Për shkak të lidhjeve të forta të tyre dhe familjarëve të tyre me krimin, Basha i kërkoi dje në Parlament Ramës shkarkimin e Gramoz Ruçit dhe Fatmir Xhafës. Basha kërkoi arrestimin e vëllait të Fatmir Xhafës dhe të të gjithë kokave të krimit, ndërsa kërkoi largimin e menjëhershëm të tij nga pushteti.
“Shkarko Gramoz Ruçin. E ke në komunikime zyrtare si lidhje të krimit të organizuar. Shkarko Fatmir Xhafën dhe arresto të vëllain e tij, të kërkuar nga Interpoli për drogë.
Eshtë Agron Xhafa i kërkuar nga Interpol? Eshtë i dënuar nga Gjykata Supreme italiane për trafik kokaine? Po apo jo? Shqiptarët e dinë. Ju qeshni se nuk ju bën përshtypje. Ju jetoni me këtë realitet të ndyrë dhe për ju, ky është normaliteti. Realiteti malinj. Keni krijuar një realitet malinj dhe krekoseni si gjeli në majë të plehut. Shkarkoje Fatmir Xhafën, arrestoje vëllain e Fatmir Xhafës, arrestoji Qazim Sejdinin dhe Vangjush Dakon se ke prova, i ke aty, kapicë.
Bëj publike listën e Interpol-it edhe ata që nuk i fut ti në sistem, si Durim Keçin deri para një jave. E fute vetëm kur u nise për tek Gentilloni. Gjysma e atyre që kërkon Interpoli që i ke në Shqipëri, po të arrestohen, Shqipëria bie në paqe.
Problemi është se Shqipëria bie në paqe, por ti bie nga karrikja në rastin më të mirë.
Prandja nuk i bën dot ti këto.
Nuk kam asgjë personale me ty unë. Çdo minutë e harxhuar me ty personalisht është një minutë e humbur e jetës sime. Shqipëria është problemi im, fati i shqiptarëve është problemi im.
Dhe unë e di që ti s’i bën dot këto, nuk ke as vullnet, as dëshirë, as aftësi, as mundësinë, të mungon çdo element që do të bënte të mundur të kryeje detyrën që ke zaptuar dhe uzurpuar me votat e krimit. Ndaj, zgjidhja e vetme është largimi yt. Sa më shpejt ta kuptosh, aq më e ulët kostoja dhe fatura që vazhdojnë të paguajnë shqiptarët çdo ditë.
Kjo opozitë nuk është këtu sot as nuk do të jetë kurrë këtu, për të të englendisur ty me batutat e tua bajate që nuk janë gjë tjetër, veç shprehje e ankthit dhe tmerrit që të ka kapur, kur nuk i përgjigjesh dot përgjegjësive për vendin e zhytur në krim, për ekonominë e rrëzuar dhe për shqiptarët që po largohen.
Dhe ke zgjedhur që të bësh shfaqje këtu si të jesh një artist cirku, edhe po të ishte ky cirk, ndoshta dikush edhe mund të priste ndonjë biletë për të të parë, ty edhe arushët.
Por ky nuk është cirk dhe fatkeqësisht ti je ulur aty me përgjegjësitë e kryeministrit të vendit. Ti je përgjegjësi, askush tjetër.
Dhe ne do të të mbajmë përgjegjës, deri në ditën kur të të rrëzojmë.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe ardhtë kjo ditë, një orë e më parë”, u shpreh Basha.