Shifrat e turpit, ujësjellësi me koncesion

Si po ia faturon Erion Veliaj paaftësinë e tij banorëve të Tiranës? Bashkia Tiranë miratoi rritjen e çmimit të ujit me 45%.
Pas kësaj rritjeje fshihet paaftësia menaxhuese e Bashkisë, që drejtohet nga Erion Veliaj. Më 2015-n, kur në krye të Bashkisë erdhi Veliaj, arkëtimet e pambledhura u rritën me 45%.
Edhe në vitin 2016 ka vazhduar përkeqësimi. Në dy vjet që Veliaj drejton Bashkinë, arkëtimet e pambledhura u rritën me 54%. Sot tutkunëve të Bashkisë u mungojnë rreth 22 milionë euro për shkak të paaftësisë, makutërisë dhe hajdutërisë së tyre dhe këtë dështim Veliaj po kërkon t’ia faturojë banorëve të Tiranës, duke u fshehur pas premtimit se do u sigurojë ujë për 24 orë!
Ne jemi një ndër vendet më të pasura me ujëra në Europë. Çmimi që paguajnë banorët e Tiranës është ndër më të lartët në rajon e më gjerë. UKT është me fitim të vogël, edhe pse vidhet e plaçkitet barbarisht nga “Rilindja”. Ky institucion faturon vetëm 20% të sasisë së ujit që shet. Duke përmirësuar rrjetin dhe menaxhimin, të ardhurat e UKT mund të katërfishohen. Pse rritet çmimi i ujit atëherë?
Rama mesa duket po përgatit dhënien me koncesion të UKT. Duhet të rrisë çmimet dhe mundësitë për fitime abuzive përpara se t’ia japë edhe ujin miqve të tij. Po të ndalojë vjedhja, grabitja dhe keqmenaxhimi, UKT mund të realizojë minimalisht një fitim mbi 25 milionë dollarë në vit me çmimet që ka aktualisht për ujin. Kjo ndërmarrje i ka të gjitha mundësitë të financojë të gjitha projektet që do i mundësonin furnizimin me ujë për 24 orë Tiranës brenda 5 vitesh.
Veliaj nuk sheh asnjë rrugë tjetër veçse ta bëjë çmimin e ujit sa Korça dhe sa Pogradeci. Sa qesharake! Sipas këtij “arsyetimi” çdo ujësjellës në botë që furnizon nevojat e klientëve për 24 orë duhet ta ketë çmimin sa uji i Korçës! Kështu thotë Veliaj. Dhe s’ka faj! Përvoja e tij e kufizuar pa background profesional nuk i këshillon gjë tjetër veç rritjes së çmimit!

Manjani-Ramës: Po çon popullin për ndjekje penale

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar në lidhje me procedimin penal të nisur ndaj protestuesve të Partisë Demokratike mbi rritjen e çmimit të ujit të pijshëm para Bashkisë së Tiranës.
Manjani akuzon direkt kryeministrin Edi Rama, teksa shkruan në Facebook se, ai fajëson gjithmonë aleatët, edhe kur thotë që aleat ka popullin. Në këtë rast, vijon ish-ministri, e çoi popullin në ndjekje penale, edhe pse nuk protestoi për të rrëzuar qeverinë, por për çmimin e ujit.
“Fajin e kanë aleatët. Çoi popullin në ndjekje penale?! Pse, ç’bëri populli? Protestoi. Për çfarë? Për të rrëzuar qeverinë? Jo, për çmimin e ujit. Po ky sikur e ka aleat popullin në qeveri?! Këtij gjithnjë fajin ia kanë aleatët… Aleatët janë ‘tepsia’, ‘kazani’, ‘legeni’, ‘qypi’… Ç’faj ka ai?”, shkruan Manjani.

Si u falsifikua lista e LSI në Këshillin Bashkiak

Çështja e miratimit të çmimit të ujit të pijshëm nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, para dy ditëve, jo vetëm që shkatërroi marrëdhëniet e mira mes kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj me LSI-në, por edhe ka nxjerrë një skandal të madh, ku janë përzier bashkia, KQZ dhe PS.
Duke nxituar që të mbledhin vota kudo e sido, kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës (përfaqësues i PS) ka krijuar një precedent të rrezikshëm. Pasi LSI nuk mori pjesë në votim dhe pasi PD-ja krijoi kuorumin, por më pas iku, dikush ka nxituar që të nisë në KQZ zëvendësimin e listës së LSI, ku në të vërtetë i takonte Lindita Veliasit, por kanë dërguar emrin e Genta Mezinit, me të cilën siç duket kanë rënë dakord se e miratojnë me shpejtësi si këshilltare, por me kushtin që të tradhtojë LSI e të kalojë me PS. Kjo është bërë nga kryetari i Këshillit Bashkiak Aldrin Dalipi, i cili pas këtij veprimi rrezikon jo vetëm padinë në Prokurori, por ka informacione se do të kërkohet shkarkimi i tij nga kryetar.
Prokuroria do të hapë hetim për autorin e dërgimit të listës së falsifikuar në KQZ për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim të dokumenteve zyrtare”. Po kështu edhe nga administrata e KQZ ka shpërdorim detyre, pasi një kopje të listës së depozituar nga LSI (dhe çdo parti politike) e ka në dosjet e saj, sepse e detyron ligji.
Pra, nga nxitimi apo dëshira për të bërë numrin 31 këshilltarë, që mbetet shumica në Këshillin Bashkiak, kanë spostuar emrin në listën e këshilltarëve të bashkisë të LSI. Në vend të Lindita Veliasit kanë çuar emrin pas Linditës, duke kapërcyer radhën kushtetuese, pra Genta Mezini. Genta rezultoi se votoi pro PS dhe Erion Veliajt.
Përveç kësaj shkeljeje ligjore e kushtetuese, për spostimin e emrit në listë, ndërkohë që Lindita Veliasi nuk ka asnjë kërkesë për dorëheqje nga lista, drejtuesit e Këshillit Bashkiak kanë bërë edhe një shkelje tjetër ligjore. Genta Mezini, e cila është miratuar me shpejtësi si anëtare e re e Këshillit Bashkiak, ka hyrë me vonesë në mbledhje dhe ka votuar për rritjen e çmimit të ujit, pa bërë betimin. Si rregull deputet apo anëtar këshilli duhet të bësh betimin së pari në Parlament apo në këshill dhe më pas voton sipas dëshirës tënde, edhe kundër partisë që të ka propozuar.

Exit mobile version