Nëse nuk e bën njerëzia, e gjen nga Perëndia.
Mjafton disa minuta shi, që Lana të dalë nga shtrati, uji të pushtojë rrugët, rrugët të mbyten nga balta, balta të futet në dyqane, në dyqane të bllokohen kanalizimet, nga kanalizimet të bllokohen WC-të dhe i gjithë qyteti të notojë mes ujit, baltës dhe pisllëkut.
Disa minuta shi të hedhin në erë mijëra minuta propagandë, qindra emisione për arritjet dhe realizimet e kryeqytetit, dhjetra çmimet ‘e fituara’ kombëtare dhe ndërkombëtare, të sjellin në pikën zero, aty ku je në të vërtetë.
Shi bie edhe gjetkë, përmbyten edhe rrugët e Botës, Evropës dhe Amerikës, madje bëhen edhe filma për këto përmbytje, por askush nuk mburret me diçka që nuk e ka, askush nuk ngre punën mbi propagandën dhe jo mbi realitetin, askush nuk investon kaq shumë te fasada dhe harron përmbajtjen, askund nuk është ndërtuar kaq pa kriter, nuk janë bllokuar kaq shumë kanalizime dhe kolektorë, nuk janë ngritur vila pa kriter, gradaçela pa plan, lagje pa urbanistikë.
Askund tjetër përveç në këtë Shqipërinë tonë shëmtia urbanistike, shkatërrimi infrastrukturor, të ndërtuarit pa projekt, nuk e ka reflektuar më së miri kaosin tonë të brendshëm, shpirtëror, social.
Tani pritet të dalë Erjon Veliaj me lopatë dhe makinën e komunales përpara që të mbledhë baltën, të pastrojë rrugët, të thithë ujin nga shtëpitë, dyqanet dhe lokalet.
Pas tij, Edi Rama do t’i kërkojë që nesër më sabah, pa lindur dielli dhe pa u zgjuar qentë e Laprakës, me pompë në dorë të lyej fasadat e poshtme të pallateve.
Dhe kështu, të kalojë edhe një ditë, të shtyhet edhe një javë, të ngryset edhe një muaj, të mbyllet edhe një shfaqje.
Deri në të radhës, mirutakofshim!
nl