Nga Doriana Musai
Me parimin, “shkollën nuk e bëjnë muret”, gjimnazi Sami Frashëri në Tiranë, u shemb pa papritur, të shtunën e 24 Prillit 2020. Vendi ishte nën pandeminë e virusit Covid-19, dhe izolimi i detyruar (lock down), aplikohej çdo fundjavë, nga e premtja në orën 17:00, deri të hënën në orën 06:00. Qyteti boshatisej, dhe të vetmet lëvizje në qytet ishin ushtarët pasi Virusi u shpall armik që duhej luftuar me armatime të rënda, deri tek tanku.
Shembja e papritur e gjimnazit Sami Frashëri, nga fadromat e IKMT-së pas vendimit të Bashkisë Tiranë, tronditi të madh e të vogël. Ish nxënës të shkollës, qytetarë të kryeqytetit, komuniteti i Tiranës. Në veçanti oshëtiu një kambanë alarmi për aktivistët në mbrojtje të teatrit. Samiu, për ta ishte prova për të testuar nervin qytetar dhe shkallën e reagimit. Në atë valë reagimesh vetëm online, më 4 Maj 2020, dhjetë ditë pasi e shembi, Veliaj, ngjashëm me një nekromaniak që kthehet në vendin e krimit, shfaqet në një dokumentar të prodhuar enkas nga zyra e propagandës qeverisëse, duke pedaluar për herë të fundit në ish shkollën e tij, tashmë në gërmadha.
“Shkolla, ashtu si ish nxënësit e saj e mbajnë mend, nuk do të jetë më e njejta”. Me këte mësazh, dokumentari i transmetuar si LIVE në faqen e Veliajt, ngacmoi kujtimet duke luajtur kështu me emocionin e qytetarëve, një formë manipulimi i skenës, “spinning”, metodë e përdorur sistematikisht nga Erion Veliaj. Armatim të cilin nuk ka kursyer ta përdorte çdo herë që i duhej të vinte njërën anë të qytetit kundër tjetrës, duke e përmbledhur si ‘disa që duan zhvillimin, disa që janë kundra zhvillimit’; ‘Një pakicë, nostaligjikësh që duan Tiranën e zhulit, dhe shumica që do Tiranën turistike”. Artistët kundër artistëve dhe qytetarëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, është pika kulmore e këtyre metodave të ngjashme me propagandën e majtë enveriste: përça, manipulo dhe kontrollo narrativën publike.
Gjatë 10 viteve në krye të Bashkisë Tiranë, Veliaj ka lënë jo pak gjurmë. Edhe pse sot nën arrest me burg, me vendim të GJKKO-së, pasojat e vendimeve të tij do të vijojnë të shihen edhe në dekadat në vazhdim. Ndërhyrja e dhunshme, pa planifikim, pa kritere, rregulla dhe paorganizim në qytet, ka lënë hapësira të mbipopulluara, të mbingjeshura, shpesh të pajetueshme. Lagje të pista dhe të pashëndetshme. Banesa të mbipaguara por boshe. Hapësira të degraduara pa njerëz. Sheshe të zhdukura dhe ndërtesa të pakuptimta që farfullijnë pará korrupsioni dhe krimi. Infrastrukturë inxhinierike e degraduar, trafik dhe smog në qytet, duke e klasifikuar Tiranën si një nga qytetet më të ndotura në Europë.
Nën drejtimin e Veliajt, Bashkia Tiranë si territor, pësoi transformimin më të shpejtë dhe më të dhunshëm që nga themelimi i saj si kryeqytet. Ndërhyrjet në shkallë të madhe në hapësirë, duke impaktuar kudo qytetin, kanë shformuar morfologjinë e tij, dhe me të, komunikimin dhe ndërveprimin e tij me njeriun.
Por, sikur të mos mjaftonte kjo, qyteti ka zhvilluar një industri të re ekonomike nga parája gri, e cila duke mos marrë në konsideratë interesin e banorëve, me një pushtet vendor kundra interesit të atyre që presupozohet përfaqëson, imponon zhvillim xhentrifikues dhe ndërtime spekulative dhe korruptive. Janë ato qindra kantiere që po shfarosin çfarë ka mbetur nga qyteti i njerëzve, duke rikonfiguruar dendësinë, lëvizjen, hapësirën, funksionin, ekonominë dhe strukturën sociale të kryeqytetit. Hapësira pa njerëz, ndërtesa pa banorë, dhe spekulantë që ushtrojnë presion dhe dhunë mbi pronarët dhe qytetarët e Tiranës. Cilësuar si lavatriçja, ku po pastrohen paratë e krimit dhe drogës, qyteti rrezikon të kthehet në qendër narko trafiku, kullat e të cilit janë banorët e paligjshëm të tij.
Disa qindra e mijëra vendime të Bashkisë Tiranë dhe Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), të Këshillit të Ministrave, dhe deri Parlamentit shqiptar, kanë ndërhyrë arbitrarisht në qytet, duke favorizuar grupe të vogla oligarkësh, dhe injoruar tërësisht jetën e njerëzve që impaktohen nga ato vendime. Me mijëra vendime të fshehura, në mungesë transparence me qytetarët, kanë shkatërruar lagje banimi dhe shpërngulur me dhunë me qindra e mijëra qytetarë. Me mijëra vendime të Këshillit të Ministrave për të shpronësuar me ‘dy lek’, troje të cilat më pas janë dhënë për zhvillim privat, nga veriu në jug të vendit. Dhe së fundmi, konkurse për të mbulur diellin me shoshë, që targetojnë trojev dhe asete publike, privatëve me skema të paqarta dhe jotransparente, skemë e cila u nis të testohej me ligjin special “Fusha” për teatrin.
U konsiderua, si grabitje me ligj të parlamentit shqiptar, të trullit publik për t’ia dhënë për zhvillim një njeriu të vetëm që sot është nën hetim penal si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”. Në kundërshtim me kushtetutën dhe çdo kontratë tjetër që shteti ka bërë me publikun. Një sjellje diktatoriale, e përqëndrimin dhe imponimit të pushtetit në një dorë. Një politike enveriste, ku manipulimi politik zhvillohej nëpërmjet manipulimit fizik të qytetit.
Zoti Shkëlqim Fusha, emri i të cilit u lidh pashmangshmërisht me “ligjin special fusha”, investitori, i cili kishte blerë një projekt arkitektonik nga një arkitekt danez, (I shquar për të tilla kontrata), për teatrin e ri, që do të duhej të shembte të vjetrin. Emër i cili, ligji iu atashua si modeli në kundërshtim me interesin e qytetarëve, në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës, si korruptiv, dhe me vendim të GJK antikushtetues.
Andaj, sot, tek sheh në krah me Erion Veliajn edhe Shkëlqim Fushën, nuk mund të mos kthehesh mbrapsht në kohë, 7 vjet më parë, kur në të njëjtën stinë, projekti I Bjarke Ingels, fluturoi ekraneve si flutur që do të sillte me përplasjen e flatrave të saj, tërmetin në politikë sot.
“Nata e parë në qeli…e kalova pa gjumë në sy”- status i Erion Veliaj, i datës 11 shkurt 2025.
Në vigjilje të 105 vjetorit të shpalljes kryeqytet, Tirana ka fjetur qetë. Për herë të parë në 10 vjet u zhgjua me shpresë. Dhunuesi i saj është në qeli.