NGA URAN BUTKA
Sabiha Kasimati, një nga gratë e shquara të Shqipërisë, vjen nga një familje e njohur intelektuale libohovite. I ati i saj, Abdurrahman Kasimati, i kishte kryer studimet universitare për mjekësi në Turqi, ku punoi si mjek dhe jetoi me gjithë familje deri në vitin 1927.
Në këtë vit u kthye në Shqipëri, ku fillimisht u vendos në Korçë, mandej në Elbasan, ku shërbeu si mjek dhe gëzoi respektin dhe mirënjohjen e qytetarëve, por edhe vlerësimin e miqësinë e personaliteteve të këtij qyteti: Aqif pashë Elbasanit, Lef Nosit, Visarion Xhuvanit, Ethem Haxhiademit, Sotir Paparistos e të tjerë.
Sabiha Kasimati lindi në Edërne (Adrianopojë) të Turqisë më 15.09.1912. Atje kaloi fëmijërinë, e ushqyer nga prindër me dashuri për Shqipërinë, por edhe për kulturën evropiane. Ndaj, kur u kthye familja në atdhe, ajo u vendos tek i vëllai në qytetin e Korçës, ku filloi studimet në Liceun Francez të këtij qyteti. Ajo qe e para femër që e mbaroi këtë shkollë perëndimore, në vitin 1930. Qysh nxënëse, ajo zotëronte disa gjuhë të Perëndimit dhe të Lindjes, në mënyrë të shkëlqyer frëngjishten, aq sa habiste edhe profesorët francezë të Liceut.
Vajzat korçare, por edhe qytetarët e Korçës e kujtojnë edhe sot Sabihanë si dallëndyshen e parë të Liceut, si çupën e emancipuar, të kulturuar dhe me temperament burrëror, që mbeti si një shëmbëlltyrë e pashlyer për vajzërinë dhe djelmërinë shqiptare.
Mbas mbarimit të Liceut të Korçës, ajo punoi disa kohë në si mësuese në shkollën normale femërore të Korçës, duke dhënë lëndët ” Edukatë morale ” dhe ” Frëngjisht “. Më vonë u transferua si pedagoge në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë, ku jepte biologji.
Në vitin 1936 mundi të plotësonte dëshirën e zjarrtë për studime të larta. Shteti shqiptar i akordoi bursë studimi në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, të cilin e përfundoi me sukses me notat 30’/30′, me lavdërim ( trenta su trenta con lode). Në verën e vitit 1941, mbrojti edhe doktoraturën. Katedra i ofroi vendin e asistentes në ihtiologjinë fluviale, por ajo nuk pranoi dhe u kthye në atdhe.
Në Shqipëri punoi me entusiazmin e një vajze të re e të kulturuar, por edhe me vullnetin e një shkencëtareje të re që kërkonte t’i shërbente vendit të saj në nevojë. U emërua pedagoge në Institutin Femëror “Nëna Mbretneshë” në Tiranë. Mbas disa vjetësh pune me pasion, u detyrua të shkonte në Itali për kura shëndetsore në një sanatorium të Torinos. Pas shërimit, aty nga viti 1945, u kthye në atdhe. Tek kthehej nga Italia, në aeroport takoi Ali Koprenckën që vinte nga Shqipëria. Ai i tha: “Si vete në Shqipëri? Nuk e di se ç’po bëhet atje, hataja po bëhet! Ne, andaj po ikim. Po vendoset diktatura e kuqe”.
Sabihaja iu përgjigj: “Atje janë gjithë shokët e shoqet dhe bashkërisht do të përpiqemi që ajo gjë të mos bëhet dhe Shqipëria të përparojë”.
Nisi punën në Institutin e Shkencave, siç quhej atëherë bërthama e parë shkencore, që drejtohej nga prof. Selaudin Toto.
Sabihaja punoi me zell dhe përkushtim në specialitetin e ihtiologjisë (disiplinë shkencore që studion peshqit). Për rezultatet e saj për studimin e peshqve në ujërat e vendit tonë, si edhe për vlerën ushqimore dhe ekonomike të tyre, ajo punoi 10 vjet me radhë.
