Shënohet viktima e parë nga i ftohti në Durrës

Është regjistruar viktima e parë nga i ftohti në Durrës. Bëhet e ditur se një i pastrehë është gjetur i ngrirë dhe i pajetë ditën e djeshme në qytetin e Durrësit. Kanë qenë banorët e lagjes nr.17 të qytetit bregdetar, ata që njoftuan për vdekjen e endacakut, i cili ishte i njohur në qytet me emrin Beni. Bëhet me dije se, Beni ishte i papunë dhe pa asnjë të ardhur dhe strehohej ku të mundej. 38-vjeçari është gjetur i vdekur rreth orës 7:30 të mëngjesit të djeshëm. Sipas burimeve, trupi i pajetë i tij është transportuar në morgun e Durrësit, ndërsa bëhet e ditur se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e të ftohtit. Ai është gjetur i pajetë në mes të katër rrugëve.
Kjo tragjedi njerëzore e paralajmëruar ka tronditur opinionin publik në Durrës, por jo kryebashkiakun që nuk ka marrë asnjë masë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë dhe të pastrehëve. Dako është tepër i impenjuar për të lëshuar vërtetime për të liruar nga burgu ish-kapobanëndën Lulzim Berisha, ndërsa nuk merr asnjë masë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që nuk kanë asnjë mundësi jetese.
Ky kryebashkiak që harxhon miliona lekë për zyrën e tij dhe për luks, nuk jep asnjë ndihmë për ata njerëz që nuk kanë mundësi të sigurojnë bukën e gojës. Dako ka në dispozicion miliona e miliona lekë për emergjencat, por mesa duket këto para i ka harxhuar për qëllimet e tij dhe jo për njerëzit në nevojë.
Askush nga Bashkia e Durrësit nuk u interesua për njerëzit që e gdhijnë natën jashtë. Nuk u interesuan që t’i ofronin një strehë në këto ditë të acarta një endacaku që humbi jetën në mes të katër rrugëve. Kanë qenë banorët që e kanë gjetur të pajetë 38-vjeçarin, ndërsa Dako as që e prishte terezinë, mbase ishte duke drekuar në lokalet luksoze të preferuara prej tij në momentin që mori lajmin e humbjes së jetës së një të pastrehi nga i ftohti.
Në Durrës ndodhen dhjetëra të pastrehë që enden rrugëve pa asnjë të ardhur, ndërsa bashkia as që i hedh sytë nga këtë njerëz që ndodhen në depresion, si pasojë e mjerimit dhe vrasjes së shpresës. Në mjaft raste, këta njerëz kanë tentuar vetëvrasjen, pasi nuk gjejnë asnjë rrugëdalje nga kriza e thellë dhe dëshpërimi. Ndonëse në Bashki janë punuësuar nga Dako disa punonjës socialë, të cilët kanë për detyrë të evidentojnë njerëzit të nevojë në mënyrë që bashkia t’u  ofrojë ndihmë dhe jetesë sidomos në këto ditë të vështira, askush nuk e vë ujin në zjarr. Të gjithë në Bashkinë e Durrësit shohin rehatinë e tyre pa iu bërë përshtypje se dikush pret ndihmë për mbijetesë vetëm pak metra larg zyrave të bashkisë.
Avokati i Popullit akuza Dakos: Dil në terren, po vdesin njerëz
Pas humbjes së jetës së një të pastrehu në Durrës, si pasojë e motit të ftohtë, ka reaguar me tone të ashpra Avokati i Popullit, Igli Totozani ndaj kryebashkiakut të qytetit bregdetar, Vangjush Dako. Në një reagim për mediat, Totozani ka kritikuar kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako dhe drejtuesit e tjerë vendorë, për mosmarrjen e masave për të ndihmuar të pastrehët në këto ditë të acarta.
“Kjo është një tragjedi njerëzore e paralajmëruar. Drejtuesit vendorë nuk duhet të presin që të pastrehët apo të vobektit t’u zënë derën e zyrës, por të dalin vetë në terren së bashku me stafet e tyre, të identifikojnë qytetarët në nevojë dhe t’u ofrojnë atyre ndihmë dhe strehë”, deklaroi Totozani.
Gjithashtu, Avokati i Popullit i bëri thirrje edhe qytetarëve që të njoftojnë organet lokale dhe punonjësit e Policisë së Shtetit sa herë të shohin në rrugë njerëz të pastrehë, fëmijë apo të moshuar të braktisur. “Të gjithë duhet të kontribuojmë në mbrojtje të së drejtës së jetës”, tha Totozani.

