Shkëlqejnë Milani dhe Atalanta

Italianet u rikthyen të mëdha në Europë, me Milanin dhe Atalantën që regjistruan të dyja fitore të thjeshta në grupet respektive, ndërsa nuk e pati të vështirë as Villareal që mundi 3-1 Astanën. Në ndeshjen e Grupit A në “El Madrigal” nëndetësja e verdhë doli në sipërfaqe që në fillim falë Sansones që i dha epërsinë të tijve që në minutën e 16-të. Goli i barazimit të Astanës me Logvinenkon në pjesën e dytë krijoi përshtypjen e një surprize në Spanjë, por Bakambu me një supergol në të 75-tën dhe Cheryshev në të 77-tën vulosën fitoren e Villareal. Në takimin tjetër të këtij grupit Slavia Prague mundi 1-0 Maccabi Tel Aviv falë një goli të Necid që në minutën e 12-të.
Në Grupin B, atë të Skënderbeut, Young Boys dhe Partizani i Beogradit ndanë pikët me njëri-tjetrin duke barazuar 1-1 në Zvicër, me serbët që shënuan të parët me anë të Jankovicit në të 11-tën, ndërsa 3 minuta më pas Young Boys riktheu baraspeshën me anë të Fassnacht.
Në Grupin C, Braga mundi rivalët kryesorë të Hoffenheim brenda në “Rhein Neckar Arena” me përmbysje. Vendasit shënuan të parët me anë të Sandro Wagnerit, por sekondat e fundit para pushimit portugezët barazuan me anë të Joao Carlos. Në të 50-tën erdhi dhe goli i fitores për miqtë me anë të Sousas, që marrin kryesimin e grupit dhe si pasojë e barazimit pa gola mes Basaksehir dhe Ludogorets.
Milani e pati një shëtitje rikthimin në Europë, me kuqezinjtë që fituan 5-1 në Vjenë ndaj Austrias, me Andre Silvën që ishte protagonisti i madh i takimit me një 3 golësh duke marrë me vete në shtëpi dhe topin e sfidës. Sulmuesi i kuqezinjve shënoi në minutat 10-të, 20-të, 56-të. Gjithsesi epërsinë Milanit ia kishte dhënë Calhanoglu që në minutën e 7-të. Ndërkohë që golin e pestë e realizoi Suso në pjesën e dytë. Për Austrian e Vjenës realizoi ndërkohë Borkoviç në të 47-tën. AEK i Athinës mori një fitore të rëndësishme 2-1 në transfertë me Rijekën falë golave të Mantalos dhe Lazaros, ndërsa barazimin provizor për kroatët e vendosi Elez.
Në Grupin E, Atalanta fitoi 3-0 me Evertonin duke zgjidhur gjithçka që në pjesën e parë. Masiello i dha epërsinë bergamaskëve ndërsa fundi i pjesës së parë ishte drithërues me Gomez dhe Cristante që realizuan dhe dy herë të tjera. Provë e mirë dhe për Berishën që ishte gjithmonë gati sa herë që u vu në provë. Lyon la 2 pikë në fund përballë Apoel të Limasolit, me qipriotët që morën një pikë të merituar falë një goli në fund të Corpas, ndërsa në fillimin e pjesës së dytë holandezi Depay i kishte dhënë epërsinë fillestare francezëve. Nuk pati asnjë gol në takimet e Grupit F, ku Kobenhagen dhe pse dominoi barazoi 0-0 me Lokomotivën e Moskës ndërsa Zilin dhe Sherif gjithashtu ndanë pikët mes tyre në Sllovaki.

Exit mobile version