Shkarkohet nga detyra trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Bruno Akrapoviç. Në përfundim të një mbledhjeje urgjente të drejtuesve të klubit tetovar për shkak të situatës së krijuar pas dy humbjeve radhazi është marrë vendimi për largimin nga detyra të 49-vjeçarit. Në komunikatën e shfaqur në faqen zyrtare të Shkëdijës shkruhet se, “pas një analize të detajuar të situatës aktuale, drejtuesit vlerësojnë se është humbur një moment i rëndësishëm për ecurinë e ekipit në kampionat. Pas këtij ambienti të krijuar, drejtuesit marrin vendim që ta pushojnë nga detyra shefin e stafit teknik Bruno Akrapoviç.
Shkëndija falenderon Bruno Akrapoviçin për kontributin e dhënë në skuadër dhe sukseset e arritura gjatë periudhës që ishte pjesë e klubit, duke i duke i uruar suksese në të ardhmen.
Ndërkohë drejtuesit ia kanë besuar përkohësisht drejtimin e ekipit ndihmëstrajnerit Jeton Beqiri, derisa të gjendet emri i duhur për të pasuar Akrapoviçin. Ditët e fundit është folur shumë për kandidaturën e Mirel Josës për të marrë drejtimin e kuqezinjve tetovar, por diçka më shumë do të mësohet në ditët në vijim.