Shënim/ Kush e ka radhën pas Erjon Veliajt?

Është e qartë se SPAK e ka ‘rrethuar’ Erjon Veliajn dhe po ia kopsit dosjen. Shumë shpejt ndaj tij pritet të jepet edhe masa e sigurisë që, sipas të gjitha gjasave, nuk do të jetë e lehtë. Sigurisht që meritën e vetme në këtë hetim dhe çështje e ka Prokuroria e Posaçme. Të gjithë ata që deri dje i kërkonin llogari SPAK-ut se pse nuk heton dhe nuk thërret kryebashkiakun e Tiranës, sot do përpiqen të gjejnë alibi të tjera, sepse është e qartë se halli i tyre nuk ishte Veliaj, por anatemimi dhe baltosja e Prokurorisë së Posaçme.

Nga ana tjetër, Erjon Veliaj është shembulli ekselent se si paratë e taksapaguesve evropianë kanë shkuar dëm, duke promovuar organizata apo drejtues organizatash, të cilët janë investuar për të luftuar korrupsionin apo modelin e keqqeverisjes, ndërkohë që pasi janë futur në politikë jo vetëm që janë korruptuar edhe më shumë se sa paraardhësit, por kanë ndërtuar skema të frikshme dhe të ndyra si kjo e burrit kryetar bashkie që i jep lekë gruas drejtuese organizate.

Po ashtu, Veliaj është shembulli më i mirë se si populizmi herët a vonë është i dështuar, sepse nuk bën gjë tjetër vetëm se mundohet të ndërtojë një realitet të paqenë dhe të krijojë figura në dukje punëtore dhe të pastra, por, në thelb, thellësisht të korruptuar.

Mos u bëni naiv të besoni marrëzitë e luftës brenda llojit, sepse, sado e madhe dhe e poshtër që të jetë ajo, duhet një forcë madhore që të fillojë një hetim dhe të bëjë nga këto kontrollet blic ndaj kryebashkiakut të Tiranës, i cili menaxhon buxhetin e dytë më të madh në vend, pas qeverisë, rrjedhimisht ka të rreshtuar pas vetes interesa të mëdha ekonomike.

Ndaj në pyetje nuk është më Veliaj, por kush e ka radhën pas tij?/ Nga Namir Lapardhaja

Artikulli paraprak“Në shtëpinë time ka rënë bomba”- Djemtë e tij vranë Ramazan Matajn për nderin e së motrës, Rustem Hasaj ngujohet së bashku me familjen nga frika hakmarrjes: Jemi në kushte mbijetese
Artikulli tjetërTreni nuk niset as në 2025-ën/ Hekurudha Tiranë-Durrës si kalaja e Rozafës, dyfishim kostosh dhe zvarritje pafund