Prodhimet e fermerëve të Divjakës janë dëmtuar masivisht nga ngricat, ndërsa Bashkia dhe qeveria nuk jep asnjë dëmshpërblim. Një nga fermerët i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha ku shprehet se prodhimet janë dëmtuar të gjitha nga ngricat dhe nuk kanë lekë për bukë dhe jo të mbjellin përsëri. Në një postim në Facebook Berisha shkruan: Fermeri dixhital denoncon shkatërrimin masiv të prodhimit nga ngricat në Gungas të Divjakës, braktisjen e plotë nga qeveria dhe mashtrimet e saj për dëmshpërblim!
Berisha u bën thirrje fermerëve që të ngrihen në protestë para Kryeministrisë. “Ju bëj thirrje fermerëve të organizohen në protestë të sjellin prodhimet e tyre para Kryeministrisë si dëshmi e mashtrimit nga Nastradin Rama!”, shkruan Berisha, duke publikuar mesazhin e fermerit dhe fotot e prodhimeve të dëmtuara nga ngricat.
“Përshëndetje zoti Sali Berisha. Këto janë dëmet nga ngrict e forta në fshatin Gungas të Bashkisë Divjakë. Zotëria që i ka hedhur vetëm 2 herë ka shitur dhe tani nuk ka lekë jo që ta mbjellë përsëri, por edhe që të hajë bukë. Asnjë punëtor i Bashkisë nuk ka ardhur t’i shohë këto dëme që t’i vejë një çmim që të dëmshpërblehet që të ushqehet. Dhe këto janë vetëm të një fermeri, pasi ka edhe disa të tjerë, të cilët nuk kanë shitur aspak mall dhe i është prishur dhe i duhet ta hedhin. Kjo është një katastrofë për fermerët. Ju lutemi ta publikoni që të gjithë të marrin vesh se ç’shtet kemi ne. Një shtet që na ka hequr bukën e gojës”, shkruan fermeri në mesazhin dërguar ish-Kryeministrit Berisha.
Pra tre ditësh ishte një fermer nga Vlora që denoncoi qeverinë për mosdhënien e dëmshpërblimit të serave dhe gjendjen dramatike të dëmtimit të prodhimeve. Në denoncimin e postuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, qytetari shprehet se fermerët po falimentojnë dhe se kanë shitur mallin me çmim të lirë. “Fermeri dixhital denoncon gjendjen dramatike për shkak të dëmtimit të serave dhe mashtrimin e qeverisë për dëmshpërblinin e tyre”, shkruante Berisha në Facebook, duke publikuar mesazhin e qytetarit si dhe fotot e dërguara prej tij.
“Përshendetje zoti Sali Berisha. Këto janë dëmet e serave në Hoshtim, rrethi Vlorë. Bujqësia dhe fermeri s’ka marrë asnjë dëmshpërblim. Falimentuam, kemi punuar 6 muaj me domaten dhe kemi shitur gjithsej 6 kuintalë me 3 lekë të vjetra kilogramin. Po u dërgoj dhe disa foto nga dëmet”, shkruan qytetari.