Shërbimi taksi, Tirana më e shtrenjta e rajonit

Keni planifikuar të vizitoni Ballkanin dhe shijoni bukuritë natyrore aq shumë të reklamuara në mediat e njohura botërore? Do të merrni taksi për të lëvizur në qytete? Kujdes! Taksitë në Shqipëri ofrojnë shërbimin më të shtrenjtë se në të gjithë rajonin.
Tirana qëndron në krye të listës së rajonit, për çmimin më të lartë të shërbimit të taksisë.
Referuar të dhënave të agjencisë Numbeo për vitin 2017, çmimi mesatar i shërbimit taksi për 1 km në kryeqytetin tonë kushton 1.87 euro.
E krahasuar me rajonin, pas Tiranës, vjen Prishtina me çmimin mesatar për 1 km 1.50 euro, ndjekur nga Beogradi me 1.23 euro, Sarajeva 1.02 euro, dhe i fundit në listë, me çmimin më të lirë Shkupi 0.65 euro.
Sakaq, edhe për pritjen e taksive për 1 orë, Tirana është më e shtrenjta. Të të presë taksia 1 orë, duhet të paguash 11.25 euro, ose përafërsisht 1500 lekë. Ndërsa fqinjët tanë taksistë janë më “zemërbutë”, ky shërbim kushton përkatësisht 3 euro në Kosovë, 4.21 euro në Serbi, 4.87 euro në Maqedoni dhe 5.12 euro në Bosnje dhe Hercegovinë.
Në Shqipëri vitet e fundit janë shtuar kompanitë që ofrojnë shërbimet taksi, kundrejt vetëm shërbimeve individuale që kanë ekzistuar dikur.

Nga një kërkim i thjeshtë në Google, të rezultojnë 6 kompani të tilla, pa hulumtuar ende më tej. Shërbimi taksi, ndonëse i shtrenjtë sikurse pohojnë një pjesë e mirë e banorëve të Tiranës, kërkohet më tepër. Arsyet kryesore lidhen me kërkesat për të lëvizur shpejt në një moment të caktuar si formë urgjence, për të shmangur trafikun me mjetin personal, mungesa e gjetjes së vendeve të parkimit, lëvizja e shpejtë në ditët me mot të ftohtë ose me shi etj. Një ndër alternativat e përdorura vitet e fundit në Tiranë është biçikleta. Sipas shifrave të INSTAT, eksportet e biçikletave dhe mjeteve jo motorike u rritën gjatë 2016-ës me 12%, pas dy viteve me rënie. Aktorët e tregut tregojnë se arsyet që shqiptarët po shkojnë drejt biçikletës janë: ekonomia, trafiku i rënduar dhe vështirësia për të gjetur një vend parkimi në kryeqytet.
Renditja Shtetet Nisja çmimi (euro) Taksi për 1 km Pritja për 1 orë
74 Maqedonia 0.65 0.41 4.87
59 Bosnja e Hercegovina 1.02 0.51 5.12
55 Serbia 1.23 0.55 4.21
45 Kosova 1.50 0.50 3
41 Shqipëria 1.87 1.87 11.25

Exit mobile version