Shkodër, Bashkia në terren për përballimin e situatës së borës

Bashkia e Shkodrës bëri të ditur se është angazhuar totalisht për përballimin e situatës së borës dhe ngricave. Sipas Bashkisë situata më e rëndë paraqitet në Njësitë Administrative malore në Shkodër, Pult, Shosh, Shalë për shkak të borës dhe ngricave. Në Qarkun e Shkodrës, segmentet rrugore Bogë-Qafë Thore, Theth-Bregu i Lumit-Mali i Shoshit-Prekal vazhdojnë të jenë të bllokuar.
Njoftohet se gjatë ditës së djeshme janë ndërprerë reshjet e borës, por ka pasur erë të fortë në fshatin Theth e cila ka shkaktuar dëme dhe në banesa. Ndërkohë, trashësia e borës në rrugë pranë “Gjeologjikes” në rrugën e Malit të Shoshit është rreth 65 cm.
Bashkia e Shkodrës bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, ka patur furtunë dhe erë të fortë në fshatin Theth dhe që ka shkaktuar dëme në disa banesa. “Trashësia e borës në rrugë në Prekal 5-10 cm. Trashësia e borës në rrugë në Kir 10-20 cm. Trashësia e borës në rrugë pranë “Gjeologjikes” në rrugën e Malit të Shoshit rreth 65 cm.Trashësia e borës në rrugë në Qafën e Thores mbi 100 cm dhe në disa vende edhe mbi 200 cm. Rrugët për në tre NJA kanë qenë të pakalueshme nga Prekali-Mali i Shoshit-Theth dhe në drejtimin tjetër Bogë-Qafa e Thores-Theth. Bashkia Shkodër ka vënë në punë mjete të subjekteve të kontraktuara për lirimin e rrugës në drejtimin Prekal-Mali i Shoshit-Theth. Eshtë bërë e mundur lirimi i rrugës nga Prekali-Kir-Mali i Shoshit-Gjeologji gjatë ditës së djeshme 06.01.2017. Ky segment rrugor është bërë i kalueshëm vetëm për mjete fuoristrada me zinxhirë”, thuhet në njoftimin e Bashkisë Shkodër.
Më tej, Bashkia bën të ditur se, po vazhdon puna në ketë segment rrugor edhe gjatë ditës së sotme me dy mjete fadroma, duke synuar lirimin e rrugës deri në Theth. Është siguruar për këtë segment rrugor kripe dhe skorie për t’u shpërndarë në vendet më të nevojshme të këtij segmenti. Ndërkohë në bashkëpunim me DPEC dhe mjete të ushtrisë është parashikuar të punohet në segmentin rrugor Qafa e Thorës-Theth. “Bashkia Shkodër ka vënë në dispozicion karburantin për furnizimin e mjeteve që do të punojnë në këtë segment, ndonëse nga ana jonë vlerësohet se mund të këtë rrezik për punonjësit për shkak të ortekëve të mundshëm në këtë segment. Deri në këtë moment, mjetet nuk kanë arritur ende në Qafën e Thorës. Prej 3 ditësh nuk ka energji në Nësinë Administrative Pult. Shkak i ndërprerjes është dëmtimi i linjës që furnizon NJA Pult nga Bregu i Lumit. Ndërkohë që një linjë alternative që furnizonte këtë njësi në dimër nga Prekali është dëmtuar prej disa kohësh dhe është lajmëruar ky fakt për strukturat përgjegjëse. Ka patur shkëputje të vazhdueshme të furnizimit me energji elektrike në NJA Shalë. Nuk ka shqetësim të paraqitur nga NJA Shosh.
Dëmtime të mundshme të banesave. Gjatë natës së kaluar në fshatin Theth ka pasur dëmtime në dy banesa dhe konkretisht në banesën e familjes Rrashkadoli dhe një banese tjetër dhe këto janë relatuar nga Administratori i NJA Shalë dhe Kryetari i fshatit Theth. Ndërkohë, sot datë 7 janar ka filluar puna për hapjen e aksit Bogë-Theth, në kushte ekstreme të motit, në temperaturë -15 gradë në orën 11:00, trashësia e borës është mbi 1 m dhe në disa vende mbi 1.5 m. Puna vazhdon”, përfundon njoftimin Bashkia Shkodër.

