Shfryn Handanoviç

Humbja e 4-t radhazi dhe një ecuri prej 8 ndeshjesh pa fitore në kampionat, diçka që nuk ndodhte që nga viti i largët 1982. Ndaj Sassuolos në “San Siro”, Interi humbi fytyrën, humbi tifozët, por humbi edhe Europën duke u zhytur në një krizë që nuk dihet se kur do të përfundojë. Situata është e nderë në shtëpinë zikaltër dhe vetëm një trajner i madh mund ta rikthejë këtë Inter në rrugën e duhur. Nuk mjaftoi as largimi i Piolit dhe ndryshimi në stol me ardhjen e Stefano Vechit për t’i dhënë një tjetër shtysë një skuadre të dëshpëruar dhe pa ide. Te Interi tashmë është krijuar një ambient negativ ku të gjithë janë kundër të gjithëve.
Gabimet vijnë si pasojë e mospërkushtimit 100% në stërvitje, deklaroi Vechi në fund të sfidës ndaj Sassuolos, ndërsa më të rënda ishin fjalët e portierit Handanoviç dhe sulmuesit Eder. “Nuk ka qetësi në skuadër dhe na duhet të japim diçka ndryshe, është i gjithi viti që po shkon kështu. Tifozët? Edhe unë ndodhem në këtë situatë prej 5 vitesh. Edhe durimi e ka një fund, ky është momenti më i vështirë që nga momenti që ndodhem këtu. Duhet të tregohemi burra”, deklaroi portieri slloven.
Nga ana tjetër Eder, një nga më të mirët në fushë për Interin në humbjen ndaj Sassuolos i dërgoi një mesazh klubit: “Kush e ndien veten të aftë për të qenë lojtar i Interit dhe dëshiron të qëndrojë duhet t’ia thotë drejtuesve dhe kështu kush dëshiron mund të largohet. Në të njëjtën kohë klubi duhet të ketë personalitetin e duhur dhe të flasë qartë, pasi kështu krijohet një grup i vërtetë. Duhet të jemi të ndërgjegjëshëm që një skuadër si Interi nuk mund të bëjë të tilla paraqitje edhe sezonin e ardhshëm”, nënvizoi sulmuesi i kombëtares italiane.
Interi lan duart me Europën në mënyrën më të keqe të mundshme. Nën kontestimin e ashpër të tifozëve ultras, skuadra zikaltër zhytet në mediokritet pasi u mposht edhe nga Sassuolo brenda në “San Siro” me rezultatin 1-2, duke pësuar humbjen e 4-t radhazi në Serinë A dhe të 6-tën në 8 ndeshjet e fundit, në të cilat Interi ka patur ecurinë e një skuadre të denjë për t’u rrëzuar nga kategoria. As ndryshimi në stol nuk solli asgjë të re te skuadra zikaltër pasi largimi i Piolit dhe marrja e drejtimit të ekipit nga Stefano Vecchi u shoqërua me një tjetër disfatë të rëndë. Kualifikimi në Europa League tashmë ngjason me një mision të pamundur për Interin që 2 javë përpara fundit të kampionatit pozicionohet në vendin e 8-të, me 4 pikë më pak se Milani. Vërshëllimat e tifozëve ultras në drejtim të futbollistëve dhe drejtuesve të klubit nisën që në momentin që lojtarët dolën në nxehje, ndërsa banderolat dhe koret ishin vërtet ofenduese, me tifozët që lanë stadiumin që në minutën e 20-të të sfidës.
Interi në fakt e nisi më mirë ndeshjen, por nuk kishte rrezikshmërinë e duhur përpara portës, në të 28-tën shtylla i mohoi golin kapitenit Icardi, që bashkë me Consiglin rrezikuan dëmtimin në atë episod. Në mometin më të mirë të zikaltërve, Sassuolo ndëshkoi vendasit me një kundërsulm të shpejtë me Iemmellon që i asistuar nga Berardi mposhti sllovenin Handanoviç. Në pjesën e dytë Vechi bëri dy ndryshime në formacion duke hedhur në fushë, Ansaldin për Nagatomon dhe Eder për Joao Marion. Por në të 50-tën skuadra e Di Francescos shënoi edhe golin e epërsisë së dyfishtë, sërish me Iemmellon që kompletoi mesditën e tij perfekte. Goli i Eder në të 70-tën vlejti vetëm sa për ta bërë më interesante sfidën sepse në “San Siro”, Interi nuk mundi të evitonte dot humbjen duke u zhytur kështu në një krizë nga e cila e ka të pamundur të dalë.

Exit mobile version