Nga Vincent W.J. van Gerven Oe
Gjatë fushatës elektorale të vitit 2015, gënjeshtari patologjik – të më ndjeni, trashëgimtari i fronit “socialist” dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj premtoi që do t’i jepte fund “betonizimit” të Tiranës dhe në veçanti të Parkut të Liqenit, i cili ishte pre e shpyllëzimit të paligjshëm gjatë mandatit të Lulzim Bashës (udhëheqësit të sotëm të opozitës) për t’i hapur vend për ndërtim përballë Fakultetit të Ekonomisë, një “kompleksi multifunksional” të projektuar nga firma arkitekturore gjermane “Bolles+Wilson” (që, së fundmi, doli pa u lagur nga shpërfytyrimi që i bëri peizazhit qiellor të Korçës). Në mënyrë ironike, kjo është e njëjta firmë që është përgjegjëse për projektimin e të ashtuquajturit “këndi i lojërave” në Parkun e Liqenit, ku po bëhet e qartë se atje do të ketë çdo gjë me përjashtim të lojës.
Edhe pse Ministria e Mjedisit deklaroi se Bashkia e Tiranës nuk ka një leje mjedisore për të nisur punimet në këtë zonë, punimet shkatërruese në Parkun e Liqenit vazhdojnë me ritme të shfrenuara, ndërsa qytetarë të shqetësuar dhe aktivistë mjedisorë vazhdojnë të grumbullohen për të protestuar dhe solidarizuar.
Është e qartë se ndërtimi i Parkut të Liqenit është një dështim spektakolar në marrëdhëniet publike dhe kandidatët e ardhshëm për pozicionin e Veliajt do ta përdorin, padyshim, rikthimin e parkut në gjendjen e mëparshme si një thirrje për të mbledhur mbështetës.
Dhe ja ku u njoftuam për një plan tjetër ambicioz, kthimin në identitet të Sheshit “Skënderbej”. Ky plan po që është një thesar i vjetër.
Veliaj nuk do të ishte kryetar i vërtetë i Bashkisë nëse nuk do ta përdridhte bishtin e tij mbi hapësirën publike më të lakmuar në vend, ku regjim pas regjimi kanë lëshuar jashtëqitjen e tyre, e cila ndihet ngado. Ardian Vehbiu, në një shkrim në portalin “Peisazhe të Fjalës”, bëri një pohim me vlerë se, i gjithë projekti është më shumë një “skenografi” se një “rehabilitim”—një projekt që, përveç disa aspekteve të mundshme pozitive si përpjekja për ta bërë sheshin më pak pompoz, është kryesisht i programuar për të prodhuar imazh pozitiv dhe për të ekspozuar shumë, shumë pemë.
Projekti i Sheshit “Skënderbej” 2016
Në një vështrim të shpejtë, projekti i tanishëm rehabilitues i paraqitur nga Veliaj duket si projekti i propozuar në vitin 2008 nga firma “51N4E” dhe Anri Sala, në kohën kur Rama ishte kryebashkiak i Tiranës. Sido që të jetë, asnjë nga burimet zyrtare nuk e përmendi projektuesin e vërtetë të këtij “vizioni” (në Facebook Veliaj lavdëroi vetëm Edi Ramën). Mos vallë kjo “harresë” po ndodh për arsyen se publiku nuk duhet të bëjë lidhjen mes “51N4E” —projektuesi i bunkerit privat dhe galerisë private të Edi Ramës —dhe projektit të sheshit, i cili detyroi bashkëthemeluesin e kompanisë Peter Swinnen të dorëhiqet nga kryearkitekt i rajonit të Flamandisë në Belgjikë, pasi një kontroll zbuloi praktikat e tij korruptive dhe konflikt interesi në lidhje me planin e rigjenerimit urban të porositur nga Rama?
Por le t’i hedhim një vështrim më të detajuar planit aktual dhe mënyrës si ai mund të devijojë nga plani “origjinal”, që mund të na ndihmojë të kuptojmë për ndonjë ndryshim të koordinatave ideologjike mes planit të 2008-ës dhe 2016-ës, të dukshëm apo të nënkuptuar në qasjen ndaj urbanizimit që propozon secili plan.
Një aspekt i ri i planit të ripunuar është përshkrimi ekstravagant i materialeve të ndërtimit dhe bimësisë që do të rrethojë sheshin:
“Gurët natyralë do të jenë në formën e pllakave të gurit […] që do të merren nga të gjitha trojet e Shqipërisë, duke nisur nga Tropoja dhe Kukësi, Bilishti, Librazhdi, gëlqerorët e Tiranës, Korçës, Gjirokastrës, Sarandës, Berati, Vlorës, Krujës, Bulqizës, Prizrenit, Ersekës, Skraparit, etj.”.