Dr. Namik Kasimati, nipi i Sabihasë, kujton: “Sabihaja si ihtiologe përfundoi në vitin 1948 një studim shkencor mbi peshqit në ujërat shqiptare. E entuziazmuar, shkoi në Durrës dhe i tha shoqes së saj, Durie Hulusi, se: ‘Jam e gëzuar që mbarova një studim mbi peshqit që do t’i shërbejë jo vetëm Shqipërisë, por edhe shteteve të tjerë që janë në kufi me Shqipërinë’”.
Sipas prof. Uran Asllanit, “Dr. Sabiha Kasimati ishte emëruar shefe e Sektorit të Zoologjisë, por u mor vetëm me ihtologji. Atë fushë e kishte hulumtuar që nga koha e studimeve universitare, ndaj kur u kthye, hulumtoi, gjurmoi e studioi gjithë faunën ihtiologjike detare dhe liqenore të ujrave shqiptare. Gjatë dhjetë vitesh kërkimesh, ajo arriti të evidentonte gjithë faunën ujore shqiptare, bëri klasifikimin në taksonominë ihtiologjike në klasa, gjini, lloje e nënlloje peshqish, përcaktoi zonat e përhapjeve të llojeve më të rëndësishme të peshqve, ciklet biologjike të tyre etj. Mbas një pune voluminoze për plotsimin e mijëra skedave, koleksioneve të monstrave të grumbulluar në dhjetëra ekspedita, duke filluar nga liqeni i Butrintit e deri te liqenjtë e Lurës, nga liqeni i Prespës e deri në detrat Adriatik e Jon si edhe në lumenjtë e rëndësishëm, duke regjistruar e përpunuar edhe mijëra referenca bibliografike e fotografi, Sabihaja asokohe kishte bërë të gatshme monografinë voluminoze ‘Peshqit e Shqipërisë’. Por, nuk ishte e thënë që atë monografi shkencore ta botonte autorja e vërtetë. Në vitin 1955, kur në Shqipëri ende nuk ishte botuar as ‘Flora e Shqipërisë’ dhe as ‘Shpendët e Shqipërisë’ për të cilat punonin prej vitesh një numër shkencëtarësh, botohet vepra e dr. Sabiha Kasimatit, natyrisht jo me emrin e saj, por me emrat e rusit Anatoli Poljakov dhe të dy fillestarëve në këtë lëmë Ndoc Filipit dhe Ndoc Rakajt”.
Sabihaja ishte një intelektuale e kompletuar, që kishte studiuar në Perëndim, një filozofe dhe biologe që e njihte mirë thelbin dhe shfaqjen e panatyrshme e çnjerëzore të sistemit totalitar komunist, i cili po vendosej në Shqipëri. Ajo u dëshpërua thellësisht nga goditjet e rënda që po u jepeshin intelektualëve të vendit, veçanërisht atyre që kishin studiuar në Perëndim, mjaft nga të cilët ishin kolegët e saj. Gjyqet ushtar ake dënonin me pushkatime dhe burgime të rënda elitën shqiptare. Ajo u trondit veçanërisht nga pushkatimi i drejtorit të saj, shkencëtarit Selaudin Toto, si edhe i intelektualëve opozitarë Gjergj Kokoshi, Suad Asllani, Sulo Klosi, Shefqet Beja, prof. Stanislav Zuberit etj., veçanërisht nga dënimi i shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari. Kështu, Sabihaja filloi të shprehte pakënaqësinë për regjimin dhe për Enver Hoxhën, shokun e saj të klasës në Liceun e Korçës.
Këto pakënaqësi të saj, si edhe prejardhja nga një familje e madhe, tërësisht intelektuale dhe demokratike, bënë që emri i Sabihasë të futej në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit si “kundërshtare e regjimit”.
Dr. Namik Kasimati, rrëfen: “Duke qenë se Sabihaja kishte mbaruar Liceun Francez bashkë me Enver Hoxhën dhe e njihte mirë, i kërkoi një takim.
