SHËNIM/ Ndonëse ka 11 vite në pushtet që ka dështuar me arsimin, Edi Rama flet sikur të ishte opozitë që pret ndryshimin e qeverisë për të ndërmarrë reforma

Propaganda e ka zhurmën e madhe!

Edi Rama del dhe flet për arsimin sikur të ketë ardhur sot në pushtet.

Në vend që të mbajë përgjegjësi për dështimin rrënjësor të të gjithë hallkave të arsimit në vend, ai dhe ministrja e tij zhvillojnë aktivitete sikur të ishin opozitë që pret të marrë pushtetin dhe jo qeveri që prej 11 vitesh e ka ezauruar të gjithë “talentin” dhe “aftësinë” e saj në këtë drejtim.

Duhet të reformojmë sistemin, thotë Rama, por nuk tregon pse nuk e ka bërë për 11 vite me radhë.

Do t’i japim mësuesit dinjitetin që meriton, thotë, por nuk tregon të vërtetën e asaj që mësuesi është jo vetëm i nëpërkëmbur, por nuk ka asnjë klauzolë, ligj, vendim, të drejtë, që e mbron dhe i siguron dinjitetin atij, duke e shndërruar atë në leckë topi dhe thjesht në një rrogëtar të rëndomtë, që më shumë se sa për dijen dhe arsimin duhet të përpiqet të mbajë vendin e punës, pavarësisht se çfarë ndodh përtej kësaj. Edhe në videot e rrjeteve sociale që degradojnë dhe marrin nëpër këmbë figurën e mësuesit, nuk fajësohet autori i videos, por mësuesi, si hallka më e dobët e sistemit.

Mekanizmi i rritjes së pagës çdo 5 vite për vjetërsi pune, duhet ta reformojmë, thotë, por nuk thotë pse nuk e ka bërë deri më sot, ku rritja e pagës së një mësuesi me vlerësimin “shkëlqyer” është e njëjtë me rritjen e pagës së një mësuesi që është vlerësuar “mjaftueshëm”, diku te 5-6 mijë lekë të vjetra, në mos gabojë.

Na duhet një sistem i besueshëm trajnimesh, thotë Edi Rama, sikur të mos flasë për qeverisjen e tij, por për pushtetin që pret ta zëvendësojë ai si opozitë, dhe nuk thotë se pse sistemi aktual i trajnimeve ka rezultuar një piramidë fiasko dhe ku njerëz të afërt të pushtetit drejtojnë këto institucione trajnuese dhe kredidhënëse, që në shumicën e tyre janë fiktive dhe thjesht për të mbledhur të ardhura, ndërkohë që mësuesit prej tyre nuk kanë asnjë përfitim profesional. Po ashtu, pse nuk thotë se pse në këto kushte, ndonëse të gjithë e dinë fiktivitetin e trajnimeve të tilla, Ministria e ka bërë të detyruar marrjen e krediteve për atestimin e mësuesve. Pra, mund të jesh mësues i shkëlqyer dhe mund të refuzosh këtë maskaradë trajnimesh dhe kreditesh, dhe të penalizohesh për t’u futur në provimin e vjetërsisë në punë, edhe pse po të futesh aty, pa pasur nevojën e trajnimeve dhe krediteve, mund të dalësh shkëlqyer.

Do ta çojmë rrogën e mësuesve në 950 euro, thotë, ndërkohë nuk tregon se rroga e mësuesve në këto vitet e fundit rritet vetëm pak muaj përpara zgejdhjeve të radhës me vetëm 30-40 mijë lekë të vjetra, të cilat nuk mbulojnë dot as inflacionin e lekut, sepse as detyrimin vjetor të rritjes prej 2% nuk e realizojnë .

Sigurisht që arsimi ka problematika shumë më të mëdha se sa kaq, por meqenëse Edi Rama e ka luksin që edhe pas njëmbëdhjetë vitesh në pushtet, të flasë sikur është opozitë që do vijë në pushtet apo sikur të ketë ardhur dje në drejtimin e vendit dhe po flet për ato që do të bëjë nesër./ Namir Lapardhaja

Artikulli paraprakMonumenti “Muret e Portës” përfshihet mes 11 më të rrezikuarve në Europë
Artikulli tjetërBritania e Madhe e gatshme të njohë formalisht shtetin palestinez