Ajo që bie menjëherë në sy është përfshirja e Prizrenit, që nuk është pjesë e territorit të Shqipërisë, por e Kosovës fqinje. Përfshirja e Prizrenit si rajon i Shqipërisë nuk është zgjedhje aq e pafajshme apo asnjanëse ideologjikisht, por zgjedhje që risjell dhe ringjall idenë e vjetër të ribashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës dhe në përgjithësi, të projektit ideologjik të një “Shqipërie të Madhe”. Kjo pikë theksohet nga Veliaj kur ai flet për “pllaka guri nga të gjitha trojet shqiptare, përfshirë këtu edhe nga Kosova dhe zona të tjera ku jetojnë shqiptarë”.
Pra, pika e parë e dallimit ndërmjet projektit origjinal të firmës “51NE4” dhe Anri Salës dhe projektit aktual është një komponent i qëllimshëm nacionalist që mungonte në projektin fillestar: në të ardhmen, të shëtisësh në Sheshin “Skënderbej” do të thotë të ecësh “në zemër të Shqipërisë, aty ku është dhe zemra e shqiptarëve”, do të thotë të ecësh mbi gurët e të gjitha trojeve shqiptare, përfshi Kosovën dhe nënkuptohet, pjesë të Maqedonisë dhe Greqisë.
Më tej përshkrimin e bimësisë në shesh, përforcohet më shumë vizioni panshqiptar:
“Për sa i përket gjelbërimit, projekti do të sjellë në qendrën e Tiranës, varietete drurësh dhe bimësh nga e gjithë Shqipëria. Aty do të mbillen 900 pemë të larta dekorative, 520 drurë frutorë, 954 shkurre të larta dekorative, 4 400 shkurre të ulëta dhe 35 mijë rrënjë lulesh”.
Dikush mund të pyesë se çfarë qëllimi i shërben ky numërim kaq i detajuar dhe disi qesharak i llojeve të pemëve, por përveç ripërsëritjes së klisheve nacionaliste, ideja e “varieteteve të drurëve dhe bimëve nga e gjithë Shqipëria” i bën jehonë gjuhës së përdorur në prezantimin e konkursit për Parkun e Besimit, ku Edi Rama është shprehur:
“Një hapësirë e gjelbër publike, e mbjellur me të gjitha lulet, bimët, pemët, të cilat përmenden në Kuran dhe në Bibël apo në libra të tjerë të shenjtë [… me] qendër Piramidën dhe me të gjitha hapësirat e gjelbëra ku ne synojmë të krijojmë një imazh të prekshëm të harmonisë fetare të vendit tonë, duke përfshirë edhe cilët [siç] që nuk besojnë”.
Ndërsa në rastin e projektit të Parkut të Besimit, që është përfshirë në vizionin e masterplanit të madh të Tiranës, të cilin e diskutova gjerësisht në një ese të mëparshme, shumëllojshmëria e pemëve dhe luleve nga të gjitha librat e shenjtë është tregues i “harmonisë fetare”, shumëllojshmëria e pemëve dhe luleve nga e gjithë Shqipëria bëhet simbol i “bashkimit kombëtar” në rastin e projektit të Sheshit “Skënderbej”. Ajo që është e rëndësishme është mënyra e veçantë në të cilën arrihet një “bashkim” i tillë. Në kundërshtim me rritjen natyrale dhe spontane të pemëve dhe bimëve në Parkun e Liqenit —i cili ndonëse është krijuar artificialisht u projektua me synimin për të imituar pyjet apo zonat e parqeve të pakultivuar —vetëm një shumëllojshmëri e “mirëbalancuar”, e shënuar, e emërtuar dhe e numëruar me saktësi pemësh dhe bimësh mund të simbolizojë unitet dhe harmoni.
Me fjalë të tjera, si Parku i Besimit edhe projekti i Sheshit “Skënderbej” sinjalizon një supozim të rëndësishëm ideologjik që qëndron në themel të politikës së Edi Ramës dhe Erion Veliajt: vetëm rendi i projektuar dhe imponuar nga sipër mund të krijojnë unitet dhe harmoni.
Betonizimi i Sheshit Skënderbej
Në këtë kuptim, ndryshimi mes Parkut të Liqenit, nga njëra anë, ku rritja natyrale e pemëve është rrezikuar nga mure dhe themele të thella betoni dhe nga ana tjetër e Sheshit të ardhshëm “Skënderbej”, me bimësinë dhe pllakat shtruese të zgjedhura me kujdes dhe të paracaktuara ideologjikisht është i qartë: të dy përfaqësojnë modele politike, por ky i fundit— nga lart-poshtë —është i dëshirueshëm dhe duhet kultivuar, ndërsa i pari— nga poshtë-lart —duhet minuar dhe çrrënjosur.
