Mjafton një humbje dhe te Bayern rikthehen polemikat, me presionin që është rritur ndjeshëm pas disfatës së javës së shkuar në Leverkusen.
Ish-futbollisti i Bayern-it, Dietmar Hamann, tashmë ekspert në televizion, deklaroi në Sky Sport: “Mendoj se Lewandowski do të jetë një problem për Bayern-in. Sjellja e tij teatrale, pasiviteti, qëndrimi pa pikë interesi në fushë në momente të caktuara, të gjitha këto më bëjnë të mendoj se ai është një ‘ujk i vetmuar’, i izoluar nga pjesa tjetër e ekipit”.
Fjalë të forta, që nuk mund të mos krijonin debate, ndërkohë që tani ka reaguar edhe vetë sulmuesi polak.
“Nuk më intereson çfarë thonë të tjerët. Sidomos kur janë komente idiote”, tha Lewandowski për ESPN, pas kualifikimit për në çerekfinalet e Kupës së Gjermanisë, në Berlin ndaj Hertha-s.
“Mendoj se Hamann nuk merr vesh shumë nga taktikat”, shtoi ylli i Bayern-it, dukshëm i nervozuar.
Edhe këshilltari i Lewandowski-t, Maik Barthel, iu përgjigj Hamann-it: “Sulme të tilla si ai i Hamann nuk janë normalë. Nëse ai e sheh problemin te Lewandowski, do të thotë që nuk e ka idenë nga taktika. Ndoshta nuk e ka parë fare atë ndeshje…”.