Shfarosja e çamëve, e vërteta e takimit të Mid’hat Frashërit me Napoleon Zervën në ‘44! Atdhetari i shkruante Abaz Kuptit: Katastrofa e 7 prillit erdhi edhe nga tradhtia e disa shqiptarëve, të cilët…

NGA URAN BUTKA

Në daljen përpara mediave të projektit të Akademisë së Shkencave “Historia e re e shqiptarëve”, drejtues dhe anëtarë të komisionit hartues u shprehën për përmasat, kriteret dhe vlerat e këtij projekti të ri. Ka disa vite që shqiptarët e interesuar për historinë e tyre, por edhe studiues, historianë, njerëz të kulturës e të tjerë kërkojnë rishkrimin apo korrigjimin e historisë, për shkak të një historie të deritanishme ende të politizuar, të deformuar dhe të njëanshme, por edhe për shkak se gjatë këtyre tri dekadave të tranzicionit demokratik kanë dalë në dritë mjaft dokumente të reja, që kërkojnë doemos këtë rishkrim, sidomos të historisë së Pavarësisë dhe të Luftës së Dytë botërore. Personalisht e kam parashtruar me kohë nevojën e këtij procesi rindërtues, prandaj edhe lajmin e përgatitjes së një historie të re të shqiptarëve e prita me pozitivitet. Mirëpo, në këto dy javë të paraqitjes në media të projektit nga Akademia e Shkencave, u zhgënjeva, jo vetëm unë. Në daljen e parë të komisionit hartues, profesor Paskal Milo tha se ka boll fakte të reja që do të përfshihen në tekstin e ri. ”Do të fillojmë me një fakt historik të panjohur, që ka të bëjë me Mid’hat Frashërin, i cili në 1-3 maj 1944 ka takuar Napoleon Zervën, një nga përgjegjësit kryesorë të shfarosjes së popullsisë çame. Kryetari i Ballit Kombëtar është ulur në bisedime me të për të bashkëpunuar në kohën e luftës”.

Ky i ashtuquajturi “fakt historik”, përbën një “zbulim” dhe një “lajm” për Paskal Milon, ndërkohë që, sipas mendimit tim, është një “fake”, një tendencë për mashtrim, sipas tipologjisë së propagandës së dikurshme komuniste, që paradamkoste personalitete historike, për të njollosur e për të goditur.

lg.php?bannerid=0&campaignid=0&zoneid=1084&loc=https%3A%2F%2Fwww.panorama.com.al%2Fshfarosja e cameve e verteta e takimit te midhat frasherit me napoleon zerven ne 44 atdhetari i shkruante abaz kuptit katastrofa e 7 prillit erdhi edhe nga tradhtia e disa shqipta%2F&referer=https%3A%2F%2Fwww.panorama.com

Përse duhej të trumbetonte me aq bujë e ngutje këtë paragjykim para mediave dhe përpara komisionit hartues të historisë, kur ky komision do të punojë për dy-tre vjet për të konkluduar mbi faktet dhe fenomenet historike?

Përse deklaron se “do ta fillojmë historinë e re të shqiptarëve me një fakt të panjohur që ka të bëjë me Mid’hat Frashërin? Në ç’dokument është mbështetur Paskal Milo për të nxjerrë me përparësi këtë “fakt historik të ri”?

Në të vërtetë, nuk është një gjë e panjohur, apo e re. Filip Liço autor i librit “Probleme të marrëdhënieve greko-shqiptare”, botuar në Tiranë në vitin 2009, përfshin në këtë botim edhe një fragment kujtimesh te sekretarit të Napolon Zervës, kolonel Th. Sarandis, mbi një takim, sipas tij, mes Napoleon Zervës, me një grup të nacionalistëve shqiptarë, mes tyre edhe Mid’hat Frashëri, në fshatin Voskop të Korçës nga 1-3 maj 1944. Pra, nuk kemi të bëjmë me asnjë dokument apo fakt historik, apo fakt të ri, por me një kujtim të pretenduar të një ushtaraku grek të Zervës. Nuk mund të konsiderohen kujtimet si dokumente apo fakte historike të mirëfillta. Vetë Prof. Paskal Milo dhe Prof. Pëllumb Xhufi kanë theksuar disa herë se historia nuk bëhet me kujtimet, nga që ato përmbajnë subjektivizma apo interesa. Mirëpo, kur ju intereson atyre, i marrin dhe i paraqesin kujtimet si fakte të vërteta, si në këtë rast.

