Këto javë po publikohen, njëra pas tjetrës, disa të dhëna ekonomike për vitin e shkuar. Sipas këtyre të dhënave bëhet e ditur se eksportet në vitin 2015 kanë qenë në vlerën rreth 1,8 miliard euro, kanë pësuar rënie të ndjeshme dhe parashikohet të bien edhe më tej. Përsa i përket importeve, ato paraqiten me rreth 4 miliardë euro, janë të qëndrueshme pa patur ndryshime të ndjeshme. Defiçiti tregtar me 2,2 miliardë euro është rritur e pritet që do të rritet më tej përderisa pritet ulje e eksporteve. Të ardhurat nga emigrantët, me rreth 600 milionë euro, duken stabël në krahasim me dy vitet e fundit. Investimet e huaja janë deklaruar më shumë se 900 milionë euro, të rritura në krahasim me 2014, por nuk ka patur asnjë informacion mbështetës apo shenjë të dukshme që kjo të jetë e vërtetë. Borxhi i jashtëm, publik e privat, u rrit me 700 milionë euro gjatë vitit. Totali i borxhit të jashtëm në fund të 2015 arriti në rreth 7,6 miliardë euro. Totali i depozitave bankare në fund të 2015-ës ishte rreth 7,6 miliardë euro. Shifrat e mësipërme, në një shpjegim të thjeshtësuar do të thonë që: gjatë 2015-ës kemi konsumuar 2,2 miliardë euro mallra më shumë nga sa kemi eksportuar, të cilat i kemi paguar me ato pak të ardhura nga emigracioni (600 milionë), me investimentet e huaja (900 milionë) dhe pjesën tjetër me borxhe nga jashtë vendit (700 milionë). Kjo gjendje zgjat prej vitesh, në mënyrë të pandryshueshme. Kemi arritur në një situatë financiare, ku borxhi i jashtëm i kompanisë Shqipëria (shteti 43 për qind, bankat 18 për qind dhe privatët 22 për qind) është i njëjtë me depozitat ( kryesisht të privatëve) në bankat e vendit. Me pak fjalë, në qoftë se do shlyenim të gjitha borxhet, nuk do të mbetej asnjë gjë në bankë. Në realitet, nga 7,6 miliardë euro në depozita më tepër se gjysma janë angazhuar si kredi të dhëna ekonomisë shqiptare, ku rreth një e katërta janë, tashmë, borxh i keq. Përtej parashikimeve pompoze të qeverisë, ecuria e eksporteve dhe huave do të vazhdojë e tillë, në mos do të përkeqësohet këtë vit, në rastin që shteti do të ndërhyjë financiarisht për të shpëtuar nga falimentimi i paralajmëruar në kompanitë më të mëdha debitore. Investimet e huaja janë tepër të vështira për t’u matur dhe akoma më të vështira për t’u vlerësuar si parashikim—vetëm për projektet e mëdha shumëvjeçare si Hidrocentrali i Devollit apo TAP-i mund të bëhet ndonjë parashikim. Deri tani, përveç këtyre dy investimeve që do të përfundojnë relativisht shpejt, në horizont nuk duket asgjë tjetër. Natyrisht ka thashetheme që nuk bëhen asnjëherë realitet për konçesione që kërkojnë vite të tëra të fillojnë. Me pak fjalë, gjatë dy viteve të fundit ekonomia po mbahet me investimet e projektet e projektuara dhe vendosura në të shkuarën, ndërkohë që mungojnë projektet që duhet të garantojnë shëndetin ekonomik në të ardhmen.
Si po degradon ekonomia
• Eksportet, në vlerën rreth 1,8 miliard euro, kanë pësuar rënie të ndjeshme dhe parashikohet të bien edhe më tej.
• Importet, me rreth 4 miliardë euro, janë të qëndrueshme pa patur ndryshime të ndjeshme.
• Defiçiti tregtar me 2,2 miliardë euro është rritur e pritet që do të rritet më tej përderisa pritet ulje e eksporteve.
• Të ardhurat nga emigrantët, me rreth 600 milionë euro, duken stabël në krahasim me dy vitet e fundit.
• Investimet e huaja janë deklaruar më shumë se 900 milionë euro, të rritura në krahasim me 2014, por nuk ka patur asnjë informacion mbështetës apo shenjë të dukshme që kjo të jetë e vërtetë.
• Borxhi i jashtëm, publik e privat, u rrit me 700 milionë euro gjatë vitit.
• Totali i borxhit të jashtëm në fund të 2015 arriti në rreth 7,6 miliardë euro.
• Totali i depozitave bankare në fund të 2015-ës ishte rreth 7,6 miliardë euro.