Shifrat që rrëzojnë sondazhet e Ramës

Edi Rama nën panikun e humbjes ka angazhuar të gjithë arsenalin e tij mediatik për të manipuluar opinionin me sondazhe dhe llogari të paqena, sikur PS do mund të marrë e vetme 71 apo më shumë mandate në zgjedhje.  Duket sikur është e njëjta skemë me atë çka ndodhi me sondazhet në Shtetet e Bashkuara, ku media të kapura nga miliarderi Xhorxh Soros, nxirrnin shifra që tregonin kandidaten Klinton, fituese me përqindje të konsiderueshme, por në realitet situata ishte krejt ndryshe. Manipulimi i opinionit publik në fakt bëhet në rastet kur pushteti sheh rrjedhje të mëdha votash, për shkaqe të ndryshme dhe kërkon që me anë të tyre ose të dekurajojë elektoratin e kundërshtarit dhe të pavendosurit, ose po kur po përgatit skema manipulimi dhe kërkon, që me këto sondazhe të justifikojë pas zgjedhjeve allishverishet që ka bërë.

Shifrat

T’i kthehemi dhe një herë shifrave dhe të shohim se në çfarë pozicioni ndodhet sot Partia Socialiste. Po t’i referohemi trendit të shifrave në dy zgjedhjet e fundit do shohim se rezultati maksimal i saj ka qenë viti 2013, ku Paria Socialiste ka marrë 713 mijë vota, nga 620 që kishte marrë e vetme në vitin 2009. Rritja është e barabartë me 93 mijë vota, ose gati 14 për qind. Në fakt, kjo rritje erdhi dhe si pasojë e premtimeve për 300 mijë vende pune, legalizime e shëndetësie falas etj., etj, që rezultuan një mashtrim, por supozojmë se Partia Socialiste do të mbajë të njëjtën rezultat siç përpiqen të aludojnë mediat afër Ramës, me sondazhet apo hesapet e tyre. Por meqë i referohen këtij viti, pra 2013-ës duhet ta dijnë se një mandat atëherë u konvertua me 12.319 vota në rang vendi, në një ndarje të barabartë në rastet kur partitë do dilnin të vetme në zgjedhje. Sot koalicioni i majtë është ndarë në 15 parti, ku LSI është më vetë, PSD dhe PDS më vete, dhe i gjithë spektri politik i majtë garon më vete. Bazuar në shifrën e mësipërme kemi, shohim se numri i votave që ka marrë e vetme Partia Socialiste nuk mjafton as për 60 mandate. Pra, për të bërë dhe 60 mandate si forcë e vetme siç është sot PS i duhen dhe ndonja 30 mijë vota në rang vendi.

Numri magjik

Por sa vota i duhen Edi Ramës që të bëjë të paktën 71 mandate për të bërë qeverinë siç pretendon. Në bazë të llogaritjeve me zgjedhjet e fundit, i duhen jo pak, por 850 mijë vota, ose dhe 137 mijë vota më shumë se sa mori në vitin më të mirë të saj. Pra, me rritjen e energjisë, me papunësinë, rritjen e taksave, zhvatjen me koncensione, braktisjen e vendit, vrasjen e shpresës, copëtimin e të majtës në 15 parti që kërkojnë votat tek tava e të majtës, duhet të besojmë që Edi Rama dhe sejmenët e tij janë rritur me më shumë se 11 mijë vota për çdo qark të vendit, pra, me rreth një mandat për çdo qark. Këtë vetëm ata që bëjnë sondazhet e Edi Ramës mund ta besojnë. Baza e votave të Partisë Socialiste që Edi Rama merr për çdo zgjedhje nuk është më shumë se 620-630 mijë vota, dhe me aleatët tradicional shkon në 680-690 mijë vota në rang vendi. Viti 2013, ishte diçka tjetër, por dhe atëherë Rama për shkak të koalicionit dhe marrjes së votave të partive të tjera ju shtuan jo pak, por gati katër mandate. Pra sondazhet, që Ramën e nxjerrin fitues deri në atë pikë sa të bëjë koalicion i vetëm janë broçkulla të qëllimshme, që bëhen në ditën e zezë të tij. Edhe lufta që i ka hapur ish aleatëve të tij, bëhet në funkskion të  kësaj. Rama kërkon që humbjen ta plotësojë me votën që do u marrë atyre, prandaj bën thirrje që mos votohen partitë e vogla.