Sabihaja: Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët?
Enveri: Boll lexove iluministët francezë, të këshilloj të lexosh Marksin dhe Leninin. Pas dy ditësh, Nako Spiru, të cilin Sabihaja e kishte shok, e thirri Sabihanë për një kafe dhe në bisedë e sipër i tha: ‘Sabiha, duhet ta qepësh gojën, jo me karficë, por me babushkë’.
Këto biseda Sabihaja ia kallëzoi të vallait, dr. Hivzi Kasimatit, babait tim, që banonte në Korçë dhe me të cilin Sabihaja takohej shpesh”.
Sabihaja ishte e çiltër, e shkujdesur dhe nuk mendonte se i ishte qepur pas vdekja. Ajo kishte kurajon t’ia përplaste të vërtetën në sy Enver Hoxhës, por nga ana tjetër, të takonte pa droje edhe shoqet, shokët e miqtë që ishin goditur pa të drejtë nga diktatura. Një herë, ajo shkoi në kampin e internimit në Jubë, ku punonin si të burgosur shokët e saj Tika Tezha, Felatun Vila etj. Mirëpo, Tika i tha: “Sabi, mos shkel më këtu, sepse je në rrezik. Ne e dimë se ç’ka hequr kurrizi ynë që të detyroheshim të depononim kundër teje, në mënyrë që edhe ti të hyje në burg”. Inxhinier Viktor Kasimati, i biri i Refiut, kujton: “Një ditë, aty nga fundi i vitit 1948, Sabihaja ndodhej në shtëpinë tonë. Im atë u vonua pak atë ditë se kishin pasur një mbledhje me rëndësi në shkollën Politeknike, ku punonte si pedagog. Ishte koha kur PKSH kishte dënuar Koçi Xoxen dhe grupin e tij, duke ia ngarkuar atij të gjitha krimet që kishte bërë pushteti komunist mbi shqiptarët, sidomos mbi elitën intelektuale.
Im atë i tregoi Sabihasë kur po hanim drekën: ‘Na foli një personalitet komunist, Tuk Jakova, i cili na tha që janë kryer shumë shkelje të ligjeve dhe janë dënuar shumë njerës pa faj. Por, në të ardhmen nuk do të ndodhin më gjëra të tilla’.
Sabihaja e dëgjoi me vëmendje dhe ia ktheu aty për aty:
‘Refi, mos i beso këto! Kjo është taktika e tyre, shtrëngo, liro pak dhe prapë shtrëngo më fort se më parë për të mbajtur pushtetin. Mbaje mend që pas pak kohe, do të rifillojnë përsëri terrorin’”.
Në fakt, rifillimi i terrorit masiv në vitin 1951 mori edhe kokën e Sabihasë.
Sabihaja u arrestua më 20.2.1951. Ajo bënte pjesë na listën e Sektorit të Dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, të përpiluar nga kapiten Rasim Dedja. Përbri emrit të saj ishte vënë një kryq, që do të thoshte se ajo do të pushkatohej. Perpilues i listave të zeza, rrëfën:
“Vlerësimi për personat që do të pushkatoheshin dhe që janë pushkatuar në fakt, është bërë direkt nga udhëheqja e Ministrisë, që në atë kohë ka qenë Mehmet Shehu me dy zëvendësministrat e tij, Kadri Hazbiu dhe Mihallaq Ziçishti. Them për këta të fundit, se këta mbulonin Sigurimin”. Mehmet Shehu ishte ministër i Brendshëm, direkt i interesuar për ngjarjen. Ai propozoi në mbledhjen e Byrosë Politike që të pushkatoheshin pa gjyq 10-15 persona dhe byroja ia miratoi, pra, i kishte duart e lira. Por, jo pa komandantin. Pa miratimin e diktatorit nuk bëhej asgjë. Enver Hoxha ia miratoi të gjitha veprimet dhe emrat e viktimave, që kishte përzgjedhur. Por, Enveri shtoi nga ana e tij emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Manush Peshkëpisë, Qemal Kasoruhos, të cilët ishin nga treva e Gjirokastrës dhe ai i njihte personalisht. Bie fjala, emri i Reiz Selfos nuk ishte në asnjë nga listat. Dikur, Reiz Selfo kishte pasur kurajon t’ia përplaste të vërtetën në fytyrë E. Hoxhës, i cili u hakmor ndaj tij, ashtu siç u hakmor ndaj Sabiha Kasimatit, e cila i kishte thënë ish-shokut të klasës: “Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët”.
