Shifrat e çmendura

Në pritje të zyrtarizimit të Paul Pogba-së te Manchester United, që do të jetë edhe blerja më e shtrenjtë e historisë së futbollit, “Daily Express” ka zbuluar shifrat e çmendura që Djajtë e Kuq do të shpenzojnë për të patur shërbimet e 23-vjeçarit. Në arkat e Juventusit do të shkojnë plot 133 milionë euro, shumë të cilës bardhezinjtë e patën të pamundur t’i rezistonin. Vetë lojtari do të përfitojë 328 mijë euro në javë, e barasvlefshme me 1.2 milionë euro në muaj. Edhe pse marrëveshja duket praktikisht e mbyllur, Manchester United pritet ta zyrtarizojë vetëm pasi Pogba të kalojë me sukses vizitat mjekësore dhe të hedhë të zezën mbi të bardhë.
Kjo mund të ndodhë para ndeshjes mes Leicesterit dhe Manchester United për Superkupën e Anglisë që do të zhvillohet më 7 gusht. Që pas finales së Europianit, Pogba ndodhet me pushime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka vizituar disa qytete si Miami, Los Angeles, Las Vegas dhe së fundmi New York. Ndërkohë i pyetur për blerjen e francezit, Mourinho është shprehur se nuk mund të flasë për lojtarë që nuk kanë firmosur ende për Manchester United, por ka siguruar gjithashtu se Djajtë e Kuq kanë nevojë edhe për një blerje të madhe, që pa dyshim do të jetë Paul Pogba.
Transferimi i Pogba te United me shifra të çmendura është komentuar gjerësisht nga analistë dhe trajnerë. Trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop kështë shprehur qartësisht se është kundër shifrave të tilla marramendëse për një futbollist të vetëm. “Nëse afron një futbollist dhe ai të kushton 100 milionë paund, ndërsa më pas të dëmtohet, atëherë ke shkatërruar gjithçka. Në ditën kur ky do të jetë normaliteti në futboll, atëherë unë nuk do të punoj më, pasi kjo lojë është për të luajtur të gjithë së bashku. Kjo është mënyra se si të gjithë në futboll e kuptojnë këtë sport. Ti gjithmonë ke qejf të kesh më të mirët, por duhet të ndërtosh një grup që të jesh i suksesshëm”, ishte filozofia e trajnerit të Liverpulit.
Ai la të kuptohet se nuk do të bënte investime me shifra të çmendura, por do të kërkonte lojtarë, të cilët i përshtateshin në mënyrë funksionale ekipit që kishte. “Klube të tjera mund të shpenzojnë shuma të mëdha dhe të koleksionojnë lojtarë të njohur. Por unë dua ta bëj ndryshe. Unë do ta kisha bërë ndryshe edhe nëse do të shpenzoja shifra të tilla.
Në fakt as nuk e di se cila është shifra që mund të shpenzoj, pasi askush nuk më ka thënë deri më sot që nuk mund ta bëjë një gjë të caktuar. Por nëse shpenzoj para, do ta bëj, sepse po mundohem të ndërtoj një skuadër, një skuadër të vërtetë. Barcelona e bëri një gjë të tillë”, theksoi trajneri gjerman i Liverpulit.

Exit mobile version