Në atë kohë, në Shqipëri, më 1 Maj në sheshin kryesor të Tiranës, qindra mijra njerëz manifestuan të gëzuar, pikërisht për të demonstruar me krenari sukseset e tyre në vendin e punës, në të gjitha frontet e prodhimit. Arritjet e punës, siç raportohej bilanci pozitiv, i treguan shtetit, i cili u kishte garantuar qytetarëve punën, në përputhje me sistemin në fuqi.
Ndaj, ishte “detyra” e popullit punonjës, t’u tregonte eksponentëve të udhëheqjes së lartë të vendit, rezultatet e larta dhe pozitive të ekonomisë shtetërore, të arritura gjatë vitit dhe kjo më 1 Maj, u dëshmua në të njëjtën kohë, si një mundësi e rëndësishme për t’i falenderuar ata, për mirëqenien që popullit, ia nxirrte pikërisht nga perspektiva e punës në vetvete, e garantuar nga “kompania shtetërore” e madhe.
Një vështrim mbi historinë dhe konceptimin e punës në Shqipëri gjatë sistemit komunist diktatorial
[…] Ky ishte traktori i parë “Made in Albania”, i prodhuar nga industria mekanike shqiptare në vitin 1978, me forcat e veta, në një Shqipëri nën diktaturë dhe në autarki të plotë. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, lufta e Partisë Komuniste Shqiptare, filloi ta shndërronte vendin; nga një vend i prapambetur bujqësor, në një vend bujqësor-industrial.
Kongresi i parë i Partisë u zhvillua në vitin 1948. Fokusi ishte në punën themelore për industrializimin dhe elektrifikimin e vendit. Industria: Pikat vendimtare ishin ato të qenësishme për zgjerimin e prodhimit kombëtar. Industrializimi socialist, duhet të ishte aplikuar me ritme shumë të shpejta, për ta nxjerrë vendin nga prapambetja, në një kohë rekord, duke u mbështetur në pasuritë e tokës dhe nëntokës, duke shfrytëzuar atë pak industri ekzistuese dhe duke krijuar një të re. Në fshat, ishte në fuqi slogani: “Përkrahni fshatarin e varfër, aleancë me fshatarin e mesëm dhe luftoni kundër kulakëve”! (Tedi Papavrami. Libri : “Fuga për violinë solo”)
Më pas Partia Komuniste Shqiptare e formuar në vitin 1941 mori emrin Partia e Punës, për të mbërritur deri më 12 qershor 1991, me fryrjen e erërave të ndryshimeve politike dhe shoqërore në të gjithë Evropën Lindore – e inicializuar tashmë me rënien e Murit të Berlinit në 1989 – për të ndryshuar, përkufizim për Partinë Socialiste të Shqipërisë.
Rregullimi i “katrorëve” njerëzorë!
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” i Tiranës, vendi më i rëndësishëm qendror i kryeqytetit, që ka si fillim “Sheshin Skënderbej” dhe si fund Sheshin “Nënë Tereza” – ndër të tjera, një rrugë e projektuar nga arkitekti italian Gherardo Bosio gjatë pushtimit italian të Shqipërisë së vitit 1939 – në vitet e diktaturës, në 1 maj, u pushtua nga një turmë e madhe, qindra mijra njerëz, që demonstronin e manifestonin para tribunës së ngritur për Byronë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, e kryesuar nga diktatori Enver Hoxha.
Madje kam ende në vesh zërin zyrtar që shoqëronte lajmet e këtyre manifestimeve në Radio-Televizion, Alfons Gurashi (më duhet të them, një zë me një timbër dhe intonacion shumë të bukur e të veçantë) dhe komentet e tij profesionale, të denja për një gazetar të shkëlqyer televiziv shqiptar, të cilat i sollte në çdo shtëpi, përmes ekranit të vogël, emocionet e kësaj dite që mobilizuan të gjithë vendin dhe siguroi që sytë e të gjithëve, të përqendroheshin ekskluzivisht në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, për këtë festë.