Kryqet i kishin vënë udhëheqsit e lartë të partisë e shtetit. Për pushkatimin e saj dhe njëzet e dy intelektualëve të tjerë kishte vendosur Byroja Politike e KQ të PPSH, me vendimin e datës 20 shkurt 1951. Nuk ka shëmbull në gjithë vendet e Lindjes komuniste, që të vendoste për të vrarë njerëz Byroja Politike, madje, pa gjyq dhe duke shkelur edhe ligjet e asaj kohe! Ajo nuk e pranoi akuzën për akte terroriste, për pjesëmarrje në organizata terroriste, për vënie në shërbim të agjenturave të huaja, por pranoi me burrëri se, si intelektuale, ishte kundër pushtetit totalitar dhe ideologjisë së tij komuniste: “Kam qenë kundër pushtetit popullor, sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit se me akte revoluvionare të arrihej në socializëm. Jam lidhur me një grup shokësh, të cilët edhe ata kanë qenë armiq të Partisë Komuniste…”
Sabihaja ishte një demokrate e vërtetë evropiane. Zonja Didi Biçaku, nga familja e Aqif pashë Elbasanit, e cila u arrestua në një kohë me Sabihanë dhe qëndroi në një birucë me të në burg, ka dëshmuar: “Më kujtohet çasti kur Sabihaja u kthye nga hetuesia. Ishte e qetë. Hë? – e pyeta shkurt. – Më akuzuan si terroriste, m’u përgjigj. U thashë: Unë kam studiuar për biologji dhe jam evolucioniste. Evolucioni është në natyrën e gjërave. Me dhunë nuk shkohet dot as në socializëm, as në demokraci, shkohet drejt shkatërrimit”.
E vranë pa gjyq intelektualen, pedagogen, shkencëtaren, demokraten e shquar, martiren Sabiha Kasimati! Në mesnatën e datës 26 shkurt 1951, të lidhur me tela me gjemba, bashkë me 21 burra nga e gjithë Shqipëria, i pushkatuan dhe i hodhën në një gropë të përbashkët, pranë Urës së Beshirit. Fshatarët kanë dëgjuar britmat e saj, deri sa dha shpirt. Eshtrat e saj sot prehen në varrezat e dëshmorëve të kombit, në një varr të përbashkët me 22 martirët e pushkatuar atë natë të përgjakshme.
Xha Kadriu nga Mëniku, rëfen: “Më vonë, kur ai vend, ku u pushkatuan, filloi të shpyllëzohej, një traktoristi që po punonte aty, i ra të fikët tek pa që traktori tërhiqte zvarrë një kufomë gruaje, të cilën e mbuluan përsëri. Ishte trupi i patretur ende i Sabiha Kasimatit”. Po shpirti i saj, vepra e saj, fryma e saj jeton, sepse është brenda nesh, brenda shpirtit të kombit, ndaj është e pavdekshme.
Dosja e Sigurimit, raporti i bashkëpunëtorit “Prurësja” dhe “mëkatet” e Kasimatit
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujtoi dje, biologen dhe shkencëtaren e mirënjohur shqiptare, Sabiha Kasimati (15 shtator 1912 – 26 shkurt 1951). Sabiha Kasimati lindi më datë 15 shtator 1912, në qytetin e Edirnesë, në Turqi.
Me kthimin e familjes në Shqipëri, ajo u shkollua në Liceun Francez të Korçës, dhe në sajë të rezultateve të mira, iu akordua nga shteti një bursë në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike. Sabiha Kasimati përfundoi studimet doktorale në vitin 1941 me rezultate maksimale në fushën e iktiologjisë. Po atë vit u kthye në Shqipëri për të dhënë kontributin në shkencë dhe në arsim.