Mendoj që politikanë shqiptarë apo të huaj në kohë të ndryshme, kanë bërë takime madje edhe marrëveshje edhe me kundërshtarët politikë apo armiqtë, në kushte e kontekste të caktuara historike. Përse nuk flet Paskal Milo për një takim të Enver Hoxhës më një oficer gjerman në kohën e Luftës? Unë e kam lexuar atë dokument dhe them se E. Hoxha u takua, por nuk bëri marrëveshje zyrtare me oficerin gjerman. Unë kam dijeni që PKSh ka bërë takime, marrëveshje dhe bashkëpunime me lëvizjen komuniste greke (EAM- Elas). Sipas një raporti Britanik “Një marrëveshje mes Frontit NÇ të Shqipërisë dhe EAM-it (Lëvizja komuniste greke) është firmosur midis datave të dhëna në korrik ose shtator 1943. Oficerët grekë të EAM të atashuar pranë Frontit NÇ të Shqipërisë janë raportuar të kenë qenë Alexis Janaris, Angelos Doupis, Alias Dhimitriu (përfaqësues ushtarak) dhe Kristoferos Prinos. Një marrëveshje ushtarake mes Frontit NÇ-së dhe ELAS-it është raportuar se është bërë gjatë muajit dhjetor 1943, me rastin kur ndihmat e aleatëve për ELAS-it u ndërprenë. Një takim i mëvonshëm midis Frontit NÇ dhe ELAS u raportua se u mbajt në Nepravishtë, gjatë muajit mars 1944”.

lg.php?bannerid=0&campaignid=0&zoneid=1015&loc=https%3A%2F%2Fwww.panorama.com.al%2Fshfarosja e cameve e verteta e takimit te midhat frasherit me napoleon zerven ne 44 atdhetari i shkruante abaz kuptit katastrofa e 7 prillit erdhi edhe nga tradhtia e disa shqipta%2F&referer=https%3A%2F%2Fwww.panorama.com

Po ashtu, PKSH mori pjesë në paktin e krijimit të Shtabit Ballkanik mes ushtrive nacionalçlirimtare të Jugosllavisë, Shqipërisë dhe ushtrisë së Greqisë në verën e vitit 1943.

Këto çështje duhen analizuar e ndriçuar me objektivitet, pa qenë nevoja për aludime apo akuza politike të tipit komunist. Mirëpo Paskal Milo nxjerr konkluzione eklektike të qëllimshme, duke futur edhe helmin brenda: “Mid’hat Frashëri, më 1-3 maj 1944 ka takuar Napoleon Zervën, një nga përgjegjësit kryesorë të shfarosjes së popullsisë çame. Kryetari i Ballit Kombëtar është ulur në bisedime me të për të bashkëpunuar në kohën e luftës”.

Së pari, sipas Th. Sarandis, N. Zerva u takua me një grup nacionalistësh si Mid’hat Frashëri, Xhafer Dibra, Ali Këlcyra, Suat Asllani, Tane Malishova, Ali Nivica, Shukli Zakomeri, Qazim Prodani, Thoma Orollogai etj dhe jo vetëm me kryetarin e Ballit Kombëtar, M. Frashërin.

Së dyti, takimi mes tyre, gjithnjë sipas Sarandis, u bë me 1- 3 maj 1944, kur dihet që operacioni zervist kundër popullsisë Çame nuk kishte nisur ende, ai filloi në 27 qershor 1944 dhe nuk duhet kurrsesi të ngatërrohet enkas e të kamuflohet sikur Mid’hat Frasheri, mbrojtësi më i madh i çështjes çame, është ulur në bisedime me Napolon Zervën, një nga përgjegjësi kryesorë të shfarosjes së çështjes çame për të bashkëpunuar në kohën e luftë!

Përse Paskal Milo e përmend enkas vetëm Mid’hat Frashërin, duke aluduar për një takim personal me Zervën, kur, sipas burimit, në takim ishin dhe përfaqësues të tjerë të së djathtës shqiptare?

Së treti, as Th. Sarandis nuk thotë se u bë një marrëveshje, por një takim. Madje nuk e citon fare Mid’hat Frasherin, por vetëm fjalët e Suat Asllanit, i cili nuk ishte pjesë e Ballit Kombëtar.

