Shkëlqen ekipi i Bogdanit

Shqipëria e 19-vjeçareve shkëlqen në Itali aty ku fitoi turneun “Roma Caput Mundi”. Skuadra e drejtuar nga Erjon Bogdani u përball në finale me Rumaninë dhe arriti të triumfonte 2-0 me nga një gol në çdo pjesë për të sjellë në Shqipëri trofeun e 11-të këtij kompeticioni. Gjatë fraksionit të parë ishte një autogol i Dima-s që zhbllokoi sfidën pas harkimit të Çelës, ndërsa në minutën e 32 të pjesës së dytë, Metolli vendosi në kasafortë fitoren e kuqezinjve. Ky është trofeu i parë i fituar nga 19-vjeçarët kuqezi në turneun prestigjioz të Romës, çka konfirmon momentin pozitiv që po kalojnë grupmoshat e Kombëtares Shqiptare si për femra ashtu edhe për meshkuj.
Vetëm pak ditë më parë dy skuadrat Kombëtare të femrave triumfuan në miqësoret respektive ndaj Malit të Zi. Ndërkohë, Kombëtarja Shpresa pas uljes në stol të Alban Bushit zhvilloi disa takime miqësore të suksesshme pak javë më parë. Ish-ndihmësi i De Biasit ka injektuar gjak të ri në radhët e 21-vjeçarëve, duke premtuar furnizim të vazhdueshëm dhe cilësor për Kombëtaren në të ardhmen.
Në një komunikim telefonik me Supersport, trajneri i 19-vjeçarëve kuqezi, Erjon Bogdani, me emocionet që i jep kjo detyrë e re, theksoi se ishte një triumf i merituar i arritur me cilësi dhe duke vënë zemrën në fushë.
“Mua dhe stafit më është bërë shumë qejfi, sepse kanë qenë katër ditë mjaft intensive dhe skuadra ka qenë e detyruar të luajë çdo ditë. Takimi i fundit ishte me Rumaninë dhe skuadra përveç anës tentike vuri edhe zemrën në fushë për ta fituar ndeshjen. Tani që jam në rolin e trajnerit nuk ka vend për emocione, sepse më duhet të ruaj ekulibrat e ekipit. Ishte një turne i domosdoshëm edhe për ekipin U-19 dhe tani s’na mbetet gjë tjetër veçse të shohim para dhe të arrijmë të tjera suksese”, u shpreh Bogdani.
Puna e Bogdanit në krye të U-19-ës sapo ka nisur, deri në fillim të tetorit, periudhë kur do të zhvillohen ndeshjen eliminatore të Europianit do të zhvillohen të tjera grumbullime për të formuar një grup të aftë për të rivalizuar me skuadra të tilla si Ukraina, Mali i Zi dhe Norvegjia.
“Misioni i radhës është të përgatitemi mirë gjatë kësaj përiudhe që në muajin tetor, të jemi gati për ndeshje kualifikuese. Shpresojmë se do të bëjmë më të mirën. Këta djem e kanë vetë në dorë të ardhmen e tyre. Nëse stërvitjet i marrin me seriozitet të gjitha gjërat që i thotë trajnerët, normalisht do të ecin përpara”, tha ai.
Bogdani shton më tej se do të jetë shumë i kujdesshëm edhe në vëzhgimin e elementëve që janë pjesë e skuadrave shqiptare dhe se të gjithë do ta kenë shansin të tregojnë sesa vlejnë.
“Do t’i qëndroj pranë kampionatin në Shqipëri dhe do t’i ndjek vazhdimëisht të gjithë elementët e kampionatit tonë. Turneun e radhës do të shoh sa më shumë lojtarë që në muajin tetor të kemi krijuar skuadrën më të mirë, pra ata djem që i kam njohur gjatë kësaj periudhe”, përfundoi Bogdani.

Artikulli paraprakKina “blen” Maradonën
Artikulli tjetërNdalet Berisha, Melburni humb në garën për titull