Në përgjigje të kërkesës për informacion, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmin i ka dhënë “Exit.al”, kontratën zyrtare të nënshkruar mes ministres Gjermeni dhe konsorciumit të kompanive që hartuan Masterplanin Tirana 2030. Masterplani i njohur si Plani i Përgjithshëm Vendor ka një vlerë prej rreth 460 mijë eurosh. Përkundër shfaqjes në publik të arkitektit italian Stefano Boeri, dokumentet e masterplanit janë nënshkruar nga drejtuesi i UNLAB, Andreas Faoro. Edhe pse dokumentacioni i ofruar nga ministria nuk përmban termat specifikë të referencës, në të përfshihen disa nga detyrat kryesore të kontraktuesit. Neni 10 i kontratës është më i rëndësishmi: 10.1 Kontraktuesi duhet t’i kryejë shërbimet dhe përmbushë detyrimet e tij me të gjitha përpjekjet, eficente dhe ekonomike në pajtim me teknikat dhe praktikat profesionale të pranuara në përgjithësi. Me fjalë të tjera, kontraktuesi është i detyruar me kontratë të ofrojë punë cilësore. Le të marrim disa shembuj nga nenet e kontratës për të treguar se UNLAB dhe Stefano Boeri nuk kanë ofruar punime cilësore. Masterplani përmban tri shifra të ndryshme për parashikimin e popullsisë së Tiranës në vitin 2031. Më i spikaturi është numri 1,6 milionë banorë, përmendur në faqen 94 të raportit. Megjithatë në faqen 414, raporti jep të dhëna zyrtare nga INSTAT, që parashikon një popullsi prej 724,167 mijë banorë në Tiranë. Më pas në faqen 415, autorët e raportit sugjerojnë numrin 700 mijë banorë. Duke pasur parasysh se parashikimi i rritjes së popullsisë është një nga shifrat më të rëndësishme të planifikimit urban të një qyteti, është e papranueshme që në të njëjtin raport të ketë shifra kontradiktore me njëra-tjetrën. Raporti ka mangësi në disa të dhëna të rëndësishme, si për shembull përdorimi i ujit në Tiranë. “Tirana për momentin i shërben popullatës nëpërmjet tubave dhe duke arritur xx% të popullsisë”. Dhe “Tirana aktualisht ka humbur xx% nga uji i tij për shkak të rrjedhjeve”. Dy janë mundësitë: ose këto të dhëna nuk ishin në dispozicion të hartuesve të raportit, ose të dhënat nuk u përfshinë në raportin final. Sërish kjo është një papërgjegjshmëri e papranueshme e autorëve, sidomos po të kemi parasysh se ky masterplan parashikon zhvillimin e qytetit deri në vitin 2030. Së fundi, por dhe fakti më tronditës, shumë nga ‘projektet strategjike’ të propozuara në Masterplanin Tirana 2030 nuk kanë buxhet, por vetëm një ‘xxx’. Sërish, mosllogaritja e fondeve që do të ndikojnë në buxhetin e bashkisë për 13 vitet e ardhshme, është një papërgjegjshmëri dhe neglizhencë si nga ana e hartuesve të masterplanit, ashtu dhe nga ana e Ministrisë së Zhvillimit Urban që ka firmosur një plan të mangët. Sipas nenit 23(1)b, ministria lejohet të anulojë kontratën nëse kontraktuesi dështon në kryerjen e ndonjë prej pjesëve të kontratës. Mendoj se duket qartë dhe vetëm nga këto pak shembuj që morëm më sipër se kontrata është shkelur. Neni 25(1) e lejon ministren Gjermeni të anulojë kontratën “në çdo kohë nëse gjykon se ky veprim duhet ndërmarrë për t’i shërbyer interesit publik, si dhe është i mundur”. Nuk ka dyshim se interesit të publikut do t’i shërbehej nëse kontrata do të anulohej ose të paktën të kërkohej më shumë përgjegjshmëri nga kontraktuesit. Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) nuk e ka miratuar ende zyrtarisht Planin e Përgjithshëm Vendor të Tiranës (PPV). Më 8 shkurt, KKT miratoi PPV-të e Krujës, Kukësit, Gjirokatrës, Urës Vajgurore, Skraparit, Poliçanit, Cërrikut, Librazhdit, Kurbinit e Divjakës. Nuk dihet ende se kur do të diskutohen PPV-të e bashkive të tjera, përshirë dhe atë të Tiranës. Ndaj nuk është ende vonë të kërkohet cilësi për paratë e paguara nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
Kryesore
Continue to the categoryPakti i Tretë: Kleçka e negociatave Berisha-Rama për votën e diasporës
Siç e deklaroi publikisht Sali Berisha, ka ditë që po zhvillohen negociatat midis njerëzve të tij dhe atyre të mazhorancës për të bërë ndryshime...