Shkarkohet numri 2 i Doganave, Qibini njeriu i besuar i Tahirit

Vetëm pak muaj para zgjedhjeve, kryeministri Rama ka larguar nga detyra zv/drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Besmir Qibini. Ai u emërua në këtë post një vit më parë, si pjesë e marrëveshjes mes Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Financave. Qibini është pushuar nga kjo detyrë dhe është emëruar sërish në një tjetër detyrë të rëndësishme në Policinë e Shtetit. Kështu, pas largimit nga doganat, Qibini është emëruar menjëherë drejtor i Kufirit në Policinë e Qarkut të Vlorës.
Qibini është i dyti zyrtar me lidhje të forta me Tahirin që distancohet nga nomenklatura qeveritare e Financave dhe Ekonomisë. Pak javë më parë, dha “dorëheqjen e detyruar” edhe zv/ministrja e Ekonomisë, Briseida Shehaj, një tjetër zyrtare e afërt e Tahirit. Më herët, Shehaj kishte drejtuar Drejtorinë e Tatimeve, por u largua nga ai pozicion prej ministrit Arben Ahmetaj, ky i fundit më pas spastroi dhe njerëzit e Shehajt në Tatime.

Lidhjet e Qibinit me çiftin Tahiri-Shullazi

Besmir Qibini konsiderohet si një njeri tepër i afërt i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjatë kohës që punoi si zv/drejtor i Doganave, Qibini ishte përgjegjës për të gjithë strukturën e anti-kontrabandës në dogana. Emërimi i Qibinit para një viti si numri 2 i doganave u kundërshtua nga opozita, e cila e etiketoi si një nga sejmenët e çiftit Tahiri-Shullazi, me lidhje të forta me këtë klan kriminal në aksin Tiranë-Durrës. “Besmir Qibini, i larguar nga Komisariati i Kavajës për shkelje të rënda dhe për dyshime të forta si i përfshirë në trafikun e drogës/ tashmë ka në dorë jo vetëm kontrabandën/ por edhe anti-kontrabandën dhe hetimin doganor. Shkurt, krimi ka çdo lehtësi për aktivitetet e veta të paligjshme, për trafikun e drogës dhe të armëve”, thuhej në reagimin e PD pas emërimit të Qibinit zv/drejtor i Doganave.
Pak ditë, pasi kishte filluar punë si zv/drejtor i Doganave, Qibini u akuzua nga opozita për lidhjet e tij me Shullazin. “Duke caktuar si zv/drejtor të Përgjithshëm të Doganave, këtë lidhje të fortë të çiftit Tahiri-Shullazi dhe bandës që kontrollon Tiranën dhe Durrësin, krimi ka siguruar përfundimisht traun e Doganës për aktivitetet e veta. Nuk është rastësi që para disa ditësh u raportua se, Emiliano Shullazi u fut nga PKK Durrës me një mjet të blinduar, i cili as nuk u ndalua dhe as nuk u kontrollua në doganë. Ky inkriminim i strukturave shtetërore nga Edi Rama ka sjellë fuziqimin e bandave dhe trafikantëve dhe dobësimin e shtetit. Qytetarët duhet të marrin në dorë fatet e tyre për të larguar sundimin e krimit, dhe për tia kthyer doganat dhe policinë interesit publik, interesave të vendit”, thuhej në një deklaratë të PD.

Qibini i dha pistoletën e tij Çiços

Besmir Qibini është akuzuar se i kishte dhënë pistoletën e tij Elton Çiços, i cili u vra vitin e kaluar në një lokal tek ish-Blloku në Tiranë. Pas vrasjes së Çiços në lokal, pistoleta e tij u fsheh nga oficeri i policisë, Alban Trimi, i cili ndodhej në tavolinë me Çiçon. Kjo skenë është zbuluar nga pamjet filmike të kamerave të sekuestruara nga Prokuroria.
Ky skandal u publikua nga ish-kryeministri Berisha në “Facebook”, pas një mesazhi të dërguar nga një qytetar. Në mesazhin e publikuar nga Berisha thuhej se, Alban Trimi, oficeri i Policisë e fshehu armën e Çiços, duke mbrojtur Qibinin.
“Përshëndetje zoti Berisha, në lidhje me ngjarjet e fundit kriminale dhe konkretisht në lidhje me vrasjen në zonën e “ish-Bllokut” dua tju informoj se trimat e Saje qorrit, Besmir Qibini, duke e pasur shok klase Alban Trimin, ndërhyn, duke e emëruar shef të Antidrogës për rrethin e Tiranës për të bërë të mundur lëvizjen e lirë të trafikut të drogës së shokut të tyre të partisë, Mili. Por meqë skandalet kanë dalë sheshit e transferojnë Alban Trimin në Komisariatin e Kukësit.
Nuk e kanë lënë për shumë kohë dhe e kanë sjellë përsëri në Tiranë me detyrën e Shefit të Krimeve për të vazhduar aktivitetin kriminal të drogës, por kësaj radhe me Elton Çiçon, kushëriri i parë i Tërmet Peçit (djalë daje). Pra, arrestimi i Alban Trimit është bërë sepse fshehu provat, fshehu pistoletën e viktimës, sepse pistoleta ishte e Besmir Qibinit dhe ja kishte lënë Eltonit për vetmbrojtje, dhe këto janë bërë të gjitha me urdhër të Saje Qorrit”, shkruante qytetari.

R.POLISI

Exit mobile version