SHIFRA E DITËS: Ekonomia rritje nga taksat mbi produktet që u rritën me 7 %, bujqësia në rënie dhe drejt falimentit

Aranit Muraçi

Ishin protestat e disa viteve më parë që paralajmëronin atë do të ndodhte nëse nuk do të merreshin masa. Të dhënat më të fundit tregojnë rënien drastike të sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë në vendin tonë, si një zë i rëndësishëm i rritjes ekonomike. Rënia ka arritur në një pikë si në asnjë moment tjetër që kur ka nisur matja sipas të dhënave të INSTAT.

Shifrat e fundit tregojnë se ekonomia po bazohet gjithmonë e më shumë te ndërtimi dhe te shërbimet. Ndërsa rënia ose mungesa e prodhimit mund të sjellin pasoja të rënda në një plan afatgjatë, sepse, rritje pa prodhim nuk ka, siç paraqitet ajo e bazuar aktualisht përmes ndërtimit dhe shërbimeve në një kohë kur popullsia po plaket dhe mosha aktive për punë po largohet. Një fakt tjetër interesant nga të dhënat e fundit tregon se kontribut në rritje kanë dhënë më shumë të ardhurat nga taksat e mbledhura sesa prodhimet bujqësore, çka do të thotë se rritja e e fundit e pagave ka ndihmuar vetëm një pjesë që ka përfituar nga rritja e tyre (kryesisht administrata), për të përballuar rritjen e taksave dhe inflacionin e lartë, ndërkohë që është penalizuar pjesa tjetër e shoqërisë (tabela).

Mungesa e vëmendjes nga të gjitha qeveritë në sektorët e prodhimit si dhe emigracioni i lartë është shoqëruar me pasoja të rëndë në bujqësi.

Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e dytë të vitit 2024 vlerësohet me rritje 4,06 % në terma realë, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2023. Kontribut pozitiv kanë dhënë degët:  “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” me +1,12 pikë përqindje, “Ndërtimi” me +1,12 pikë përqindje, “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” me +0.86 pikë përqindje, “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” me +0.62 pikë përqindje, dhe sektori më i rëndësishëm i ekonomisë sonë “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” me +0,17 pikë përqindje.

Aktiviteti “Ndërtim” shënoi rritje me 10,10%, ndjekur nga grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative”  i cili shënoi rritje 9,58%.

“Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit” shënuan një rritje prej 8,71%, ndjekur nga grupi i aktiviteteve të “Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë” i cili shënoi rritje 8,05%, grupi i aktiviteteve “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” pati një rritje prej 6,48%, grupi i aktiviteteve “Arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të tjera shërbimi” pati rritje me 3,82%, aktiviteti i “Pasurive të Paluajtshme” ka shënuar rritje prej 2,69%.

Aktiviteti i “Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit” shënoi rritje vetëm me 0,56%. Ndërsa Aktiviteti i “Industrisë, Energjisë dhe Ujit” shënoi rënie me 8,91% dhe  grupi i aktiviteteve “Informacioni dhe Komunikacioni” shënuan rënie prej 5,39%.  Taksat Neto mbi produktet u rritën me 7,01%.

Treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto i përshtatur sezonalisht, në tremujorin e dytë 2024, krahasuar me tremujorin paraardhës, vlerësohet me rritje prej 1,18%.

Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme shënoi rritje prej 3,50%, “Aktiviteti Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” shënoi rritje prej 2,97%, Aktiviteti i “Ndërtimit” shënoi një rritje me 1,16%, Aktiviteti i Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rritje prej 1,28% dhe Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit pati rritje prej 0,10%. Ndësa Aktiviteti i “Industrisë, Energjisë dhe Ujit” shënoi një rënie prej 3,96%, grupi  “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” shfaqi rënie me 3,82%,  “Informacioni dhe Komunikacioni” shfaqi rënie me 3,25%, “Arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të tjera shërbimi” u shfaq me rënie me 2,32% dhe “Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit” shënoi rënie prej 0,48%.  Taksat Neto mbi produktet patën një rritje me 1,84%.

Exit mobile version