Prokruroria e Krimeve të Rënda para tre ditësh zbarkoi në portin e Vlorës duke marrë disa dosje që kishin të bënin kryesisht me lëvizjet e skafit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Por në të njëjtën ditë kur Prokuroria e Krimeve të Rënda mori dosjet në port, është shkarkuar pa shumë zhurmë dhe shefi i kapitenerisë së portit të Vlorës, Vladimir Alikaj.
Në lidhje me shkarkimin e tij nuk ka pasur asnjë njoftim për mediat, por burimet bëjnë të ditur se kjo lëvizje lidhet dhe me hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Portin e qytetit bregdetar. Ajo që është e sigurt është se këto lëvizje janë të të njejtës periudhe kohore.
Prokuroria ka marrë disa dosje në policinë e kufirit. Mbërritja e prokurorisë është pranuar nga Drejtoria e kufirit, si dhe hetimi i disa dosjeve por pa dhënë detaje të tjera.
Dyshimet janë se të gjitha këto verifikime kanë lidhje me dosjen e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri. Edhe më herët është thënë se Tahiri ka pasur në pronësi të tij një skaf, që ua ka dhënë kushërinjve të tij të largët, Habilajve. Këta të fundit pritet që të dalin përpara gjykatës së Katanias gjatë këtij muaji.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur një hetim në portin e Vlorës në lidhje me dosjen Tahiri-Habilaj. Sipas burimeve, tre ditë më parë prokuroria ka mbërritur në port, për hetimin e disa dosjeve që kryesisht lidhen me një gomone.
Nga ana tjetër sipas gazetarit Basir Çollaku, trafiku i kanabisit nga portet e vendit është zëvendësuar me trafikun e drogërave të forta.
“Siç thonë ekspertët që merren me çështjet e trafikut, në katër ngarkesa 3 kalojnë dhe vetëm një kapet. Trafikantët nuk merren më me barishte, po me drogërat e forta si kokaina dhe heroina. Tashmë grupet kriminale nuk rrinë pushim, ndryshe nga shqiptarët 40 bandat nuk rrinë pa punë, pasi lëndën e parë e kanë të siguruar nga pushteti”, u shpreh Çollaku në “Fax News”.
A do të ndikojnë lëvizjet e ndodhura dje në prokurorinë e krimeve të rënda në çështjet Tahiri?
Për gazetarin Basir Çollaku padyshim që po. I ftuar në studion e “Fax News” ai tha se me shkarkimin e Besim Hajdarmatajt nga Prokuroria e Krimeve të Rënda brenda muajit Maj pritet që të mbyllet dosja për ish-ministrin.
Ai tha se kryeministri Rama e ka bërë presionin e qartë për të gjithë sistemin e drejtësisë, teksa ka thënë se prokuroria nuk ka asnjë provë për arrestimin e Tahirit.
“Zoti Hajdarmataj e dinte nëse mbyllej ose jo dosja e Saimir Tahirit sa kohë që ishte në pushtet, tashmë ai nuk di gjë. Njoftimi i sjellë nga Prokuroria ishte ironik, u emërua zonja Donika Prela, është njësoj si nëse nuk vjen autobusi i unazës dhe të marrësh Kasharin.
Nuk mund të vendosen në krye të prokurorisë vetëm të afërmit e deputetëve, dhe shokët e klasës. Nëse zoti Hajdarmataj nuk ka kryer si duhet detyrën, atëherë duhet të bëhen publiket të gjitha shkeljet e tij.
Largimet janë duke u kryer pa asnjë bazë ligjore, nuk mundesh që se je në krye të bësh gjithçka që duhet. Sipas meje deri në fund të këtij muaji çështja do të mbyllet, do të gjendet një hapësirë ligjore për të zbehur akuzat, pasi provat janë shkërmoqur.
Duhet të dimë se cili është pozicioni penal, një natë më parë kryeministri i vendit tha në një studio televizive se prokuroria nuk ka asnjë provë për Saimir Tahirin. Ky është një presion i qartë ndaj prokurorisë”, tha ai.