“Shkallët e stadiumit shndërrohen në fushë beteje”- “Euro 2024” është në prag, analiza e DW: Forca e tifozëve, sporti duhet të bashkojë, jo të ndajë

“Euro 2024” është në prag, tifozët përgatiten për të mbështetur ekipet e tyre. Por ndodh që loja e futbollit të harrohet e shkallët e stadiumit shndërrohen në fushë beteje mes tifozëve ekstremistë edhe në Shqipëri.

 Fyerje në kor, flakadanë, dhunë verbale dhe fizike, hedhje gurësh, karrige të shkulura nga shkallët e stadiumeve… Kjo është atmosfera më e zakonshme sa herë që në kryqytetet luhet derbi mes ekipeve të futbollit “Tirana dhe Partizani”. 

“Ky konflikt e ka zanafillën që nga themelimi i klubit ‘Partizani’, pasi lojtarët u morën pa dëshirën e tyre. Ka pasur gjithmonë përballje historike dhe jo më kot është derbi më i zjarrtë, që prek edhe tifozeritë. Shpesh konflikti shtrihet edhe brenda një familjeje, ku ka pikëpamje të ndryshme. Por mendoj se gjithçka duhet të mbetet brenda 90-minutëshit, brenda fushës së lojës dhe mos të dalë edhe jashtë shkallëve të stadiumit” – thotë për Deutsche Welle Gentian Muça, ish-kapiten i klubit të futbollit “Tirana” dhe aktualisht trajner i moshave nën 21 vjeç.

Ai i mban mend mirë episodet më të vështira në fushën e lojës, kur nuk mungonin as përplasjet me tifozët e ekipit të tij. “Presioni ka qenë shumë i madh dhe humbja trajtohet si fundi i botës në ato vite” – kujton ai.

Një projekt i Kombeve të Bashkuara synon të rrisë ndërgjegjësimin tek tifozët e rinj në Ballkanin Perëndimor. Pjesë e projektit për Shqipërinë janë tifozët e klubeve sportive “Tirana” dhe “Partizani”. Nisma rajonale e Kombeve të Bashkuara, e cila në Shqipëri zbatohet nga UNDP dhe UNFPA, synon të rrisë tolerancën dhe të luftojë gjuhën e urrejtjes në stadium.

Edukimi i tifozëve të rinj

Përmes projektit “Fans Power: Uniting for Respect”, Shoqata Shqiptare e Shkencave Sportive (ASSA) ka mundur të zbusë tonet në stadiume, dhe këtë mendon ta arrijë përmes edukimit të tifozëve të rinj, të moshës 16-26 vjeç.

“Në fillim kur e ideuam projektin, ishin të shumtë ata që nuk e kuptuan. Si çdo risi, ka sfidat e veta. Por u befasuam se mirë u përqafua kjo ide nga të rinjtë” – thotë Florian Muça, president i ASSA.

Askush nuk mund t’i shpëtojë traditës familjare për përkrahjen e ekipit të zemrës. Si në rastin e Amarda Xhebrahimit, e cila me krenari thotë që familja e saj është një ndër nga më të vjetrat familje tiranase që përkrah “Partizanin”. Sot ajo luan me ekipin e femrave të kësaj skuadre. Ekstremitetin në stadiume e ka provuar në të dyja kahet.

“Vite më parë tifozeria ka qenë më e edukuar, sidomos kur në stadium kishte gra dhe vajza. Ndërsa tani është bërë më shumë agresive. Tifozët nuk e shijojnë lojën por shajnë njëri-tjetrin” – thotë Xhebrahimi për DW.

Ofendime dhe sjellje që nuk i shkojnë sportit

Edhe Lorenc Cenameri ndoqi shembullin e gjyshit dhe të të atit për të qenë tifoz i flaktë i ekipit “Tirana”. “Ndër rastet më ekstreme janë thyerja e karrigeve, zënkat me njëri-tjetrin, duke gjuajtur me fishekzjarre… Për mamin ose për motrën është me e sikletshme, se për djemtë është pak më ndryshe. Nëse s’do të kishte episode të tilla, mund të kaloja në stadium me familjen një 2-orësh shumë të bukur duke parë lojën, spektaklin që jepet në fushë dhe jo duke parë e dëgjuar ato ofendime dhe gjëra që nuk i shkojnë sportit” – thotë ai.

A do të jenë më të qetë derbit e radhës Tirana-Partizani? Tashmë sytë dhe shpresa janë tek të rinjtë. “Sfidat janë shumë të mëdha, sepse sporti është një fushë që duhet të bashkojë dhe jo të ndajë. Kështu që në grupet e tifozëve duhet të krijohet ideja e bashkimit, sigurisht e mbështetjes së skuadrave që dëshirojnë por pa fyerje dhe pa dhunë” – përfundon Florian Muça./DW

Exit mobile version