Në vitin 1943, vendoset si punonjëse shkencore në bërthamën e parë akademike me emrin Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare. Por, për shkak të problemeve shëndetësore, ajo do të shkonte në Itali për kurim, nga ku do të kthehej në vitin 1945. Me vendosjen e diktaturës, fillimisht u punësua pranë Institutit të Shkencave, ku iu përkushtua sërish fushës së iktiologjisë. Në vitin 1948, përfundoi studimin mbi peshqit në ujërat shqiptare. Por ky studim do të botohej në vitin 1955 nën emrin e rusit Anatoli Poljakov dhe dy fillestarëve në fushën e iktiologjisë, Ndoc Rakaj dhe Ndoc Filipi. Duke parë zhvillimet politike në vend, Sabiha Kasimati shfaqi pakënaqësitë e saj mbi qeverisjen e shtetit komunist.
Për këtë arsye ajo filloi të përndiqej nga Sigurimi i Shtetit. Emri i saj u lidh me shpërthimin në Ambasadën Sovjetike dhe u akuzua për pjesëmarrje në organizata terroriste e bashkëpunim me agjentura të huaja, akuza të cilat ajo nuk do t’i pranonte asnjëherë. Pak ditë pas ngjarjes në ambasadë, u pushkatua më 26 shkurt 1951 së bashku me 21 intelektualë të tjerë. Në vitin 2011, vit i cili përkoi me 60-vjetorin e vrasjes së saj, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, e nderoi Sabiha Kasimatin me titullin “Nderi i Kombit”. Muzeu “Shtëpia me gjethe” kujton se, në Shqipëri, gjatë periudhës së diktaturës (me një popullsi prej një milion banorësh më 1945 dhe prej 3 milionësh afërsisht më 1990) janë burgosur për motive politike rreth 18000 vetë, nga të cilët gati 8000 gra. Janë ekzekutuar me ose pa gjyq për motive politike mbi 6000 vetë, nga të cilët 450 gra.
DOSJA
Më 19 shkurt 1951, ndodhi një shpërthim në ambasadën e ish-Bashkimit Sovjetik në Tiranë. Vendosja e “bombës” në legatën sovjetike do të konsiderohej si sulm terrorist ndaj regjimit dhe do të përdorej si pretekst për fillimin e një spastrimi ndaj “armiqve të popullit”. Nga sulmi nuk kishte asnjë të plagosur, por autoritetet shqiptare të asaj kohe si fajtorë konsideruan një grup prej 22 intelektualësh të rinj që punonin asokohe në Tiranë, duke përfshirë këtu edhe Sabiha Kasimatin (e vetmja grua). Pavarësisht nga mungesa e çdo prove, Sabihaja u arrestua nga Sigurimi më 20 shkurt 1951. Në dosjen hetimore të Sabihasë i numëroheshin disa “mëkate”: “Gjatë okupacionit ka pasur marrëdhënie me element fashistë, mban qërndrim armiqësor ndaj pushtetit, flet kundër reformave dhe mban kontakte me elementë armiq… Ka pasur kontakt me deputetin anglez, Lester Hutchiston. Ka mbajtur kontakte me njerëz të misionit anglez… dhe me J.S.Payne me të cilin ka pasur lidhje të ngushta. Armike e betuar e pushtetit të sotëm. Ka urrejtje karshi tij e sidomos karshi komunistëve, kritikon moralin komunist, etj.”.