Librazhd, disa fshatra të izoluar dhe rrugë të bllokuara nga bora

Edhe në Librazhd situata vazhdon të jetë e rënduar nga bora dhe ngricat. Të bllokuara janë rrugët Polis Vilan-Sopot dhe Stravaj e Bardhaj të Rrajcës. Ndërkohë ka fshatra që kanë probleme me rrugët si në Gizavesh, të Njësisë Administrative Qendër të Bashkisë së Librazhdit dhe banorët ankoheshin për mungesën e kujdesit nga qeveria e pushteti vendor. Në mjaft fshatra ka mungesë të energjisë elektrike, bazës ushqimore të blegtorisë, etj. Pra, situata është krejt ndryshe nga sa paraqitet nga ana e pushteti vendor. Ndërkohë, kryetari PD-së, Bujar Vreto ngre shqetësimin për banorët e zonës dhe bën thirrje për një vëmendje ndaj komunitetit në nevojë.
Kryetari i degës së PD të Librazhdit, Bujar Vreto, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të PS, Taulant Balla, i cili është shprehur se “situata është në kontroll të plotë, akset janë hapur, energjia është stabilizuar, shërbimi shëndetësor është në gatishmëri, emergjencat po bëjnë detyrën”. Vreto thotë se, situata është nën kontroll, por jo të pushtetit që ka për detyrë të hapë rrugët, të stabilizojë energjinë, të ketë shërbimin shëndetësor në gatishmëri, por është nën kontrollin e dëborës dhe ngricave.
Dega e Partisë Demokratike Librazhd bën thirrje që Bashkitë dhe shtabet e tyre, por edhe emergjencat civile të qeverisë të ndërhyjne menjëherë të zhbllokojnë situatën e rëndë dhe të kthejnë normalitetin në zonat e bllokuara nga dëbora, si 1- Gurshpate-Vilan. 2- Urë e Lëpushës – Sopot. 3- Rrajcë Bardhaj. 4- Qarrishtë. 5- Stëblevë fshatrat e izoluar. 6- Kostenjë. 7- Gurakuq-Rinas. Drejtoria e OSHEE të marrë përgjegjësitë e veta dhe të kontrollojë situatën duke stabilizuar menjëherë energjinë në zonat e shumta ku mungon prej 2 apo 3 ditësh. Drejtoria e Shëndetit Publik të marrë përgjegjësitë dhe të urdhërojë punonjësit e vet të jenë pranë banorëve dhe të bëjnë detyrën. Emergjencat civile të dërgojnë menjeëherë paketa ushqimore për familjet e shumta në nevojë si dhe bazë ushqimore për bagëtitë. Drejtoritë e Pyjeve pranë bashkive të mundësojnë me urgjencë pajisjen me leje dhe banorët të furnizohen me dru, sepse shumë familje kishin mungesën e tyre dhe si rrjedhojë ju mungonte ngrohja.

R.POLISI

Artikulli paraprakGjermanisë i nevojiten 10 mijë mjekë dhe infermierë
Artikulli tjetërKryebashkiaku i Tropojës: Asnjë ndihmë nga qeveria