56% e njerëzve të pakënaqur nga qeveria Rama

Po çka është më qesharakja dhe e nxjerr Rzamën zbuluar, është dhe një sondazh i realizuar nga kompania e njohur Gallup. Ky sondazh bien në kontradiktë të thellë me shifrat që na servirin kompanitë e paguara nga pushteti. Sipas Gallup, në listën e vendeve ku njerëzit duan ta braktisin vendin, Shqipëria mban vendin e dytë me 56% të popullsisë që kërkon ta braktisë. Më mirë se ne paraqiten dhe vende si Haiti, Kinshasa, Congo, Gana, Sudani, Nigeria, madje dhe fqinji ynë Bosnje-Hercegovina. Vendi më i keq se sa ne është Sierra Leone e zhytur në luftëra civile dhe ku jetëgjatësia mesatare e njerëzve atje është 30 vjeç. Si shkak kryesor se përse shqiptarët kërkojnë të emigrojnë në këto përmasa, Gallup rendit papunësinë, gjendjen e rënduar ekonomike dhe mungesën e shpresës. Shifrat janë më shumë se skandaloze për një vend që aspiron të anëtarësohet në BE dhe është vend anëtar i NATO-s, tashmë prej 9 vjetësh. Në fakt, shenjat shqiptarët i kanë dhënë, por vetëm Edi Rama s’ka dashur t’i pranojë ato. Por në pasqyrën e sondazhin bëhen krahasimet dhe para vitit 2013 dhe rezulton një tjetër panoramë. Sipas sondazhit, deri në vitin 2013 vetëm 36 për qind e shqiptarëve shprehnin dëshirën për të emigruar. Por duket se gjithçka ka ndryshuar pas këtij viti, kur Rilindja mori pushtetin. Deri në vitin 2016, pra në një hark kohor prej tre vitesh, shifra e shqiptarëve është rritur dhe me 20 për qind të tjera ose pak a shumë 600 mijë më shumë shqiptarë që kërkojnë të largohen nga vendi i tyre për shkak të mungesës së shpresës.

Aleatët e PD nën një sigël, i siguron opozitës shumicën

Dalja e aleatëve nën një sigël me PD i siguron koalicionit opozitar 105 mijë vota, të cilat në bazë të sistemit të përllogaritjes përkthehen në mandate, duke bërë që asnjë votë e hedhur për siglën e PD-së mos të shkojë kot. Opozita, në krahasim me katër vite më parë, vetëm për shkak të strategjisë i shtohet numri i votave të sipërpërmendura, po kësaj shifre duhet t’i shtohen dhe rrethana të tjera, siç janë pakënaqësia apo lufta e egër që u ka hapur kampi i majtë ish-aleatëve të saj, duke bërë që PD dhe aleatët të dalin forcë e parë. Mos harrojmë se, nëse s’do të ishin në koalicion, as PS dhe as LSI s’do të merrnin numrin e mandateve që morën duke qenë bashkë, pasi sistemi ndihmon partitë të përkthejnë në mandate sipas votave kandidatët e tyre. Për shembull, në një qark ku kandidati i PS nuk plotëson dot votat për të marrë mandatin nën siglën e partisë së tij, atëherë sistemi këto vota i merr nga partitë aleate. Por e njëjta gjë ndodh dhe me partitë aleate në rast se janë në kufirin e kërkuar të pragut elektoral, atëherë ato ndihmohen me numër votash nga partia më e madhe. Gjithsesi, nga përllogaritjet më e fituar nga kjo lojë ka dalë Partia Socialiste si partia më e madhe në koalicion, pasi ka pasur raste që partitë e tjera, përfshi LSI kanë marrë dhe 13 mijë vota në rang qarku që s’i kanë përkthyer në mandate dhe këto vota kanë ndihmuar PS-në, pasi pas numrit të votave duhet të arrihet dhe përqindja e caktuar në bazë qarku për të zënë vendin në Kuvend.