Së katërti, vetë autori i librit “Probleme të marrëdhënieve greko-shqiptare”, Filip Liço, argumenton: “Mendojmë se të dhënat e paraqitura nga mbledhja në Voskop të Korçës nga Th. Sarandis, janë shumë të cunguara. Nga pohimet e tij që Greqia “të bashkohen me çfarë do mënyrë me Shqipërinë”, apo “do t’ia transmetojmë (Zervës) pikëpamjet tuaja”, del se në atë mbledhje u shfaqen mendime të ndryshme lidhur me bashkëpunimin shqiptarogrek”, por nuk u bë ndonjë marrëveshje. Takim nuk do të thotë marrëveshje apo bashkëpunim.

Paskal Milo e lidh enkas “takimin” me Zervën,”shfarosësi i popullsisë çame”, duke ia shtuar qëllimisht këtë bisht për efekt publik. Dihet se kush ishte N. Zervasi, që kreu gjenocid kundër popullsisë çame në Greqi, por takimi me M. Frashërin dhe përfaqësuesit e të djathtës shqiptare nuk kanë asnjë lidhje me këtë gjenocid. Përkundrazi, Mid’hat Frashëri e ka denoncuar ndërkombëtarisht këtë gjenocid.

Dr. Ermal Frashëri, i diplomuar ne Universitetin e Harvardit dhe pedagog në këtë universitet, del kundër këtyre insinuatave: “Milo krijon sensacion me Mid’hat Frashërin. Ai foli për Mid’hat Frashërin e Zervën pa dhënë kontekstin. Duke folur për një takim, pa dhënë arsyet dhe rrethanat, Milo krijoi insinuata për Mid’hat Frashërin”.

Duke u nisur nga ky fakt, por edhe nga daljet në media të drejtuesve të komisionit të historisë, mendoj që projekti i Akademisë së Shkencave për historinë e re, është i tejkaluar, një model zyrtar tashmë i dështuar. Ideimin, konceptimin, udhëheqjen, financimin, botimin, si edhe përzgjedhjen e historianëve pjesëmarrës në komisionin hartues, e ka bërë vetë Akademia sipas preferencave të saj, pa projekte konkurruese. Ndonëse thuhet publikisht se nuk është një projekt zyrtar, e nxjerrin vetë në shesh të kundërtën. Historiani Paskal Milo pohon: “Projekti udhëhiqet e monitorohet nga Akademia e Shkencave”, ndërsa historiani Marenglen Kasmi e thotë më troç: “Duhet të ketë një version zyrtar të historisë dhe nuk e bëjnë më mirë këtë gjë, sesa institucionet shtetërore!”.

Siç shihet qartë, një koncept pushteti totalitar për historinë. Është provuar tanimë se të gjitha botimet zyrtare të “Historisë së Shqipërisë “ kanë qenë tejet të politizuara dhe të deformuara historikisht, sepse janë udhëhequr e krijuar nga pushteti dhe jo nga historianët profesionistë.

Drejtues dhe historianë të projektit, Prof. Paskal Milo dhe sidomos Prof. Pëllumb Xhufi etj., kanë dëshmuar gjatë këtyre tri dekadave një politizim të dukshëm e të dëmshëm në trajtimin sidomos të ngjarjeve të periudhës së Pavarësisë, të Luftës së Dytë Botërore dhe të Pasluftës.

“Si Paskal Milo dhe Pëllumb Xhufi që kanë shfaqur në kohë të ndryshme protagonizëm politik”, thekson Ermal Frashëri.

Por edhe gjatë këtyre ditëve të prezantimit te projektit të Akademisë, këtë gjë kanë demonstruar, duke diktuar pikëpamjet dhe mendësitë e tyre , pra, duke u përpjekur t’i paravënë pikat mbi i-të mbi ngjarje e personalitete historike, përpara se të realizohet projekti.

Dr. Ermal Frashëri, i përfshirë në këtë debat, jep argumentet pse teksti i ri, “nuk do të prodhojë asgjë të re. Do të jetë një histori zyrtare, që ka ngjyrim mentaliteti totalitar. Vetë zyrtarizimi i punimit shkencor është antitezë e shkencës. Vula e Akademisë së Shkencave nuk është mburojë për historinë. Qasje e gabuar dhe organizim i mbrapshtë.”

Në debatin televiziv “ABC-News”, dt 13 5.2021, moderatori Endri Xhafo, i pyet prezantuesit e projektit: A ka pasur luftë civile në vitet 1943-44?

Skënder Gjinushi menjëherë përgjigjet- “Nuk ka pasur luftë civile”

Pra, kryetari i Akademisë së Shkencave, pronari i këtij projekti, vuri vulën këtij fenomeni kaq të debatueshëm, në vend që të thoshte: këtë do ta vendosin historianët e komisionit mbi bazën e dokumenteve. Pra, historia jam unë, tha Skënder Gjinushi.

