Shkëlqejnë Spanja dhe Italia në eliminatore

Italia dhe Spanja nuk falin. Dy emrat e mëdhenj të grupit G, ku bën pjesë edhe Shqipëria e nisën me fitore bindëse aventurën e tyre në kualifikueset e Botërorit Rusi 2018-të. Të Kaltërit e Giampiero Venturës, triumfuan me rezultatin 3-1 në transfertën e Haifas përballë Izraelit vendas, ndërkohë Spanja bombardoi me një breshëri golash modestët e Lihtenshtejnit, duke fituar me shifrat 8-0. Në “Sammy Ofer Stadium” të kryeqytetit të Izraelit, Haifa, Italia mori një fitore të thjeshtë ndaj skuadrës së trajnerit Levy.
Grazianno Pelle në minutën e 14-të hapi serinë e golave për 4-herë kampionët e Botës, ndërkohë që në të 32-ën Antonio Candreva kthehu në gol një 11-metërsh, duke dyfishuar shifrat. Goli i Ben Haim në të 35-ën dhe kartoni i kuq i marrë nga Chielini, 20 minuta më pas u duk sikur rihapën llogaritë, por as avantazhi numerik në fushë nuk i mjaftoi Izraelit që pësoi edhe golin e tretë nga Immobile në të 83-ën. Luajti tenis, Spanja me Lihtenshtejnin në Leon, duke arritur një fitore të thellë me rezultatin 8-0.
Diego Costa realizoi golin e vetëm për La Rojan  në pjesën e parë, ndërkohë që në fraksionin e dytë nisi edhe golada e Spanjës. Sergi Roberto, David Silva dy herë, Vitolo, sërish Diego Costa dhe Morata dy herë ishin autorët e golave për skuadrën e Lopeteguit. Në grupin I ku bën pjesë edhe Kosova, Kroacia favoritja kryesore për t’u pozicionuar në vendin e parë nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 ndaj Turqisë. Gjithçka u vendos në minutat e fundit të pjesës së parë, me Rakitiç që fillimisht kthehu në gol një penallti, ndërsa disa sekonda më pas, Calhanoglu nëpërmjet një goditjeje standarde barazoi shifrat.
Tre barazime 1-1 në grupin I, sepse edhe Ukraina dhe Islanda u ndanë mes tyre me të njëjtin rezultat. Uellsi, ndërkohë fitoi lehtësisht 4-0 ndaj Moldavisë, Serbia barazoi 2-2 me Republikën e Irlandës, ndërsa Austria mundi 2-1 në transfertë Gjeorgjinë.

Artikulli paraprakNjë amerikan emërohet kryeprokuror i Gjykatës Speciale në Kosovë
Artikulli tjetërHiguain, i mbivlerësuar i merkatos verore