18 janari (1935) është dita e lindjes së Pjetër Arbnorit, ish-drejtues i lartë i Partisë Demokratike, Kryetar i Kuvendit të Parë Pluralist, ish-i burgosur politik dhe njeri me vlera të larta morale dhe intelektuale.
E gjithë jeta e tij ka mishëruar më së miri përpjekjen për të mbetur njeri.
“Mandela shqiptar” kaloi 28 vjet në burgjet e tmerrshme të komunizmit. Ai u burgos 26 vjeç dhe
doli prej tij 54 vjeç, duke kaluar pjesën më të rëndësishme të jetës pas hekurave.
Përveçse politikan, Arbnori ishte shkrimtar, studiues dhe përkthyes. Ai është autor i romaneve: “Mugujt e mesjetës”, “E bardha dhe e zeza”, “Shtëpia e mbetur përgjysmë” (roman për të cilin iu shtuan dhjetë vite burg), “Vorublla” etj.
Është autor i novelave “Kur dynden vikingët”, “Bukuroshja me hijen”, studimeve historike “Nga jeta në burgjet komuniste” etj.
Pjetër Arbnori është një model frymëzimi që mund t’i shërbejë brezave të rinisë shqiptare, se si jeta e njeriut merr kuptim vetëm nëpërmjet qëndresës dhe akteve publike, edhe kur bien ndesh me interesin vetjak.
Ai është modeli se si e drejta dhe e vërteta duhen thënë në të gjitha rrethanat dhe jo vetëm kur bëhet fjalë për vetveten.
Do ishte në nderin e Partisë Demokratike që të krijojë Fondacionin “Pjetër Arbnori”, i cili mund të shërbente si laborator i krijimit të politikave orientuese të djathta, por edhe si një shkollë politike për brezat e rinj, të cilët duhet të ushqehen me moralin dhe virtytin në politikë dhe jo me idetë e induktuara deri më sot në politikën shqiptare, ku të bërit politik ka kuptimin e të mos pasurit moral, të bindjes së verbër ndaj shefit, të shtypurit ndaj atyre që ke poshtë vetes, nga parëndësia e të pasurit ide politike dhe nga rëndësia e të pasurit mirë me udhëheqësin e radhës.
Në kushtet ku ndodhet PD-ja, jeta dhe vepra e Arbnorit mund t’i vinte në ndihmë për ta rikthyer në shinat e arsyes, të urtësisë, të mendjes së mprehtë dhe zemrës së madhe, sepse e vërteta nuk varet nga toni i zërit.
Ajo kumbon si e tillë, pa pasur nevojë për shkumëzim të nofullave.
Modeli i Pjetër Arbnorit mund t’i vijë në ndihmë edhe deputetëve dhe atyre që duan të bëjnë karrierë në Partinë Demokratike që të jenë zë i së vërtetës në çdo kohë, në çdo rrethanë, të mos tremben dhe të konformohen me të keqen, nga frika e zhurmës dhe forcës së “shumicës”, sepse e vërteta ngelet e tillë edhe kur është e vetme.
Arbnori është një hero i mendjes dhe i vlerave, ndërsa jeta dhe vepra e tij mund t’i shërbejë të gjithë klasës politike shqiptare, veçanërisht PD-së, që me modele të tilla të krenohet pa ndrojtjen e dritë-hijeve të së shkuarës, që vijojnë ta mbajnë peng politikën shqiptare./ Namir Lapardhaja