Shfajësohet Baka

Karlos Baka i ka kërkuar publikisht falje trajnerit Vinçenco Montela për mënyrën se si u soll gjatë zëvendësimit në ndeshje kundër Sampdorias. “Nuk kam asnjë lloj problemi me trajnerin, vetëm më zëvendësoi dhe u zemërova, pasi po mundeshim nga një penallti e Muriel dhe shpresoja të qëndroja në fushë për të ndihmuar ekipin. Ishte një vendim i tij dhe unë isha ende i nxehtë prej ndeshjes dhe ndodhi… Më pas gjithçka shkoi mirë dhe sot fola me të. E di që kam gabuar, por gjithçka është fryt i asaj që bëra në fushë dhe se më zëvendësoi. Duhet të respektoj zgjedhjet e tij dhe të vazhdoj të punoj”, ishte ndjesa e Bakas.
Kolumbiani ka idetë e qarta se si mund të shlyejë gabimin edhe para shokëve të skuadrës. “Kam folur me shokët dhe do t’u paguaj një darkë të gjithëve. E kam vendosur pasi jemi një skuadër e bashkuar”, tha ai.
Milani është zyrtarisht në krizë. Kuqezinjtë prekën fundin me disfatën 1-0 në shtëpi ndaj Sampdorias. Duelin në “San Siro” e vendosi Luis Muriel, i cili në minutën e 70-të shndërroi në gol një penallti të shkaktuar nga një ndërhyrje nga prapa e Paletës ndaj Kualjarelës në zonë. Milani e mbylli takimin me një lojtar më pak, pasi Hoze Sosa u përjashtua me dy kartonë të verdhë në pesë minutat e fundit.
Ekipi vendas qan një shtyllë të goditur nga Deulofeu dhe një mundësi të mirë të humbur nga Lapadula. Humbja e tretë radhazi e zbret skuadrën milaneze në pozitën e tetë me 37 pikë, por me një ndeshje më pak. Kurse Sampdoria ngjitet e dhjeta, me 30 pikë në 23 ndeshje.
Ndërkohë, lojtari i lirë, Martin Caseres ka tradhtuar keq skuadrën e Milanit, tek e cila skuadër kreu testet mjekësore ditë më parë. Ai dje ka kryer testet te skuadra e Southamptonit, para se të nënshkruajë kontratën e re, shkruan “Daily Mail”.  Kujtojmë se Caseres po ashtu testet mjekësore javë më parë kishte kryer edhe në Crystal Palace, por tashmë ka vendosur përfundimisht për Southamptonin.

Exit mobile version