Skenari i Ramës për manipulimin e votave në Fier

Një media afër qeverisë dje aludonte e sigurtë se bazuar në votat e vitit 2013, PS e ka të sigurt mandatin e nëntë të Fierit ose e thënë më saktë atë të sekretarit të Përgjithshëm, Gramoz Ruçi. Në fakt nuk e dimë se ku e gjen sigurinë kjo media, por duket se Edi Rama diçka po kurdis me zgjedhjet e Fierit, ku fillimisht e dërgoi që ta digjte Ruçin, por mesa duket tashmë i duhet në luftën e tij me Ilir Metën. Por kjo është punë e PS-së dhe ajo që duhet sqaruar është se PS nuk i merr dot 9 mandate në Fier bazuar në rezultatet e vitit 2013, pavarësisht shkrimeve të porositura që vijnë nga zyra e shitësit të fiqve në Bashkinë e Tiranës. Praktikisht bazuar në rezultatet e vitit 2013, Ruçit i duhen dhe 24 mijë vota që të arrijë këtë rezultat. Nuk e dimë se si i bëjnë hesapet rilindasit dhe bashkë me ta Edi Rama, por po i japim ca të dhëna. PS e vetme në vitin 2013 mori 44% ose 89 mijë vota në Qarkun e Fierit. Ky qark në këtë kohë për të nxjerrë një deputet i janë nevojitur rreth 12700 vota për një parti e në kushtet kur garon e vetme siç garon dhe PS aktualisht. Në të njëjtat kushte kjo forcë politike dhe në vitin 2013 nuk do i merrte më shumë se 7 deputetë dhe ja përse. Partia Socialiste duke hequr votat e LSI në këtë qark si parti e koalicionit ka marrë nga sistemi dhe votat e partive të tjera shifrën e 107 mijë votave, pra 18 mijë vota më shumë që në këto zgjedhje nuk i ka. Por dhe me 107 mijë vota, të partive të tjera si PSD, PDS, Aleanca Popullore (të regjistruara të gjitha më vete dhe që do të bëjnë luftën e tyre) sërish nuk i bën dot më shumë se 8 mandate. Numrin magjik 9 asokohe ia siguroi koalicioni, pasi koalicioni i djathtë ishte larg mandatit të gjashtë. Shifrat janë kokëforta, por le të bëjmë dhe një llogari tjetër, duke iu referuar të njëjtave shifra që duket se e kanë me qejf t’i referohen matematicienët e Ramës. Përqindja e shifrës 89 mijë në Qarkun e Fierit nuk është më shumë se 44%, që do të thotë më pak se gjysma ose më pak se 8 deputetë. Një mandat pa koalicione në Qarkun e Fierit kërkon rreth 6.3 për qind të totalit të votave. Llogaritë sërish nuk dalin dhe rezulton se PS-së i duhet një rritje prej 12 për qindësh që të arrijë shifrën magjike për të dalë Ruçi fitues ose aq sa e nxori një sondazh i paguar nga Rama, 56% në këtë qark. Pra, llogaria është bërë sikur opozita mos ishte në zgjedhje, por ja që opozita është dhe pretendon në këtë qark të paktën gjashtë mandate. Gramoz Ruçi mund të dalë deputet në këtë qark, vetëm po i fali votat e saj LSI dhe mos marrë asnjë deputet. Por a do të pranojë kjo forcë politike, pas debateve të fundit të lerë jashtë Parlamentit kryetarin e saj, Petrit Vasilin që është në krye të listës në këtë qark? Si vështirë. Atëherë ku do i gjejë votat Rama për të shpëtuar Ruçin nga humbja e sigurtë në rast se s’ka menduar ndonjë skemë manipulimi?

Armand MAHO

Exit mobile version