Në 6 muajt e fundit çmimi mesatar i banesave në rangë vendi është rritur 16.9%, vetëm në Tiranë çmimet janë rritur 23%, ku pronat në kryeqytet zënë peshën më të madh etë transaksioneve imobiliare
Çmimi mesatar i banesave është rritur me 16.9% përgjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2024.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rritja më e madhe u pasqyrua për çmimin mesatar për pronat në kryeqytet, të cilat zënë dhe peshën më të madhe të kërkesës në rang vendi. Në Tiranë çmimi mesatar i banesave u rrit 23.5% krahasuar me 6 muaj më parë, si dhe 11% krahasuar me 6 mujorin e dytë të vitit 2023.
Indeksi Fischer, i cili përcakton nivelin mesatar të çmimit të pronave, është rritur edhe për shkak të rritjes së përgjithshme të çmimeve, megjithëse kur shihet diferenca e pronave të patundshme në qytetet e tjera jashtë Tiranës, ato nuk paraqesin një ndryshim të konsiderueshëm në çmim, duke bërë kështu që luhatshmëria dy shifrore e përqindjes së rritjes, të përqendrohet vetëm për pronat në Tiranë.
Të dhënat e bankës tregojnë për një rigjallërim të industrisë së pronave të patundshme. Megjithatë theksohet se rritja e çmimit mesatar, mund të jetë ndikuar nga pasha e lartë e transaksioneve për pronat në zona më të shtrejta, si ato qendrore në kryeqytet.
Në fakt pronat në zonën qendrore zinin 46% të vëllimit të shitjeve për periudhën e vrojtuar, dhe kjo peshë është më e lartë se ajo e periudhave të mëparshme.
Gjithashtu numri i përgjithshëm i pronave të shitura ishte 928, më e ulët se gjysma e parë e vitit.
Rritja e çmimeve përkon edhe me rrirtjen e kredisë për banesa. Në 7 muajt e parë të vitit, kjo e fundit arriti në shifrën rekord prej 31.6 miliardë lekësh, shumë kjo 17% më e lartë se e njejta periudhe ë një viti më parë.