Shkarkohet Alegri?

A do të jetë Masimiliano Alegri në drejtimin e Juventusit edhe në sezonin 2017-2018? Pyetja është aktuale sipas mediave italiane, që pretendojnë se diçka e tillë po përflitet prej disa javësh në ambientet futbollistike të përtej Adriatikut. Disa janë indiciet kryesore, që nga irritimi i Alegrit pas finales së Superkupës së humbur në Katar ndaj Milanit e deri te pakënaqësitë që ekzistojnë në skuadër me Cuadradon, Mandzukiç e deri te Dybala që ndaj Milanit qëndroi në stol për ndeshjen e katërt radhazi, të gjithë këta lojtarë kanë krijuar rezerva në lidhje me aktivizimin apo dhe një ide sipas të cilës Alegri mendon për t’u transferuar sezonin e ardhshëm te Arsenal. Janë të gjitha pista që ngrihen nga “Gazzetta dello Sport” që zbulon prapaskenat e një dimri të nxehtë për Alegrin e madje duke zbuluar edhe emrat e pasuesve të mundshëm të tij në rast të një lamtumire në fund të sezonit.
Në qershor rrugët e Alegrit dhe klubit bardhezi mund të ndahen dhe për trajnerin një eksperiencë në Angli është një dëshirë e hershme, që mund të konkretizohet në rast të një largimi të Venger nga stoli i Topçinjve të Arsenal. Drejtuesit e Juventusit të vetëdijshëm për rrezikun po përpiqen të hedhin sytë rrotull për të evituar që të paktën të jenë të papërgatitur. Në klubin bardhezi pëlqehet Paulo Sosa, trajneri aktual i Fiorentinës që nuk gëzon më një raport të mirë me klubin vjollcë, por alternativa të planit të dytë janë dhe Di Francesco dhe Jardim i Monaco. Një pistë e huaj çon madje dhe te Diego Simeone. Argjentinasi i Atleticos së Madridit i pëlqen shumë Marottës, por disa herë ka premtuar një rikthim te Interi dhe për këtë arsye duhet parë se si do të shihej nga tifozët bardhezi një zbarkim i tij te Juventusi.
Shpërthimi i tij pas Superkupës së humbur ndaj Milanit (“Do t’i merrja të gjithë me shkelma në prapanicë”), si dhe pakënaqësitë e krijuara brenda skuadrës si në rastet e Kuadrado dhe Mandzukiç apo edhe në mosaktivizimin si titullar të Dibala, kanë bërë që të ngrihen pikëpyetje rreth të ardhmes së trajnerit.
Ndërkaq, nga Anglia shtohen zërat për një interes të Arsenalit, i cili sheh te Alegri pasardhësin e denjë të Venger, me shpresën që të jetë në gjendje të rivalizojë entuziazmin që ka sjellë Konte te Çelsi.
“La Gazzetta dello Sport” dje kishte përpiluar edhe listën e atyre që cilësohen si pasardhësit më të mundshëm të tij në rast largimi, duke filluar nga Paulo Sosa, për të vazhduar me Zhardim dhe Di Françeskon. Ndërkaq, qarkullon edhe emri i Simeones, por duket thuajse e pamundur që ky i fundit të kthehet në Itali për të drejtuar rivalin më të urryer të Interit.

Exit mobile version