Sherefedin Shehu, rikthim në dinjitet i Dibrës

Kjo është e diela e fundit e Sherefedin Shehut në Tiranë. Të paktën deri më 11 shtator, kur dibranët do të vendosin për ta mbajtur ose jo deputetin demokrat si kryebashkiak të Dibrës. Surprizimi i momentit kur i kanë propozuar kandidimin ka kaluar, ndërsa tani ai po mendon vetëm për javët e fushatës në Dibër.
“Dibranëve, në radhë të parë do t’u premtoj ato mundësi që kam unë”, ka thënë Shehu. Ish-zëvendësministri i Financave, që dikur hartonte buxhete kombëtare, tani ka ndërmend të fokusohet vetëm te buxheti i Dibrës, me një qëllim të vetëm.
“Po të ketë pak më shumë vëmendje, po të punohet pak më shumë, dibranët nuk presin që t’i ushqejë qeveria, por të krijojnë kushte që ata të punojnë. Kështu që edhe unë, logon time po e riformuloj në Rikthim në Dibër”, shtoi më tej Shehu.
Me rikthimin në Dibër, ai gjen edhe një imazh të cenuar të burrave me pushtet, për shkak të kryebashkiakut të shkarkuar Shukri Xhelili. Por Sherefedin Shehu thotë se ky nuk është aspak rasti i tij.
“Nuk bëhet fjalë për ndershmëri, sepse unë tashmë jam në mbyllje të karrierës dhe e kam fituar popullaritetin tim. Publiku e njeh figurën time dhe nuk besoj se kjo vihet në dyshim”, theksoi kandidati demokrat për Dibrën.
Për qeverinë e Kryeministrit Rama thotë se nuk ka mbajtur asnjë premtim në Dibër dhe këtë e sheh si avantazh në fushatë.
Por, me qeverinë ai lidh edhe rrezikun e vetëm të fitores së tij.
“Kjo qeveri ka demonstruar se përdor presionin, paratë dhe të gjitha mjetet joligjore për të fituar mandatin. Kështu që këtë e shikoj si rrezikun e vetëm të zgjedhjeve apo të fitores së kandidaturës sime”, u shpreh Sherefedin Shehu.
Një vit më parë në zgjedhje, demokratët dolën të përçarë me 3 kandidatë për Dibrën, por Sherefedin Shehu beson se situata ka ndryshuar, edhe pse dega lokale atje është ende në ristrukturim.
“E gjithë Partia Demokratike do të jetë në Dibër, kështu që nuk do të ndjehet kjo. Ky është një proces dhe pavarësisht se mund të ketë ndonjë individ që nuk më mbështet me zemër, besoj se do të më mbështesë për hir të Partisë Demokratike për të dhënë sinjalin që PD-ja duhet të vijë në pushtet për të mirën e shqiptarëve”, përfundon Shehu.
Sherefedin Shehu, kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Dibrës shprehet se e sheh veten në avantazh për fitore në zgjedhjet e pjesshme përballë kandidatit të mazhorancës. “Me Muharrem Ramën nuk kam njohje personale, kam informacione dhe opinione dhe personalisht nuk e shoh si person me mangësira. Por për karrierën që kam dhe disponoj jam i avantazhuar, shpresoj që zoti Rama nuk do e marrë me forcë e dhunë fitoren”, u shpreh Shehu në një intervistë televizive. Shehu më tej bëri një panoramim të karrierës së tij si politikan dhe zyrtar. “Pjesa që ka të bëjë me paratë, kjo më sjell në avantazh. Unë do i garantoj qytetarët që ato para që janë në dispozicion të Bashkisë do të përdoren në eficencë maksimale. Unë kam qenë menaxher i buxhetit të shtetit dhe menaxhimi i buxhetit të një Bashkie do të jetë dhe më i lehtë. Në fokus do të jenë shërbimet administrative, por prioritet do të kenë shërbimet për qytetarët. Këtu kam garantimin e pastrimit të qytetit dhe garantimin e furnizimit me ujë të pijshëm, probleme që vrasin përditë dibranët. Për këto fondet janë të dhëna nga buxheti i shtetit dhe pjesërisht me tarifat lokale që aplikohen për shërbimet publike”. Shehu bën me dije se mandatimin e tij për të fituar këtë post e sheh si përgjegjësi jo vetëm ndaj dibranëve, por dhe ndaj partisë. “Gjithçka në Dibër do të fillojë aty ku e ka lënë PD, në vitin 2013. PD jepte subvencione për fermerin. Mandatin e lënë përgjysmë, e shoh si përgjegjësi politike. Nuk hezitoj ta lë karrierën e deputetit sepse unë kam një karrierë të gjatë dhe nuk e quaj sakrificë lënien e mandatit, por e quaj detyrim ndaj dibranëve dhe mundësi për të shpërblyer besimin që më kanë dhënë qytetarët e Dibrës dhe partia”.

Exit mobile version