Dihet që në këto 30 vite të demokracisë janë botuar me qindra botime, që dokumentojnë ekzistencës e luftës civile në Shqipëri pas prishjes së njëanshme nga komunistët të Marrëveshjes së Mukjes. Historiani Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë ka pohuar e botuar ekzistencën e Luftës civile në Shqipëri dhe pasojat e saj. Le të kujtojmë debatin e tij në Muzeun Kombëtar me Presidentin Moisiu.

Historiania Ana Lalaj, që nuk është pjesë e komisionit, e kundërshtoi Gjinushin dhe të tjerët, duke thënë se kjo luftë nisi pas vendimit të PKSH në Konferencën e Labinotit, shtator 1943, ku u shpall lufta e armatosur kundër Ballit Kombëtar dhe çdo tendence tjetër, një luftë civile.

Rrjedhimisht ka pasur një luftë civile ndërmjet forcave komuniste me ato nacionaliste, e dokumentuar nga dokumentet e Arkivit të Shtetit, Arkivit të Ushtrisë, Arkivit të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, arkivave të Britanisë, Gjermanisë, SHBA, Jugosllavisë etj. Thuajse gjithë oficeret britanikë që ishin atashuar në Shqipëri gjatë luftës, rreth 150, e kanë pohuar e vërtetuar Luftën civile, po ashtu edhe historianët e huaj si R. Bejl, B. Fisher etj. Por, mjafton të lexosh raportet ushtarake të komandantëve dhe komisareve te divizioneve, brigadave, e batalioneve te ushtrisë NÇ, si Mehmet Shehu, Dali Ndreu, Shefqet Peçi, Ndreko Rino, e shumë të tjerë, për të kuptuar vërtetësinë autentike dhe përmasat tragjike të luftës civile në Shqipëri. Mjafton të përmendim luftën civile në Malësinë e Madhe, dhjetor 1944-shkurt 1945, një luftë frontale civile për një muaj e gjysmë pa ndërprerje, ku merrnin pjesë divizione dhe brigada të ushtrisë NÇ, që sulmuan ushtarakisht me zjarr e me hekur, dhe ku u vranë me qindra luftëtarë e malësorë nga të dy palët, u dogjën 34 shtëpi dhe pushkatuan e burgosën qindra malësorë, u internuan qindra familje në kampet e internimeve të të gjithë Shqipërisë burg.

Historianët enveristë e kanë fshehur dhe e fshehin edhe sot luftën civile, për të ngritur dhe mbrojtur mitin dhe glorifikimin e Luftës NÇ edhe të figurës së Enver Hoxhës, duke mohuar e baltosur luftën e faktorëve të tjerë të luftës antifashiste. Dua t’u kujtoj atyre se luftën kundër italianëve e nisën nacionalistët qysh më 7 prill 1939, që betejën më të madhe kundër tyre, luftën e Gjormit 1 dhjetor 1942- janar 1943, ku u vra edhe koloneli Klementi, e kanë bërë çetat e Ballit Kombëtar të Hysni Lepenicës, Skënder Muços dhe Isuf Luzajt, bashkë me çetën e partizane të Neki Ymerajt; që luftën e parë kundër italianëve menjëherë pas Konferencës së Mukjes, 4 gusht 1943, e bënë forcat e bashkuara nacionaliste dhe partizane të komanduara nga Abaz Kupi, ku u vra edhe kapiteni italian Scampa; që betejën e parë kryesore kundër gjermanëve e kanë bërë çetat nacionaliste të Safet Butkës më 13 gusht 1943 në kthesat e Barmashit, (sipas dokumenteve arkivore të marrëveshjes Bill Maklin-Safet Butka, 8 gusht 1943), betejë në të cilën merrte pjesë e majori britanik Deivid Smajl, ku u vranë 25 gjermanë dhe u shkatërruar mjaft mjete ushtarake, autoblinda etj. (shih D. Smajl, “Me detyrë në Shqipëri”). (Betejë të rëndësishme historianët komunistë e paraqesin luftën në Barmash, korrik 1943, ku disa forca të Batalionit “Tomorri” goditën autokolonën gjermane, duke kujtuar se ishte autokolonë italiane, dhe ikën pasi hodhën disa pushkë, pa vrarë asnjë gjerman, duke e lënë gjithë zonën pa mbrojtje dhe gjermanët për hakmarrje dogjën Barmashin, vranë 117 viktima te pafajshme në Borovë etj); Po ashtu, përmendim betejat e Muharrem Bajraktrarit kundër gjermanëve, teksa i binin prapa krahëve komunistët; luftërat e Gani Kryeziut kundër gjermanëve etj. Mirëpo këto dokumente të reja të nxjerra nga arkivat pas përmbysjes së diktaturës komuniste, nuk i përmendin historianët Pëllumb Xhufi, Marenglen Kasmi etj për të treguar se vetëm Nacionalçlirimtarja me në krye E. Hoxhën ka luftuar, ndërsa Balli e Legaliteti kanë bashkëpunuar me pushtuesit.

