Mateo SPAHO
Na ishte një herë një vend që kishte rigjetur lumturinë, midis detit dhe maleve me emrin Shqipëri, i cili kishte hequr bajlozët e këqinj blu duke vendosur në krye të qeverisjes djalin e mirë qytetar, europian dhe artist, poet dhe piktor, i cili i kishte premtuar njerëzve të vuajtur të këtij vendi se sapo të bëhej Kryeministër do jua lehtësonte peshën të varfërve duke hapur 300 mijë vende pune, duke ofruar shëndetësi falas edhe për njerëzit në moshën e tretë jo më për nënat shtatzënë, do të ndërtonte Rrugën e Arbrit, autostratat e detit, lungomare, ulje çmimit të bukës, ulje taksash për bizneset, rritje rrogash dhe një integrim të shpejtë në tokën e premtuar me emrin Europë. Nga ajo ditë e bukur kanë kaluar vetëm tri vite dhe duket sikur të jenë trembëdhjetë, pasi shifrat e asaj përralle dhe dhembjet e vendit me emrin Shqipëri duken trembëdhjetë vjet mbrapsht në kohë. Cili është realiteti?
Taksat janë rritur për të gjithë ata që janë të ndershëm dhe i paguajnë ato, duke filluar nga taksat mbi të ardhurat, duke vijuar në taksat mbi kursimet e duke vazhduar në tatimet mbi fitimin e bizneseve, ndërkohë që shteti merr rreth 1 mijë lekë të vjetra për çdo litër naftë, rrit me 23% çmimin e energjisë elektrike duke filluar nga familjet në nevojë. Ja që kjo përrallë që dukej si ëndërr shndërrohet në makth. Keqqeverisja nuk ndalet duke toleruar dhe promovuar segmente të krimit, shton përndjekjen dhe represionin ndaj biznesit të vogël, individëve që kërkojnë të jetojnë me një aktivitet tregtar apo prodhues që nuk varen nga tekat e Kryeministrit. Investimet nga sipërmarrësit e huaj janë në rënie të lirë dhe pavarësisht reklamizimeve bombastike të një bote mediatike të kapur, shqiptarët marrin rrugët e Europës edhe një herë, me dhjetëra e dhjetëra mijëra çdo vit, jo si emigrantë të thjeshtë, por duke përpiluar letrat si të “përndjekur”. Punonjësit e shtetit, si militantët dhe profesionistët kanë tre vjet që shohin të gërryer dhe të mpakur fuqinë blerëse të rrogave, ku rritja e tyre ka ndaluar me ikjen e qeverisë së kaluar. Duke mos mjaftuar kjo situatë e zymtë, rinia shqiptare, duke filluar nga maturantët e shikojnë gati të pamundur mundësinë për të vijuar studimet e tyre universitare si pasojë të një ligji për arsimin e lartë, i cili nuk është kuptuar ndoshta edhe nga vetë Ministria e Arsimit e jo më nga të tjerët. Çfarë pune do të bëjë 80-90% e rinisë shqiptare duke mos patur mundësinë të studiojë? Përgjigjja është e thjeshtë, punëtorë.
Punëtorë ku? Në Shqipëri nuk ka industri dhe ato që janë kërkojnë nga fasoni tek call-center-at të ikin në Maqedoni e gjetkë, ndërtimi i hidrocentraleve të vogla dhe të mesme është pezulluar, lejet e ndërtimit presin që Kryeministri të zgjohet mirë ndonjë ditë dhe mos të kërkojë përqindje të lartë. Për të filluar punë në administratë shtetërore duhet diploma, tashmë edhe për pastrueset, kështu që nuk bëhet fjalë. Ah po, mund të shkojnë të punojnë në bujqësi, veçse në ato toka të lira nga hashashi, të cilat nuk përmbyten pasi e dimë mirë që infrastruktura në fshat duke filluar nga kanalizimet ka kohë që nuk mirëmbahet. Taksat mbi biznesin e vogël janë rritur dhe xhiroja e tyre ka rënë dhe ka pak gjasa që dyqanet të kërkojnë shitës të rinj. Ku do të punojë pra, rinia shqiptare?
Në fund të fundit edhe kjo puna e drogës nuk qenka një gjë dhe aq e keqe, së paku të lejon të jetosh!
Qëndron pikërisht këtu djallëzia!