Njerëzve u duheshin muaj dhe muaj të tërë përgatitjeje për këtë manifestim. Të radhitur në një mënyrë gjeometrike rigorozisht të saktë, ato përbëheshin nga katrorë të mëdhenj njerëzorë, pra me njerëz, të cilët, të euforizuar për ngjarjen, vazhduan ecjen me një ritëm marshimi, përgjatë rrugës.
Kuadrati i parë që nisi manifestimin, ishte ai i mbajtësve të flamurit kombëtar, më pas kuadratet e tjera të përbërë nga punëtorë të ndryshëm të industrisë së rëndë, si; minatorët, ata që punonin në sektorët e metalurgjisë, çelikut dhe energjetikës, etj. Pasuan më tej kuadratet e industrisë së lehtë dhe ushqimore, dhe më pas pamë që kuadratet e punonjësve të shërbimeve, si tregtia, shëndetësia dhe punonjësit e Komitetit Ekzekutiv të kryeqytetit, të rreshtoheshin gati për parakalim. Pas tyre ishin kooperativistët dhe punonjësit e blegtorisë së fermave shtetërore.
Më pas parakaluan grupet e të rinjve të vullnetarëve, pra ata që morën pjesë vullnetarisht në ndërtimin e hekurudhave shtetërore, hidrocentraleve apo në tarracat e kodrave. Më pas radhën e kishin kuadratet me nxënësit gjimnazistë dhe ata të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Më pas, mbërritën të paktën dhjetë kuadrate me ushtarë të Forcave të Armatosura, por me armë të lehta mbi to.
Më pas, i takonte një kuadrati gjigant me nxënës të shkollave të mesme, si dhe të ashtuquajturve “Pionierë”, të performonin, të cilët paraqitën një shfaqje të vërtetë, duke kënduar me zë të lartë “Internacionalen”. Manifestimi u mbyll me shfaqjen e kuadratit të artistëve, si ato të Radios, Televizionit, Kinostudios “shqipëria e Re”, Operës, Baletit, Teatrit Popullor dhe më pas shtypit.
Në këtë mënyrë, përballë tribunës, në avenue, u interpretuan vallet tradicionale të vendit nga artistë të veshur me veshje folklorike shqiptare dhe të njëjtat u kënduan nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore.
Rreth 100 mijë persona, marshuan para tribunës ku kryesonte Enver Hoxha, anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri dhe shumë të ftuar të tjerë nderi, të ardhur nga vende të ndryshme të botës, që ishin përfaqësues të partive marksiste-leniniste. Lajmi për këtë ngjarje, u transmetua edhe nga shumë televizione të huaja”.
“Edhe shiu pushoi, sepse Enveri u shfaq në tribunë”
“Edhe shiu pushoi, se doli Enveri në tribunë! Ishte ai që na solli diellin”! – brohoritën manifestuesit dhe veteranët për udhëheqësin dhe diktatorin komunist, Enver Hoxha, cili nderohej si një hyjni, aq sa shqiptarët kishin rënë në idhujtari, për shkak të personalitetit të tij.
Në këtë rast, kështu, ndodhi që në Tiranë të binte shi gjatë manifestimeve popullore të 1 Majit, pikërisht në momentin që udhëheqësi kryesor, Enver Hoxha, do të hynte në tribunë, në skenën e ngritur posaçërisht për anëtarët e Byrosë Politike, nga disa njerëz, u bënë pasthirrma të çuditshme, për shkak të ideve të ngulitura në kokën e tyre, se; “Dielli do të shfaqej në të njëjtën kohë, kur lideri suprem i vendit, Enver Hoxha, doli në skenë”!