Unë e vlerësoj Luftën NÇ kundër pushtuesve nazifashistë, gjakun dëshmorëve partizanë për liri; vlerësoj edhe luftën e faktorëve të tjerë antifashistë, si Balli Kombëtar, edhe gjakun e dëshmorëve nacionalistë për liri dhe Shqipëri etnike. Elementë bashkëpunues me okupatorët ka pasur nga të dy krahët. Veço qeveritë kolaboracioniste nën pushtimin italian (1939) dhe Regjencën nën pushtimin gjerman (1943-1944), të cilat për mendimin tim janë rreshtuar në drejtim historik të gabuar. I kësaj natyre ishte edhe bashkëpunimi PKSH dhe E. Hoxhës me komunistët jugosllave e rusë gjatë e pas luftës në dëm të Shqipërisë.

Pyetjes së gazetarit Xhafo, si e çmoni Enver Hoxhën, historianët iu përgjigjen:

Pëllumb Xhufi: “Ka pasur të mira dhe të këqija”.

Paskal Milo: ”Pozitiv gjatë luftës, diktator pas luftës”.

Ana Lalaj: “Nuk ka dy Enverë, është vetëm një, Enveri -fytyra më e zezë historike, gjatë dhe pas luftës, ka urdhëruar të vriten njerëz, jo vetëm kundërshtarë politikë, por edhe antifashistë brenda gjirit te lëvizjes NÇ, si Mustafa Gjinishi, Zai Fundo etj. E. Hoxha i thotë përfaqësuesit britanik Palmer: Më kanë vrarë shokun e ngushtë Mustafa Gjinishin, kur Enveri e kishte urdhëruar vetë vrasjen e Gjinishit. Një mashtrues. Enveri- vegël e jugosllavëve”.

Për mendimin tim, individët, por edhe personazhet historike, duhet te paraqiten në kompleksitetin e tyre, dhe jo bardhë apo zi. Por në vlerësimin përfundimtar të tyre duhet peshuar ajo që është dominante në veprën e tyre. Dominante për Enver Hoxhën gjatë luftës ka qenë terrorizmi paranojak dhe demagogjia, lufta për ta marrë pushtetin me dhunë e me gjak, (siç e pohon vetë) dhe pas luftës – diktatori stalinist më i egër, për ta mbajtur pushtetin me anë të diktaturës më ekstreme se në gjithë vendet e Lindjes komuniste. Por Pëllumb Xhufi thotë se ka pasur të mira dhe të këqija, ndërsa Paskal Milo thotë se ka qenë pozitiv gjatë luftës dhe diktator pas luftës!” Asnjëri prej tyre nuk thotë se Enver Hoxha ka urdhëruar krime lufte dhe krime kundër njerëzimit (të dokumentuara) gjatë luftës dhe pas luftës, të denja për gjyqin e Hagës.

Por studiues dhe historianë të tjerë gjykojnë ndryshe. Në bisedën televizive të datës dt. 17 maj, në përballjen e Pëllumb Xhufit, Marenglen Kasmit me Dritan Egro dhe Erald Kaprin, u shfaqën mendimet ndryshe edhe për projektin e historisë, edhe për Enver Hoxhën, edhe për Mid’hat Frashërin.

Studiuesi Erald Kapri parashtroi argumentin e tij se “projekti i Akademisë që drejtohet nga Skënder Gjinushi, është i tipit sovjetik. S’ka alternativë, s’ka procedura konkuruese. Historinë e re duhet ta bëjnë studiues e historianë të rinj, të paideologjizuar, duhet të kishte studiues nga diaspora, si edhe historianë të huaj. Kemi nevojë për një model të ri.”

Mirëpo profesorët e Komisionit e mësyjnë personalisht:

Marenglen Kasmi: Çfarë diskuton ti? A ke recenca për botimet e tua? Nuk ke!