Të dhëna të drejtpërdrejta për kohën dhe nivelin e survejimit nuk ka, përderisa nuk ekziston një dosje hetimore. Sipas ish-drejtorit të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kastriot Dervishit, dosjet e sigurimit për të gjitha ata që u ekzekutuan më 22 shkurt 1951, nën akuzën e bombës në Legatën Sovjetike janë eliminuar. Disa informacione në lidhje me survejimin e Sabihasë janë gjetur nëpërmjet dosjes formula të Çabejt. Në raportin e bashkëpunëtorit “Prurësja”, datë 20 prill 1950, bëhet me dije se S. Kasimati kishte thënë: “është interesante të kesh gjith numurat e gazetave që përmbajnë diskutimet se sa raportin e Komandantit. Kush i humb kohën kot, kurse në diskutimet mund të gjesh gjëra interesante”. Më 25 shkurt 1951 gjykata i dënoi që të gjithë me vdekje. Dënimi u ekzekutua natën e 26-27 shkurtit 1951 në afërsi të fshatit Mënik, disa kilometra në perëndim të Tiranës. Trupat u varrosën në një varr të cekët në fushën prapa. 40 vite pas vdekjes, ndërsa regjimi që e dënoi po shkërmoqej, një vendim i Gjykatës së Lartë e shpalli të pafajshme.
STUDIMET
Në verën e 1936-s, Sabiha Kasimatit iu akordua një bursë shtetërore për studime në Itali, ku ajo u regjistrua për të studiuar në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Universitetin e Torinos Sabihaja u diplomua në vitin 1940 me rezultat maksimal, me notat 30’/30′ (trenta su trenta con lode). Kasimati zgjodhi si fushë specializimi iktiologjinë dhe u doktorua me temën Fauna ittica di acqua dolce d’Albania (“Fauna iktike në ujërat e ëmbla në Shqipëri”). Udhëheqja e universitetit i ofroi asaj pozicionin e asistentit në degën e iktiologjisë, por propozimin e tyre ajo nuk e pranoi dhe u kthye në Shqipëri. Me kthimin në Shqipëri më 13 nëntor 1940, Sabihaja nisi punë në Institutin Pedagogjik Femëror “Donika Kastrioti”, pasi fitoi konkursin e zhviluar.
Ajo u emërua ndihmëssekretare në grupin A (grada XI) të personelit të administratës arsimore dhe më 24 korrik 1941 filloi punë, Në 1 dhjetor 1942 u bë pjesë e trupit mësimor të institutit “Nana e Skënderbeut” si mësuese e shkencave dhe e kimisë. Në maj të 1943-shit, Sabihaja u largua nga mësimdhënia për shkaqe shëndetësore, pasi vuante nga tuberkulozi. Ajo vajti të kurohej në sanatoriumin antituberkular në Bolzano në Itali, prej ku u kthye më 1945-n. Gjatë kohës që punonte si mësuese në institut, ajo pati një bashkëbisedim me Koliqin, kryetar i Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare. Pas bashkëbisedimit i dërgoi një letër/raport këtij të fundit, ku i paraqiste një projekt të mirëfilltë shkencor me disa pika.
Marrëdhëniet e Kasimatit me institucionet shkencore në Shqipëri nisin në janar të vitit 1943. Ajo kërkoi të ngrihej pranë Institutit të Studimeve Mbretërore: një koleksion zoologjik duke filluar me Iktiologjinë, fushë për të cilën kishte studiuar në Itali vitin e dytë të studimeve dhe kishte mbrojtur temën e diplomës, një “erbario pasi flora shqiptare ka ngjallur interesim të botanistëve të shquar europianë, sidomos atyre gjermanë”, të vendosej një bashkëpunim i ngushtë me drejtorinë e minierave, për të bërë një grumbullim të mineraleve dhe fosileve që gjendeshin në shtresat e tokës në Shqipëri. Për realizimin e projektit nevojitej krijimi i një biblioteke të posaçme me vepra shkencore, bibliografinë e së cilës ajo e kishte përgatitur tashmë. Krahas bibliotekës, Kasimati propozonte edhe ngritjen e një laboratori studimesh mikroskopike që do të mundësonte kërkime shkencore relative. Në mbledhjen e 18 shkurtit 1943 Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare vendosi të krijojë pranë institutit një muze të shkencave për përgatitjen e të cilit ngarkoi pikërisht atë. Sabihaja lidhi kontratë si punonjëse pranë institutit në 22 shkurt, duke marrë shpërblimin prej 200 frangash. Nisi bashkëpunimin me Selahydin Toto, me qëllim të organizimit të Institutit të Shkencave në Tiranë. U emërtua specialiste zoologe, e specializuar në iktiologji.