“Doni të shihni që kjo ndodh vërtet”? – disa po sfidonin njëri-tjetrin, aq të bindur, në një lloj basti që e lidhte udhëheqësin komunist, me një hyjni të aftë për të kryer mrekulli, përfshirë ato meteorologjike! Këto ishin vetëm një pjesë e dëmit të shkaktuar nga lartësimi i kultit të individit i cili, kishte marrë përmasa të jashtëzakonshme, në regjimin diktatorial në Shqipëri.
Por pas pak, ndoshta do të kuptonin se shfaqja e udhëheqësit komunist në tribuna, nuk do të kishte atë fuqi të veçantë që njerëzit i atribuonin subjektivisht. Ato buqeta me lule letre krep me ngjyra, që mbanin në duar, të punuara në formën e një trëndafili, i cili në vend të kërcellit kishte një tel të mbuluar me letër dhe që shpesh shponte rastësisht duart, duke i tundur mbi kokë, duke brohoritur udhëheqësin, duke vizatuar një portret të tij, pasi do të lageshin nga shiu, ata thjesht do t’i mbushnin të gjitha rrobat e tyre, me njolla…! Por nuk ishte as “panem et circenses”. Njerëzit vërtet besuan në gjithë këtë mobilizim.
Lulet dekorative prej letre ‘krep’, që u përdorën për demonstratën e madhe të 1 Majit
Simboli dallues i skenografisë së manifestimeve, lulet me ngjyra prej letre krep, që mbushën duart e kuadrateve që parakaluan për 1 Majin, kujtohen nga të gjithë shqiptarët, që i përkasin të ashtuquajturve “breza manifestuesish”.
Ishin lule dekorative, të cilat ishin paketuar nga përgjegjësit paraprakisht dhe u shpërndaheshin institucioneve arsimore apo qendrave të punës e prodhimit, së bashku me uniformat, të destinuara për eventin e radhës.
Në mëngjesin e 1 Majit, kur isha ende fëmijë, me shoqet e mia, duke jetuar një hedhje guri nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku ndodhi ngjarja e madhe, dolëm dhe u pozicionuam buzë një gjelbërimi të madh. Lëndinë – në të cilën zakonisht luanim gjatë javës – duke pritur të gjithë manifestuesit, të cilët, për të arritur në shesh, do të kishin kaluar domosdoshmërish pranë fushës sonë. Ky terren ndër të tjera, ishte ngjitur me Ambasadën Italiane.
Nga sheshi, dëgjuan tingujt e ndonjë instrumenti muzikor apo mikrofoni. Ata kanë qenë ekspertët, të cilët kanë kryer testet përfundimtare teknike akustike, nga tribuna e destinuar për “shokët e udhëheqjes” së lartë të Partisë së Punës Shqipërisë.
Zakonisht vishnim rroba të reja për këtë rast. Të lumtur dhe të shqetësuar, pritëm në radhë për ardhjen e manifestuesve, duke ngritur strategjikisht, sipas mënyrës tonë, “një pritë”.
A do ta pyesni veten pse? Për t’i kërkuar që të na japin disa lule letre krep, ato që përbënin buqetat e tyre dhe me të cilat do të bënin performancën e tyre në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”!
Ata e dinin këtë “zakon” të fëmijëve të lagjes ngjitur me Sheshin kryesor, ndaj me dashamirësi, shkëputën disa lule nga buqeta e tyre artificiale dhe na i hodhën, duke u bërë një gëzim i madh për ne.
Duke pasur parasysh që aty kalonin qindra njerëz, ne fëmijët morëm aq shumë lule letre, për t’i çuar në shtëpi, sa nuk dinim ku t’i vendosnim. Në këtë mënyrë, në shtëpitë e lagjes sonë, atmosfera e festës së 1 Majit përforcohej dhe ndihej edhe më shumë, për shkak të këtyre zbukurimeve që fëmijët sillnin nga jashtë, me bëmat e tyre tipike fëminore, por karakteristike për kohët në të cilat ata jetuan. Memorie.al