promovuar të pamoralshmen dhe të pandershmen, të padrejtën dhe lëpirjen, inkoherencën dhe hipokrizinë, syfajësinë dhe rendjen pas më të ‘fortit’ dhe jo pas së drejtës.
Kjo përplasje mes dy filozofisë së të këqiave, e lë situatën në vend, të patrazuar dhe pa asnjë vullnet për të ndryshuar.
Njerëzit nuk kanë kurrfarë besimi se kjo lloj politike mund t’i ndryshojë jetët e tyre, ndaj nuk u bën përshtypje më asgjë çfarë ndodh, janë të mpirë nga normalizimi i së keqes dhe të pamoralshmes.
Kjo klasë drejtuese që është sot në krye të punëve të këtij vendi i ka tradhëtuar qytetarët e saj, të cilët edhe mund t’i kenë votuar.
Veç atyre që drejtojnë, të njëjtën gjë bëjnë edhe ata që kanë marrë peng opozitën dhe zvarrisin demokratët dhe njerëzit poshtë Ballkonit të hallit të vetëm një njeriu.
Është e njëjta filozofi që i bashkon dhe i mban në lojë.
Është e njëjta arrogancë, mungesë parimesh dhe vlerash morale.
Ndaj nevojitet një kontratë e re mes politikës dhe qytetarit.
Njerëzve t’u kthehet shpresa dhe politika të japë shenja besueshmërie dhe ndryshimi.
Askush tjetër në këtë baltën e politikës shqiptare veç Partisë Demokratike nuk mund ta bëjë këtë.
Është koha!/ Namir Lapardhaja