Shkelja e demokracisë, Biberaj: SHBA mund të rishikojë marrëdheniet me Shqipërinë

“Vitet e fundit, Shqipëria ka përjetuar një rrëshqitje të konsiderueshme prapa në rrugën e demokracisë dhe një autoritarizëm në rritje, duke e bërë atë një nga vendet më jofunksionale dhe më të korruptuara në Evropë.

Sistemi politik i Shqipërisë në thelb është prishur dhe vendi është shndërruar në një shtet njëpartiak, autoritar, me Partinë Socialiste në fuqi që kontrollon pushtetin në të gjitha nivelet” – tha zoti Biberaj.
Folësi kryesor në konferencë ishte studiuesi i njohur, dr. Elez Biberaj, Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë në Zërin e Amerikës, me temën Amerika dhe Shqipëria: Nga armiq të papajtueshëm te partnerë strategjikë.

Zoti Biberaj tha se marrëdhëniet mes Amerikës dhe Shqipërisë duhet të ushqehen vazhdimisht dhe jo të merren si të mirëqena, statike dhe të përhershme dhe se në themel të marrëdhënieve janë vlerat e përbashkëta demokratike dhe angazhimi i Shqipërisë për demokracinë, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë.

Sipas tij, veprimet që minojnë praktikat demokratike jo vetëm që mund të minojnë marrëdhëniet, por mund të sjellin një ndryshim në qëndrimet e SHBA dhe, në rastin më të keq, një rishikim thelbësor të lidhjeve mes dy vendeve.

Ai shtoi se polarizimi politik, korrupsioni i përhapur në radhët e zyrtarëve publikë dhe atyre në poste të larta, krimi i organizuar dhe kultura e mosndëshkimit kanë pasur një kosto të madhe dhe vazhdojnë të paraqesin një kërcënim ekzistencial për demokracinë e Shqipërisë.

“Pikërisht institucionet që kanë rëndësi të dorës së parë për të luftuar korrupsionin – zyrtarët qeveritarë, anëtarët e parlamentit, politikanët, gjykatat dhe gjyqtarët, prokurorët dhe policia – janë ato që po e minojnë fushatën kundër korrupsionit”- tha zoti Biberaj.

Shqipëria dhe SHBA rivendosën marrëdhëniet diplomatike në marsin 1991, pas 45 vjet diktature komuniste.

Me gjithë egërsinë e diktaturës komuniste, shqiptarët e thjeshtë në Shqipëri dhe Kosovë panë dhe shohin tek SHBA shpresën dhe mikun e tyre më të madh.

Artikulli paraprakVrasje e mirëfilltë shtetërore nga vaksina kineze
Artikulli tjetërPopullorët europianë mbështesin Bashën