Vizioni i djalit të mirë qytetar, artist dhe piktor po shpaloset qartë. Objektivi i tij është të shkatërrohet ekonomia shqiptare, duke bllokuar subvencionet për bujqësinë, duke koklavitur edhe më shumë ligjet mbi kthimin dhe kompensimin e pronave, duke e bërë të kushtueshme prodhimin në Shqipëri me naftë dhe energji të shtrenjtë sa në Francë me një nivel jetese si në Tanzani, të shkatërrojë biznesin e vogël shqiptar dhe të përqendrojë në duart e miqve të vet (oligarkët) importin e ushqimeve dhe lëndëve të para, duke mos lënë asnjë shteg suksesi, rritjeje dhe mirëqenieje të ndershme për individin dhe për familjet.
Në situatën e sotshme shumica e shqiptarëve është e gjunjëzuar, e lodhur, e çoroditur nga mospranimi i një zhgënjimi. Sot rrezikojmë, më shumë se kurrë të tolerojmë drogën sepse punëson dhe jep bukë rinisë sonë, jemi të prirur të justifikojmë ato kërcënime, shantazhe e vrasje që tek-tuk, gjithnjë e më shumë ndodhin në periferi e në qendrat e qyteteve tona. Jemi gati për të dorëzuar të ardhmen tonë.
Por çfarë të ardhme do të kemi me krimin dhe drogën? Të rinjtë do të kenë problemet e zgjidhura sepse për të mbjellë dhe transportuar drogë nuk ka nevojë për diploma universiteti, për të kërcënuar, rrahur dhe vrarë njerëz nuk ka nevojë të jesh qytetar i mirë apo profesionist i ndershëm. Droga dhe krimi po pranohen nga njerëzit sepse tashmë besohet se Shqipëria nuk bëhet dhe ekonomia e tyre nuk rritet.
Por shqiptarët duhet të zgjohen nga makthi dhe të kuptojnë që shkatërrimi i ekonomisë është planifikuar me vullnet dhe dëshirë të plotë nga qeveria e sotshme, për të ndërtuar drogonominë. Në pak vite nga sot rinia jonë dhe shqiptarët të gjithë do të bëhen tërësisht të paaftë të ndërtojnë një aktivitet të ndershëm, të marrin një profesion të respektuar, të ndërtojnë një vend europian sepse aftësia e tyre do të jetë allishverisha, dallaveri, transporti dhe kërcënimi. Nëse meshkujt do të bënin këto punë, po femrat dhe vajzat çfarë pune do të bënin?… Përgjigjen e kuptoni vetë. Edhe sikur në zemrat e tyre të lindte dëshira për të filluar diçka të mirë në jetën e tyre do të kuptonin se nuk do të kishin përgatitjen profesionale, sjelljen dhe kulturën e duhur.
Drogonomia, bashkë me paranë sjell helmin dhe skllavërinë e njerëzve ndaj kapobandave dhe shkatërron atë pak demokraci, fjalë të lirë dhe dinjitet që i ka ngelur shqiptarit. Për këtë arsye kur Partia Demokratike i bie kambanës së alarmit se shoqëria jonë po degradon për faj të një qeverie dhe të një Kryeministri që do të skllavërojë dhe depersonalizojë njerëzit, mos bëni gabimin të mendoni se e bën për ndonjë llogari private, vetjake dhe të fshehur. Kundërshtimi ndaj drogës dhe krimit është detyrë kombëtare.
Për mua sot shqiptarët nuk kanë më luksin për të thënë nëse Partia Demokratike frymëzon apo çfrymëzon, sepse nuk jemi më në një vend normal ku njerëzit vlerësojnë në mënyrë të qetë alternativat qeverisëse midis palëve. Jemi në një situatë emergjence kombëtare, ku Shqipëria duhet shpëtuar jo më nga armiq të jashtëm, por duhet shpëtuar nga ndërtimi i drogonomisë qeveritare për t’i lënë hapësirë dhe mundësi ndërtimit të ekonomisë kombëtare.
Lërini mënjanë gjykimet dhe paragjykimet 26-vjeçare të majta dhe të djathta, veriore dhe jugore dhe mbështesni thjesht ata që kanë të drejtë sepse e drejta përtej justifikimeve, sharjeve dhe kritikave, sot qëndron në krah të partisë që ka luftuar kundër diktaturës së urisë komuniste dje dhe që lufton kundër diktaturës së drogës sot.
Ka ende shpresë për Shqipërinë tonë sot, jepini partisë së lirisë mundësinë të rikthejë normalitetin duke shkatërruar drogonominë që të ndërtojmë ekonominë!