Edhe Bashkimi Europian në projektet e infrastrukturës i ka dhënë rëndësi ndërtimit të hekurudhave. Në kontrast, Shqipëria në 30 vitet e tranzicionit nuk e ka pasur fokusin në përmirësimin e sistemit të saj hekurudhor, që trashëgoi nga e kaluara, apo në ndërtimin e linjave të reja.
Të dhënat e fundit të Eurostat bëjnë të ditur se Shqipëria në vitin 2023 kishte vetëm 9 metra hekurudhë për 1 kilometër katror, më e ulëta në Europë. Në rajon, dendësinë më të lartë e ka Serbia me 44 metra për km katror, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut (27.4), Kosova (22.8m), Mali i Zi (18.4m).
Ndonëse me vonesë, së fundmi janë bërë hapa për të rigjallëruar rrjetin hekurudhor. Hekurudha Tiranë Durrës, një financim i BERZH po ndërtohet.
Është hapur tenderi për ndërtimin e hekurudhës Vorë- Hani Hotit. Hekurudha Rrogozhinë- Vlorë është në fazë tenderimi të projekt idesë. Hekurudha Durrës-prishtinë është në fazën e hartimit të projektit. Është gati projekti, dhe është kërkuar financim në BERZH për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë.
Europa
Sipas Eurostat, në vitin 2023, rrjeti hekurudhor i BE-së kishte një gjatësi totale prej 200,947 km, me dendësinë më të lartë të linjave hekurudhore të përqendruar në qytetet kryesore dhe qendrat e tjera të popullsisë.
Dendësia më e lartë e rrjetit hekurudhor u regjistrua në Çeki, me 123.2 metra linjë hekurudhore për km². Ndër vendet e tjera të BE-së me dendësi të lartë ishin Belgjika (119.2 m/km²), Gjermania (109.5 m/km²) dhe Luksemburgu (104.8 m/km²).
Në anën tjetër, dendësia më e ulët e rrjetit hekurudhor u regjistrua në Greqi (14.0 m/km²) dhe Finlandë (19.4 m/km²). Dendësi të ulëta u shënuan gjithashtu në Suedi (26.8 m/km²), Estoni (27.2 m/km²), Portugali (27.8 m/km²), Letoni (28.9 m/km²) dhe Irlandë (29.8 m/km²).
Zgjerimi i linjave hekurudhore me shpejtësi të lartë në BE
Në rrjetin hekurudhor të BE-së, linjat hekurudhore me shpejtësi të lartë, të projektuara për shpejtësi mbi 250 km/h, shpesh kalojnë kufijtë kombëtarë, duke mundësuar udhëtime të pandërprera me shpejtësi të lartë brenda BE-së.
Ky rrjet i ndërlidhur ka përjetuar një rritje të ndjeshme gjatë dekadës së fundit. Nga viti 2013 deri në 2023, gjatësia e tij u zgjerua me 2,744 km (+47.2%), duke arritur në 8,556 km.
Në vitin 2023, Spanja kryesoi me 3,190 km linja me shpejtësi të lartë, një rritje prej 66% nga 1,919 km në vitin 2013, e ndjekur nga Franca me 2,748 km (+35% nga 2,036 km), Gjermania me 1,163 km (+32% nga 881 km) dhe Italia me 1,097 km (+63% nga 675 km). Belgjika regjistroi 211 km linja me shpejtësi të lartë dhe Holanda 90 km (të pandryshuara nga viti 2013). Danimarka ka 57 km, të inauguruara në vitin 2019./Monitor