KOMUNIZMI
Sabihaja e vijoi kërkimin shkencor edhe gjatë viteve të para të regjimit komunist. Në mbledhjen e Institutit të Studimeve gjatë 13 prillit 1946, Sabihaja mori pjesë së bashku me figura të tjera të shquara akademike sikurse ishin: Kostaq Cipo, Mark Ndoja, Selahydin Toto, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Gjergj Komnino, Gjergj Ashta, Jonus Tafilaj, Hasan Ceka dhe Nikolla Lako. Mbledhja u drejtua nga Sejfulla Malëshova, ministri i Arsimit. Mbledhja kishte për qëllim analizimin e veprimtarisë së kryer gjatë vitit 1945, prezantimin e planit të ri të punës dhe paraqiti ekipin e ri që do të drejtonte Institutin e Studimeve. Sipas procesverbalit të mbledhjes, nga viti 1945 deri më 1946, Sabiha Kasimati punoi së bashku me Gjergj Komninon, në grupin e drejtuar nga Eqrem Çabej, për përgatitjen e skedave të gjuhës shqipe, për terminologjinë e shkencave të natyrës.
Më 28 janar të vitit 1947, Këshilli i Ministrave me vendimin numër 16, vendosi “riorganizimin e Institutit të Studimeve Shqiptare në një ent autonom të lidhur drejtë për së drejti me Këshillin Ministror”. Instituti do të funksiononte me një rregullore të përkohshme. Përgjatë vitit 1947 anëtarë të Institutit ishin vetëm 23 pjesëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të tij, pjesë e së cilës nuk ishte Kasimati. Në qershor të 1948- s, mbledhja e radhës e asamblesë së institutit të studimeve, krahas ndryshimit të emrit në Institut të Shkencave, propozoi anëtarë dhe bashkëpunëtorë të rinj, në radhët e të cilëve ishte edhe Kasimati. Gjatë vitit 1950, në listën e “anëtarëve të rregullt” të institutit nuk figuronte emri i Sabihasë.
FAMILJA
Sabiha Kasimati u lind më 15 shtator 1912 dhe ishte bija e dytë e doktor Abdurrahman Kasimati (1865-1943) nga Libohova dhe të shoqes Zehra Mbreshtani, të vendosur në rrethin e Edirnesë që pas shpalljes së kushtetutës më 1908. Pas një viti, familja u zhvendos në Shkodër ku i ati, doktor i njohur, shërbeu në vitet 1914 – 1915. Në vitet e Luftës së Parë Botërore, familja u vendos në pronat e veta në Verie, pranë Selanikut.
Pas shkëmbimeve të popullsive mes Greqisë dhe Turqisë, familja u kthye në Shqipëri duke rrezikuar edhe pronat e veta. Në 1927-n, së bashku me familjen e saj u vendosën në Korçë ku familja u rehatua dhe fëmijët vijuan shkollimin, Sabihaja me motrat frekuentuan liceun francez, të cilin e përfundoi në 1931- shin, duke qenë vajza e parë që kreu atë lice. Sabihaja do të renditej e dyta në klasë për rezultatet e saj. Në provimet e vitit të fundit ajo vlerësohej me 269.4 pikë nga 352 pikët maksimale dhe vlerësohet me “As Bien”. Pas mbarimit të liceut, punoi si mësuese në Normalen Femërore të Korçës, ku dha edukatë morale dhe gjuhë frënge. Në 1932-shin u emërua në shkollën amerikane të Kavajës (1932-1933) ku jepte biologji. Sabihaja u rikthye sërish në lice, në 3 tetor 1933, por tashmë si mësuese në klasat e ulëta të tij. Pas dy muajsh, qëndrimi në Korçë, Sabihaja dha dorëheqjen për shkaqe shëndetësore. Ajo u transferua nga Ministria e Arsimit pranë Institutit “Nana Mbretneshë”. Aty Sabihaja punoi si mësuese e gjuhës frënge.