Shënjestrohet Zidane

Nga humbja në La Liga tek ajo në Ligën e Kampioneve. Nga tetë pikët e disavantazhit ndaj Barcelona-s kryesuese në Spanjë tek klasifikimi europian që nuk shqetëson në aspektin e kualifikimit, por shikon gjithsesi përpara Tottenham-in. Një tablo që flet për një fillim sezoni të keq për kampionët e Spanjës dhe Europës. Aq të keq sa vetë Cristiano Ronaldo, autori i golit të vetëm të shënuar në humbjen 3-1 ndaj Spurs-ave në “Wembley”, nuk e ka fshehur pakënaqësinë e madje ka ngritur akuza konkrete. “Të gjithë lojtarët që janë larguar, na bënin më të fortë. Nuk është një justifikim, por elemente si Pepe, James dhe Morata na bënin më të fortë. Të rinjtë janë e ardhmja jonë, por nuk kanë eksperiencën e duhur. Është një periudhë negative, por jam i sigurt se do të bëjmë kthesë. Nuk është momenti që do të dëshironim, por futbolli ndryshon. Kemi kohë të mjaftueshme për t’u përmirësuar. I shqetësuar? Llogaritë bëhen në fund”, tha Ronaldo.
Fjalët e portugezit janë një gisht i drejtuar ndaj trajnerit Zinedine Zidane, i cili ka përfunduar në shënjestër të kritikave të medias spanjolle.
Zinedine Zidane analizoi pas ndeshjes me Tottenham humbjen e skuadrës së tij në “Wembley”: “Pozicioni në grup? Duhet të mendoni që, kur jemi tri pikë larg vendit të dytë, ne do të mendojmë për ndeshjen e fundit. Loja e ekipit? Unë nuk mendoj se kemi qenë të humbur, ndoshta kemi nevojë për qetësi. Ne e përgëzojmë kundërshtarin dhe vetë duhet të reflektojmë. Nga humbja, pa diskutim, të gjithë jemi shumë të zhgënjyer. Shkaqet e humbjes? Ndoshta jo të gjithë janë në të njëjtin nivel, këto gjëra ndodhin në futboll. Kur ju humbisni dy ndeshje, nuk mund të jeni në më të mirën psikologjikisht. Kemi tre ose katër ditë për të pushuar dhe pastaj të rikthehemi te fitorja. Analiza që bëj është që ne humbëm kundër më të mirëve sot. Megjithatë, nuk jemi në krizë.
Ju gjithmonë më pyesni nëse jam i shqetësuar. Jo, sepse do ta tregojmë veten gjatë gjithë edicionit. Analiza është se ne luajtëm ndaj një ekipi më të mirë, ndaj duhet ta pranojmë këtë. Nuk kemi bërë një ndeshje të keqe. Kishim shanse të shënonim, por siç po ndodh kohët e fundit, nuk e kemi gjetur golin më tepër se një herë. Nuk mund të themi se nuk jemi në nivelin fizik të duhur. Ajo çfarë duhet të bëjmë është të gjejmë golin, që po na mungon kohët e fundit. Dy humbje radhazi nuk janë pak, por unë kam një ekip me përvojë. Lojtarët e Real Madridit janë kampionë. Kjo situatë do të ndryshojë. Tottenham? Çdo ekip mund ta fitojë Ligën e Kampionëve dhe Tottenham është një prej tyre”, përfundoi Zidane.
Kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos, nuk ka dyshim se skuadra e tij do ta kthejë sezonin në favor të tij pas humbjes 3-1 ndaj Tottenhamit, në Ligën e Kampionëve. Kampionët e La Liga-s pësuan “back-to-back” për herë të parë që nga janari. Cristiano Ronaldo shënoi një gol ngushëllimi për Real Madridin, i cili është tetë pikë prapa rivalëve dhe udhëheqësve të La Liga-s, Barcelona, pas humbjes 2-1 në Girona, të dielën. Por Ramos këmbëngul që skuadra e Zinedine Zidane, e cila është e dyta në Grupin H të Champions-it, do të rikthehet.
“Ne e kuptojmë që tifozët mund të zhgënjehen pas rezultateve të fundit, por Real Madridi gjithmonë lufton. Dhe nëse dikush mendon se jemi dorëzuar, e ka gabim”, tha mbrojtësi i Spanjës për gazetarët. Nga përvoja ime te Real Madridi, kur humb disa lojëra, njerëzit fillojnë të flasin për një krizë. Duhet të qëndrojmë të qetë dhe të jemi të bashkuar. Jemi gjallë në garën tonë të preferuar, Ligën e Kampionëve. Ne duhet të qëndrojmë të qetë, të mbetemi të bashkuar dhe të bindur se Real Madridi do të kthehet shumë shpejt”, tha Ramos.

Exit mobile version