Sherri me thikë në oborrin e shkollës në Fier, banorët e zonës: Nuk është hera e parë që ndodh, aty nxënësit kanë rrahur edhe mësuesin

Banorët e fshatit Çakran të Fierit shprehen të shqetësuar për sherrin e dhunshëm që ndodhi sot në oborrin e gjimnazit të fshatit në Fier.

Dy nxënës u konfliktuan dhunshëm në oborr, ku njëri prej tyre plagosi me thikë bashkëmoshatarin. Për pasojë i plagosuri është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa tjetri në komisariat.

Dyshohet se dy nxënësit ishin konfliktuar një natë më parë në rrjetin social Snapchat.

Por banorët thonë se kjo nuk ishte hera e parë që në shkollë ndodhin këto raste, ndërsa thanë se ka ndodhur edhe që nxënësit të dhunojnë mësuesin.

“Duhet të merren masa. Duhet të ketë polici aty. Më kryesorja që është për ne si popull, institucioni i parë është parlamenti që i bën ata të dhunshëm që në momentin e parë që i mbajmë në prehër, që lindin.

Nuk është hera e parë, është hera e tretë e katërt. Nuk janë bërë publike se janë njerëz të partisë. Drejtoresha aty është partiake. Aty dhe mësuesi, nxënësit janë bërë bashkë 3, 4 dhe kanë rrahur mësuesin. Kemi frikë për sigurinë e fëmijëve në shkollë.

Unë gëzoj që dy çunat dhe çupa kanë ikur janë në gjermani, sepse atje janë të sigurt, ndërsa këtu nuk ke siguri. Nga një anë më bën helm se po rri vetëm bashkë me gruan, por atje janë të sigurt”, tha një nga banorët e fshatit Çakran.

Exit mobile version