Shkeljet e rënda me inceneratorin e Tiranës, PD nxjerr raportin e KLSH: Kosto e papërballueshme për buxhetin. SPAK të hetojë pa vonesë

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, JORIDA TABAKU

Një analizë e ftohtë e KLSH në lidhje me kontratën koncesionare të inceneratorit të Tiranës, e dhënë 30 vjet një kompanie me aksionerë të panjohur në parajsa fiskale dhe pjesa tjetër e zotëruar nga Klodian Zoto, ngre alarmin për një skemë tjetër kriminale edhe më të rëndë se vjedhjet me inceneratorn e Fierit dhe Elbasanit.

Shqiptarët do të paguajnë shtesë 104 mln euro vetëm nga indeksimi i inflacionit dhe mosllogaritja e saktë e volumit të plehrave. Kjo do të thotë që vlera e kontratës se operimit për incineratorin e Tiranës do të shkojë në 300 mln euro dhe jo 223 milionë euro, sa mashtron Ministria e Financave

Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit theksohet se kontrata për incineratorin e Tiranës ia kalon të gjithë rrezikun taksapaguesit shqiptar. Më konkretisht, nëse kompania e inceneratorëve nuk arrin të sigurojë mbetjet e garantuara në kontratë, do të jenë shqiptarët ata që do të paguajnë për fitimin e inceneratorit.

KLSH thekson se tejkalimi i sasisë së plehrave vendos në rrezik Buxhetin e Shtetit për pagesat, si dhe rrit fitimet e koncesionarit në mënyrë të pakufizuar.

Këto pagesa më të larta, për shkak të sasive më të larta të mbetjeve, përkthehen në fitime marramendëse për koncesionarin në parajsë fiskale. Është ky përcaktim korruptiv në kontratë, kundër interesit publik, që ka sjellë rritjen e pagesave për incineratorin nga buxheti i shtetit, nga 7 milionë euro në fillim, në 11 milionë euro.

KLSH ka zbuluar se në kostot e inceneratorit të Tiranës mungon zëri i shpronësimit të tokës private në të cilin ai do të shtrihej. Kjo zë 40% të të gjithë sipërfaqes së territorit të projektit me vlerë shpronësimi 214.5 milionë lekë, por auditimi tregon se kosto është fshehur dhe nuk përfshihet në projekt.

Ministria e Financave, e drejtuar nga Arben Ahmetaj, ka bërë çdo veprim që favorizon incineratorin e Tiranës kundër interesit publik. Në funksion të mbushjes së llogarive bankare në parajsa fiskale, Ministria e Financave ka anashkaluar tavanet buxhetore, që duhen ruajtur ruajtur me ligj, duke çuar paratë lumë dhe pa kufizime tek biznesini mafias së plehrave.

Ajo që KLSH vëren vazhdimisht në analizën e këtij koncesioni/PPP është se Ministria e Financave ka bërë përherë një sy qorr kur vjen puna tek kostot e fryra apo të fshehura. Sipas KLSH-së, më shumë se 61 milionë euro kosto të paraqitura në studimin e fizibilitetit janë të paargumentuara, duke çuar në rritjen artificiale të tarifës së shërbimit.

Kjo do të thotë se çmimi prej 29 euro për çdo ton mbetje që sot paguajnë qytetarët e Tiranës është pasojë e një kontrate korruptive, e hartuar për të vjedhur miliona euro çdo vit. Nga plehrat, nga skrapi dhe energjia që do të shesin, pronarët e panjohur të inceneratorit të Tiranës kanë siguruar nga kjo kontratë një fitim të pastër, pa asnjë rrezik, të mbuluar nga taksat e shqiptarëve, mbi 120 milionë euro.

KLSH ngre pikëpyetje mbi mënyrën sesi institucionet përgjegjëse buxhetore pranuan koncesionin e propozuar nga kompania private, duke injoruar shkallën e lartë të rrezikut që përbën ky projekt për buxhetin e shtetit.

Me raportin e tij të pavarur, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka folur qartë: Qeveria e miratoi incineratorin e Tiranës, megjithëse shumat e parashikuara për pagesën e projektit ishin të papërballueshme.

Për Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion çështja është shumë e thjeshtë. Dokumentat janë në çdo zyrë të shtetit. Duhet pak vullnet i mirë për të vënë drejtësinë në vend, që paratë e shqiptarëve të mos shkojnë në parajsa fiskale, por të shkojnë për hapjen e vendeve të reja të punës.

Është në nderin e SPAK të bëjë tani transparencë, hetojë pa asnjë vonesë dhe në pavarësi të plotë aferën korruptive më flagrante të qeverisë dhe kryeministrit në ikje!

tabela
Exit mobile version