Dhe më në fund, një pikë tjetër e paqartë – një çështje, e cila akoma nuk është qartësuar plotësisht, as në mendjet e pushtetit. Nëse shikojmë përshkrimin e projektit origjinal të “51N4E” dhe Anri Salës, ka një ndërhyrje specifike arkitekturore në shesh që formon bërthamën e tij konceptuale. Po e citoj të plotë:
“Sheshi qendror i Tiranës është i projektuar si një hapësirë boshe mes kaosit të qytetit, një boshllëk që merr formë nga një bashkësi parqesh dhe ndërtesash publike, si ekzistuese edhe të reja. Rripi i gjelbërt qarkues funksionon si një paradhomë, që negocion mes pjesës së dyndur të qytetit dhe zbrazëtisë së sheshit.
Nga qendra e zbrazur, shihet i gjithë vargu i ndërtesave që përcaktojnë të shkuarën e Shqipërisë, që përfaqësojnë një të shkuar të përbashkët mbi të cilën mund të ndërtohet. Monumentalizmi shtypës i ndërtimeve komuniste kundërshtohet nga forma e sheshit: një piramidë e madhe, e ulët. Në majë të kësaj piramide, nuk sundohesh nga arkitektetura e të shkuarës. Kjo ndërhyrje e lehtë e pranon të shkuarën e Shqipërisë dhe i jep asaj, gjithashtu, një perspektivë të re”.
Është e qartë, përveç hapësirave me gjelbërim dhe ujë në Sheshin “Skënderbej”, projekti origjinal i 2008-ës propozonte një “piramidë të madhe, të ulët” për t’i dhënë formë hapësirës boshe në qendër të sheshit. Kjo piramidë (në mendimin tim, një ndërhyrje brilante) jo vetëm pasqyron, por ndoshta kundërvepron ndaj piramidës tjetër në Tiranë —që akoma sundon hapësirën e qytetit me idenë e formën e saj —e cila i lejon qytetarëve “të ngrihen” për t’u bërë, përkohësisht, si të thuash monumenti parësor i atij sheshi të ngarkuar historikisht. Ajo komunikon një pikëpamje shumë të veçantë humaniste dhe antropocentrike të qytetarëve të Shqipërisë, në të cilën kalimi përmes një sheshi, përndryshe, të zhuritur nga dielli, verbues, që ngjall agarofobi bëhet një lojë perspektivash që krijon një vetëdije specifike të kontekstit historik dhe kulturor dhe fuqizimit të mundshëm.
Vizioni i “rinovuar” i paraqitur nga Erion Veliaj vazhdon të mbetet i dyshimtë në këtë pikë. Piramida e ulët nuk është përmendur askund në planin e tij, por një imazh maket, i servirur në shtyp dhe i përmendur më sipër, paraqet në mënyrë të turbullt, dy diagonale që kalojnë respektivisht, nga Xhamia e Et’hem Beut tek Muzeu Historik Kombëtar dhe nga Pallati i Kulturës tek Banka e Shqipërisë. Ndryshe nga kjo, modelit 3D i paraqitur në një faqe të veçantë interneti nuk tregon diagonale të tilla apo ndonjë gjurmë tjetër të piramidës. Në vend të saj ndeshim një sipërfaqe gri, monolite, që i ngjan një shkretëtire në të cilën qytetarët përpiqen të çajnë përmes një perspektive jo Euklidiane që rroket me një vështrim.
Ndonëse ndërhyrja origjinale e “51N4E” dhe Anri Salës mund ta kthente sheshin në një vend për t’u eksploruar dhe për të kaluar kohën, një vend, ndoshta, për të deklaruar akte qytetarie dhe marrëdhënie shoqërore, vizioni i trishtë i paraqitur nga Veliaj me anë të një modeli 3D ofron një boshllëk pa hije, ku çdo shprehje e mundshme politike asnjanësohet paraprakisht nga veshja nacionaliste me pllaka dhe bimësia unifikuese.
Në një nga postimet e fundit në Facebook, historiani i artit Raino Isto la të kuptohej indirekt një marrëdhënie të mundshme mes Monumentit të Pavarësisë në Vlorë, skalitur nën drejtimin e babait të Edi Ramës, Kristaq Rama dhe projektit aktual Rama–Veliaj për Sheshin “Skënderbej”. Ishte një intuitë që u provua e vërtetë. Krahasimi i planit të vitit 2016 me atë të vitit 2008, nxjerr në pah disa ndryshime, të cilat nuk mund të merren thjesht si “përfundimi i një pune të pambaruar”. (Pan)Nacionalizmi i nënkuptuar shqiptar, supozimet mbi origjinën e rendit që pohohen në shtresën me rrasa guri dhe gjelbërimin, dhe katandisja e qytetarit nga një figurë vetëlartësuese me një perspektivë unike individuale në një kontur modest që humbet në një hapësirë të paracaktuar ideologjikisht janë të gjitha tregues të asaj që ka ndryshuar nga 2008 më 2016 dhe na japin garanci të qarta se si do të jetë shteti shqiptar në të ardhmen.