Deputeti socialist Taulant Balla ka deklaruar dje gjatë mbledhjes së Komisionit Hetimor për Privatizimin e CEZ se: “Komisioni Hetimor për privatizimin e OSSH tek CEZ sot ka administruar prova shumë të rëndësishme lidhur me personin Nuel (Nue) Kalaj, i cili sipas dëshmive të deritanishme ka qenë “sekseri” i martesës së qeverisë shqiptare të Sali Berishës me kompaninë CEZ. Komisioni po heton pse CEZ i ka bërë këto transferta tek ky individ dhe ku i ka çuar paratë cash Nue Kalaj mik i ngushtë i djalit të Sali Berishës, Shkëlzen Berisha”.
Shtetasi Nue Kalaj është thirrur si dëshmitar në këtë çështje dhe nuk është paraqitur, e për këtë arsye Balla ka kërkuar shoqërimin e tij me forcë nga policia për të dëshmuar.
Ndërkohë për akuzat e lëshuara nga deputeti Balla ka reaguar edhe vetë juristi Shkëlzen Berisha, i cili në një status në rrjetin social shkruan: “Sot, papagalli i shpifjeve të Edi Ramës, me urdhërin e kryetarit, ka zgjeruar rrethin e miqve të mi të ngushtë, me një person me të cilin dhe aktivitetin e të cilit, nuk kam asnjë lidhje. I dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit për shpifje, gënjeshtari i Ramës vazhdon avazin e vjetër me trillime të reja, me shpresën se kështu do mbulojë sarajet e kryetarit në Surrel. Të ndërtuara me ”plaçkën” e Ramës nga marrëveshja me CEZ, për të vjedhur dhe ndarë, 630 milionë euro nga xhepat e shqiptarëve”.
Shkëlzen Berisha e mbyll reagimin e tij me thirrjen që: “Rama përpara se t’i ngarkojë shpifje të reja, ta detyrojë papagallin, të mos lerë ”puplat” në kazino, por të zbatojë vendimin e gjykatës dhe të paguajë paratë për shpifjet e vjetra.