Shigjeta e Murinjos

Të dielën, Premier Legue premton një përballje titanësh me derbin e shumëpritur të Manchesterit, ku “Djajtë e Kuq” do të tentojnë të ngushtojnë diferencën ndaj kryesuesve të City-t. Por dueli në këtë sifdë zhvillohet edhe në stolin e trajnerëve. Përballë njëri-tjetrit dy rivalë të vjetër, portugezi Mourinho dhe spanjolli Guradiola. Si gjithmonë, kontrovers “The Special One” para kësaj supersfide, kur e quan Guardiolën gënjeshtar lidhur me dëmtimin e David Silvës, të cilin Pep e ka lënë jashtë për ndeshjen e Championsit ndaj Shaktarit. Mou beson se kjo është vetëm një strategji e Guardiolës, që Silva të jetë në formën më të mirë për ndeshjen ndaj United. Të njëjtën gjë, sipas portugezit, bëri edhe Wenger me Lacazette.
“Eric Bailly dhe Carrick nuk kanë asnjë shans për të luajtur. Një mundësi mund të kenë Phil Jones dhe Fellaini, sikurse edhe Zlatan Ibrahimoviç, ndërkohë që Matiç do të jetë pjesë e formacionit. Kjo është e vërteta, ai është i dëmtuar, por do të luajë. Unë nuk sajoj historira si ato të Lacazette apo David Silvas, këto sajesa ua lëmë kundërshtarëve tanë. Sërish ata kompleksohen para nesh, ndërkohë që në tregohemi shumë modestë. Kur lojtarët janë të dëmtuar unë e them gjithmonë të vërtetën, nuk gënjej asnjëherë”, u shpreh Murinjo.
Paul Pogba u ka kërkuar bashkëlojtarëve të Manchester United që ta fitojnë ndeshjen me rivalët e hidhur të Manchester City, në derbin e së dielës. Mesfushori francez është i pezulluar për ndeshjen kundër skuadrës së Pep Guardiolës, që kryeson Premier League, me tetë pikë më shumë se të besuarit e Jose Mourinhos, pasi u dëbua nga fusha gjatë fitores 3-1 kundër Arsenalit. Megjithatë, Pogba i ka bërë thirrje Manchester United të hidhet në sulm, pasi të tijtë synojnë të shohin veten më pranë “qytetarëve”, në garën e titullit. “Ne duhet të sulmojmë, u tha ai gazetarëve, kur u pyet si duhet të luajë Manchester United ndaj rivalëve të vet. “Për të fituar këto lojëra ju duhet të jepni gjithçka, duhet ta vrisni ndeshjen kur keni një shans. “Qytetarët” kanë cilësi edhe përpara dhe mund ta vrasin ndeshjen në çdo kohë. Ata janë të parët, sepse kanë bërë mirë në fillim të sezonit e deri më tani. Vazhdojnë të fitojnë dhe nuk kanë humbur asnjë ndeshje. Natyrisht, janë shumë të fortë”, tha Pogba.
Ndërsa Pogba do të jetë mënjanë në ndeshjen derbi të Manchesterit, ai beson në aftësitë e shokëve të tij të ekipit për ta fituar ndeshjen. “Kam besim të plotë tek ekipi. Edhe pse nuk do të jem në fushë me ta, do të jem atje, duke shikuar lojën dhe duke dhënë energji pozitive. Shpresojmë se do të fitojmë. Jam shumë i zhgënjyer për mungesën time, sepse me të vërtetë dëshiroj ta ndihmoj ekipin, të jem atje për këtë derbi. Po luajmë kundër Manchester City dhe në këtë moment kemi nevojë për pikë. Duhet të fitojmë. Është një derbi i madh dhe atmosfera do të jetë e madhe. Kjo është ndeshja që të gjithë dëshirojnë të luajnë. Për fat të keq, unë nuk do të luaj, por do të jem atje për ta ndihmuar ekipin mentalisht”, u shpreh Pogba.

Artikulli paraprakTrajneri i mrekullisë jep dorëheqjen papritur
Artikulli tjetër“Ronaldo meriton më shumë respekt”