Shkarkohet Tuchel

Thomas Tuchel nuk është më trajneri i Borussias së Dortmundit. Verdhezinjtë kanë shkarkuar nga detyra 43-vjeçarin bavarez për shkak të problemeve që kishte me drejtuesit e klubit dhe sidomos me drejtorin ekzekutiv, Jans Joachim Watzke. Lajmi u bë zyrtar nga vetë klubi i Dortmundit. Sipas asaj që zbulon e përditshmja gjermane “Bild”, Tuchel i cili kishte kontratë me Borussian deri më 2018-tën do të përfitojë si dëmshpërblim një shumë prej 2,9 milionë eurosh.
Ish-trajneri i Mainz 05, largohet kështu nga Dortmundi pasi fitoi Kupën e Gjermanisë vetëm pak ditë më parë me verdhezinjtë që mundën në finalen e Berlinit, Eintrachtin e Frankfurtit. Në fakt drejtuesit e klubit nga “Signal Iduna Park” kishin programuar një takim me trajnerin Tuchel në përfundim të sezonit dhe pas këtij takimi dolën në vendimin për të shkarkuar nga detyra 43-vjeçarin për shkak të problematikave të shumta që kishte me Hans Joachim Watzke-n. Vetë Tuchel e kishte të qartë që do të largohet nga posti i trajnerit të Dortmundit që më herët, por ky i fundit vazhdoi aventurën e tij me verdhezinjtë duke fituar një tjetër trofe. Tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë trajneri i ri i Borussias së Dortmundit.

Artikulli paraprak“BBC”: Wenger te Arsenali deri më 2019
Artikulli tjetërLufta pa një fund e Afganistanit