E. Kapri: Po vë në diskutim formimin tim? Kam botuar 6 artikuj shkencorë dhe dy libra. Për studimin “Mbreti Zog”, kam pasur recensën e Roderik Bejlit.

Dritan Egro: Kemi të njëjtin model të shkrimit të historisë, si në kohën e komunizmit, kur përcaktohej linja ideologjike dhe historianët ishin të detyruar ta mbushnin me fakte. Të gjitha botimet e historisë së Shqipërisë deri tani kanë qenë zyrtare dhe të politizuara. Kjo po ndodh edhe tani. U tha se do ta fillojmë historinë e re të shqiptarëve me Mid’hat Frashërin që paska bërë një takim me Napoleon Zervën, një shqiptar me origjinë nga Suli… Ky është një qëndrim politik. Takimet duhen shikuar në kohën dhe kontekstin e tyre. Edhe Ismail Qemali ka bërë një marrëveshje me palën greke, për një shtet të vetëm greko-shqiptar në vitin 1907. Kjo është e dokumentuar, e kam dokumentin.

Pëllumb Xhufi, në vend të argumenteve historike, sillet ndaj Dritanit me shpërfillje e fyerje: “Do të ishte mirë të merresh me regjistrat osmanë për t’u bërë shumë i njohur …, duke harruar t’i thoshte vetes së tij: “do të ishte mirë Pëllumb të merresh vetëm me historinë e Mesjetës, për tu bërë shumë i njohur, sesa me Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, që e tjetërson”.

Mid’hat Frashëri ishte një atdhetar i madh, demokrat dhe antifashist, figurë e shquar kombëtare dhe proevropiane.

Mid’hati i shkruante nga Stambolli Abaz Kupit më 1948: “Një komitet i përbashkët do të ishte një vegël e çmueshme për të rifituar të drejtat kombëtare. Por a nuk mendoni ju, se kondita e parë e një organi që të merrte përsipër një barrë të tillë, duhet të jetë formuar prej njerëzish, mbi të cilët të mos peshojnë njolla dhe faje kundër atdheut. E dini fort mirë se Shqipëria pësoi katastrofën e 7 prillit jo vetëm prej fuqisë ushtarake të huaj, por edhe nga tradhtia e disa shqiptarëve, të cilët me liri dhe koshiencë të plotë përgatitën komplotin kundër atdheut dhe vepruan si pararojë e fuqive okupuese…”

Kështu, sipas këtij kriteri të Mid’hat Frashërit, nuk mund të merrnin pjesë në Komitetin “Shqipëria e Lirë”, ata krerë të Bllokut Indipendent, apo të Ballit Kombëtar e të Legalitetit, që ishin komprometuar me pushtuesit nazifashistë, ndonëse ishin antikomunistë të vendosur si Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, Gjon Marka Gjoni, Shefqet Vërlaci, Xhaferr Deva, Kadri Cakrani etj, ndërkohë që Mid’hat Frashëri zgjodhi, si përfaqësues të Kosovës në këtë komitet Said Kryeziun nga familja e shquar antifashiste Kryeziu. Vetë fakti që aleatët perëndimorë përzgjodhën Mid’hat Frashërin në krye të Komitetit “Shqipëria e lirë” (1949) si një figurë e pastër dhe proevropiane, është tejet kuptimplotë.

Nuk kam asgjë personale me Prof. Paskal Milon dhe Prof. Pëllumb Xhufin e të tjerët, kam pasur debate mbi historinë dhe secili ka paraqitur opinionet e tij. Normale. Por tani që Pëllumb Xhufi është drejtor i projektit të historisë së re të shqiptarëve dhe Paskal Milo drejtues për historinë e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, nuk mundem të hesht dhe të mos kundërshtoj trajtesat e tyre të politizuara, si edhe hipotezat e tyre të fundit tejet ndikuese te Komisioni hartues i historisë. Janë po ata që kanë shkruar tekstet e mëparshëm të historisë së falsifikuar e të dëmshëm për higjienën shoqërore.

Nuk mund të bëhet një shtëpi e re me qereste të vjetër.

Marrë nga libri i ri “Polemikat”, 2024

Artikulli paraprakStairway to The Sky Palace “vazhdon murin” e pallateve në ish-Bllok
Artikulli tjetër“Kryeministër turist i një vendi të korruptuar”, Basha: Rama sot kthye te vendi i krimit, aty ku korruptoi Charles McGonigal