Shkelja e ligjit nga Ganaj i ILDKP, mbrojti abuzuesit

Kreu i ILDKP-së, Shkëlqim Ganaj po manipulohet politikisht nga Rama dhe po bëhet gati të kompromentojë edhe procesin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Shkeljet e ligjit të Ganajt janë të hapura duke mos denoncuar zyrtarët me probleme në deklaratën e pasurisë. Kjo ka sjellë edhe reagimin e Prokurorisë.
Nuk është tërhequr asnjëra palë ndërluftuese që prej dy muajsh kanë nisur një përplasje më shumë sesa verbale dhe me nerva të ngritura.
Bëhet fjalë për dy institucione bazale të pavarura në shtetin shqiptar që kanë lënë mjetet ligjore, edhe pse si rregull kanë detyrim zbatimin e ligjit, por që po intensifikojnë luftën e tyre të ashpër edhe jashtë kornizave ligjore e institucionale.
Bëhet fjalë për kryeprokurorin e Republikës, Adriatik Llalla dhe kreun e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Shkëlqim Ganaj.
Edhe pse Gjykata e Shkallës së Parë dhe më pas Gjykata e Apelit rrëzuan Prokurorinë mbi sekuestrimin e dokumenteve, kjo nuk e ka ndalur kryeprokurorin që të thellojë hetimet ndaj ILDKP.
Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, hetimet ndaj ILDKP për “shpërdorim detyre” janë duke vijuar, pavarësisht se gjykatat kanë ndalur sekuestrimin e dokumenteve origjinale. Prokuroria akuzon zyrtarët e ILDKP se kanë shpërdoruar detyrën, pasi nuk kanë bërë asnjë kallëzim penal për konflikt interesi për zyrtarët, sidomos në rastin e dy deputetëve Valentina Leskaj e Rakip Suli, apo dhe ish-deputetit Kokëdhima. Organi i akuzës kërkoi sekuestrim dokumentesh në 7 raste, por në 6 prej tyre u kundërshtua nga ILDKP, e cila e ankimoi çështjen në gjykatë dhe kjo e fundit i dha të drejtë.
Aktualisht prokurori ka në dorë vetëm deklaratat e pasurisë të 3 zyrtarëve të mësipërm dhe hetimet po zhvillohen mbi to. Por Prokuroria ka kërkuar sekuestrim dhe të regjistrave dhe serverit qendror të ILDKP. Kjo nuk është pranuar nga gjykata duke e rrëzuar dy herë Llallën.
Por pavarësisht kësaj, Policia Gjyqësore dhe prokurorët po vijojnë hetimet. Sipas burimeve nga ILDKP, ata kanë bërë një sërë vizitash në këtë institucion për t’u njohur me dokumentacionin, si dhe për të parë procedurën e punës. Po ashtu disa prej inspektorëve janë marrë në pyetje. Duke qenë se gjykata ka ndalur sekuestrimin e serverit, prokurorët pritet që të shkojnë në ILDKP, për të parë aty të dhënat. Sipas burimeve, ILDKP i ka kërkuar Prokurorisë që t’i japë dokumente të fotokopjuara, por kjo është refuzuar dhe ata kërkojnë me patjetër dokumente origjinale. Mirëpo kjo shihet me sy kritik nga ana e ILDKP.
Thellimi i hetimeve vjen në një moment kur dhe pak ditë nis zbatimi i vettingut. ILDKP është organi kyç që do të verifikojë pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe marrja e serverit përveçse do të mund të bllokonte punën e këtij institucioni, mund të sjellë dhe ndërhyrje në të dhënat.
Duke qenë se Gjykata e Apelit e rrëzoi Prokurorinë, kjo e fundit më 23 dhjetor i është drejtuar Gjykatës së Lartë duke bërë ankimim. Gazeta ka siguruar informacione mbi këto ankimime.
Bëhet fjalë për 7 padi të ndara, të cilat do të gjykohen nga gjyqtarë të ndryshëm. Në një rast Prokuroria kërkon shfuqizimin e vendimit të Shkallës së Parë për sekuestrimin e dokumentacionit. Më pas kërkon shfuqizimin e vendimit për serverin, për regjistrin dhe gjithë dokumentet e tjera.
Vendimi pritet të jetë në dorë të tri gjyqtarëve, Guxim Zenelaj, Artan Zenelaj dhe Tom Ndreca, pasi ata janë relatorët. Mbetet të shihet se çfarë do të vendosë gjykata. Deri më tani dyshimet janë se po tentohet manipulimi i ILDKP për shkak të vettingut dhe tani gjithçka është në dorë të Gjykatës së Lartë. Fakti që janë bërë 7 ankimime të ndara, tregon se Prokuroria e ka marrë shumë seriozisht hetimin ndaj ILDKP dhe kjo ka bërë që të lindin mjaft dyshime.
Prokuroria në kërkesat e saj ka sqaruar se serverin dhe regjistrat i kërkon për të parë nëse ka pasur abuzime në raste të tjera.
Duke qenë se gjykata e rrëzoi, mësohet se hetimet po përqendrohen aktualisht vetëm te deklarimet e Leskajt, Sulit dhe Kokëdhimës. Për ta Prokuroria ka marrë dokumente që kërkonte dhe po fokusohet aty me shpresën se Gjykata e Lartë do të lejojë të marrë të dhënat e tjera.

Enton DACI

Artikulli paraprakFMN: Rritje modeste pagash e pensionesh
Artikulli tjetërRey Manaj drejt Bundesligës?