Pas një mungese të gjatë, gjatë konferencës së sotme me gazetarët, Edi Rama bëri ironi me kreun e PD-së, Lulzim Basha, duke e kërkuar, sepse nuk gjendet gjëkundi.
Ironike është se, ndërkohë që ai bënte këto deklarata, kreu i PD-së, Lulzim Basha, ishte duke zhvilluar një tryezë diskutimesh dhe propozimesh për Reformën Zgjedhore, Vetingun në Politikë dhe Votën e Diasporës, me deputetë të Grupit Parlamentar të PD-së, shoqërinë civile, gazetarë etj.
Madje, një pjesë e gazetarëve që ishin prezent te takimi i Ramës, sapo ishin kthyer nga tryeza e Bashës.
Në kushtet që ndodhet Edi Rama, ku më shumë shokë dhe bashkëpunëtor i ka brenda në burg se sa jashtë, duhet të ketë guxim të madh për të treguar me gisht kundërshtarët politik, të cilët, në dallim nga ai, e inkurajojnë SPAK-un mëngjes e mbrëmje për të vijuar dhe thelluar më tej të gjithë hetimet e dosjeve korruptive të sotme dhe të djeshme.
Shoku i Ilir Beqajt, Arben Ahmetaj, Vangjush Dakos, Lefter Kokës, Saimir Tahirit, Elvis Roshit…, t’i lërë ironitë dhe të marrë përgjegësinë që i takon, sipas rekomandimeve ndërkombëtare, për një reformë elektorale gjithëpërfshirëse, për lista të hapura, veting të politikanëve dhe votën e diasporës.
Deklarata e tij se nuk bashkëpunon me “Non Gratën” është me zemër të thyer dhe buzë të plasur, sepse është vetëm insistimi i partnerëve euro-atlantikë, të cilët edhe ditët e fundit e kanë përsëritur një thirrje të tillë, duke kërkuar rikthim të normalitetit në Kuvendin e Shqipërisë.
Ndërkohë që Ramës i duhet të mbajë ndezur retorikën kundër Lulzim Bashës, sepse, ashtu siç e dinë të gjithë, përballja e vitit 2025 do jetë me të dhe Partinë Demokratike.
Ndaj nga Partia Demokratike dhe Lulzim Basha kërkohet të qëndrojnë të palëkundur në bindjen e tyre për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, lista të hapura, Shqipëria një zonë zgjedhore, vetingu në politikë, kontrolli i përvitshëm i politikanëve për lidhje me elemente të papërshtatshme nga bota e krimit dhe vota e diasporës, të cilat janë propozimet konkrete që do pjesa më e madhe e shqiptarëve, që refuzojnë cirkun, tymin dhe flakën, duke mos u bërë pjesë e hipokrizisë së politikës së vjetër që zihet ditën dhe ndan kulla natën.